Mirëpritet donacioni i mergatës për shkollën në Dacaj të Rozhajës

Diaspora

Mirëpritet donacioni i mergatës për shkollën në Dacaj të Rozhajës

Nga: Maxhun Smajli     Më: 9 gusht 2020 Në ora: 06:31
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në fundvitin e 2019-tës, Xhevdet Muriqit, nënkryetar i Nëndegës së LDK-s, në Bavarinë e Epërme, i kishte lindur idea dhe dëshira për ta ndihmuar shkollën e vetme shqiptare në Sanxhakun e Malit të Zi - në Dacaj të Rozhajës. Këtë ide dhe dëshirë, Xhevdeti, e kishte biseduar me kryetarin e Nëndegës së LDK-s, Mr. Ing. Rexhep Nikçin.

Në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Nëndegës, mbajtur me 11 janar 2020, në Pilsting të Bavarisë së Poshtme, kjo ide dhe dëshirë ishte futur si Pikë e rendit të ditës. Anëtarët e Kryesisë, duke e parë si të qëlluar dhe shumë të nevojshme për komunitetin shqiptarë, në komunën e Rozhajës, unanimisht vendosën që të fillojnë me grumbullimin e mjeteve financiare. Kësaj iniciative i janë bashkangjitur; SHKSH „ Sali Çekaj“, në Pfaffenhofen, Fondacioni „Besa“, në Munih, BPSH “Akademik Mark Krasniqi“, në Pilsting dhe shumë bashkatdhetarë nga Gjermania, Austria, Zvicra dhe Amerika.

Në grumbullimin e mjeteve financiare morën pjesë 64 vullnetmirë; dy persona dhuruan nga 1000 euro, tre nga 500 euro, një me 300 euro, dy me nga 200 euro, 14 persona me nga 100 euro, 31 persona me nga 50 euro, një person me 40 euro, një person me 30 euro dhe dy persona me nga 20 euro.

Vullneti dhe dëshira e bashkatdhetarëve u jetësua

Edhe pse në rrethana të kushtëzuara dhe me pengesa ndërshtetërore, si pasojë e pandemisë Covit 19, vullneti dhe dëshira e bashkatdhetarëve u jetësua. Shuma e parave të grumbulluara dhe mjetët shkollore për nxënësit, u sollën  në Dacaj të Rozhajës.

Me datën 03 gusht 2020, në nderim të donatorëve, ishte organizuar një pritje solemne nga kolektivi i ShF „Dacaj“,në Dacaj të Rozhajës. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit komunal të Rozhajës; Rrahman Husoviq, kryetar i Komunës së Rozhajës, Esad Plunac, petagog, njëherësh, Këshilltar për të rinjë dhe bashkëpunëtor për shkollat në Komunën e Rozhajës dhe Reshad Kalaq, drejtor i Radiotelevizionit të Rozhajës. Të pranishme ishin edhe mjetet informative; RTV i Malit të Zi, Programi në gjuhën shqipe, Radio Mali i Zi, në gjuhën shqipe, RTV Rozhaja, RTK etj..

Drejtori i ShF “Dacaj”, në Dacaj, Haxhi Lajqi, i entuziazmuar, pasi përshëndeti dhe falënderoj të pranishmit për pjesëmarrjë, mes tjerash tha: “Duke falënderuar të gjithë ata bashkatdhetarë që nuk u kursyen për shkollën tonë, e vetmja shkollë shqipe në Malësinë e Rozhajës, u them se, keni ndihmuar ndaljen e asimilimit dhe vazhdimin e punës së shkollës tonë 77-të vjeqare, e cila ka frymuar, frymon dhe do vazhdoj të frymoj shqip”.

Në fjalën e tij, qytetari i parë i Komunës së Rozhajës, z. Rrahman Husoviq, kryetar, mes tjerash, tha: “Falënderoj donatorët, iu falënderoj juve që në këto rrethana pandemie erdhët dhe i sollët mjetet financiare dhe mjetet didaktike për nxënësit. Shpresojmë që edhe nxënësit e shkollës në Dacaj t’i kenë kushtet ashtu siç i kanë nxënësit në ato vende prej nga vijnë këto donacione”.

Esad Plunac, pedagog, pasi falënderoj donatorët, mes tjerash, tha: “ Kjo shkollë është një urëlidhëse mes Rozhajës dhe Kosovës. Kemi pasur dhe duam të kemi bashkëpunim si me Kosovën, ashtu edhe me juve në diasporë”.

I emocionuar, drejtori i Radiotelevizionit të Rozhajës, z. Reshad Kalaq, foli për rëndësinë e veçantë të kësaj shkollë, pasiqë është e vetmja shkollë në gjuhën shqipe, në Komunën e Rozhajës. Z. Kalaq, falënderoi kryetarin e Komunës për pjesëmarrje, ngase, siç tha ai: “Vetëm kështu nderohen ata që mendojnë për qytetarët e komunës sonë, për fëmijët tanë”.

Më pas fjalën e mori, Xhevdet Muriqi, nënkryetar i Nëndegës së LDK-s, në Bavarinë e Epërme, i cili duke u ndjerë i lumtur për përmbushjen e dëshirës së tij dhe vullnetit të bashkatdhetarëve, mes tjerash, tha: “Edhe pse Nëndega e LDK-s, në Bavarinë e Epërme, është bartëse e këtij donacioni, nderi kërkon që të flitet më tepër për ata që na mbështetën e na ndihmuan, siq janë SHKSH “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, Fondacioni “Besa”, në Munih, BPSH “Akademik Mark Krasniqi”, në Bavarinë e Poshtme dhe gjithë bashkatdhetarët vullnetmirë që nuk u kursyen për shkollën e vetme shqipe në këto anë. Nderi dhe falënderimi iu takon atyre, ne jemi vetëm bartës të vullnetit dhe amanetit të tyre. Me këtë rast, në emër të Nëndegës së LDK-s, në Bavarinë e Epërme, në emër të te gjithë atyre që iu bashkëngjiten aksionit tonë dhe në emrin tim personal, iu falënderoj për nderimin që po na e bëni me pjesëmarrjen e juaj e, veçanërisht falënderojmë kryetarin Komunës së Rozhajës, z. Rrahman Husoviqin, pedagogun, z. Esad Plunac, drejtorin e Radiotelevizionit të Rozhajës, z. Reshad Kalaq, gazetarin e radios dhe televizionit të Malit të Zi, në gjuhën shqipe, Gjokë Dukajn, për kohën që kanë gjetur të na dhurojnë. Prania e juaj është nder për ne!” Para të pranishmëve folën edhe Prof. Idriz Zeqiri dhe gazetari, Maxhun Smajli.

Si bashkvendas i trevave shqiptare në Mal të Zi, z. Tahir E. Gjonbalaj, nga Vuthaj e Plavës, doli me kërkesën për të gjithë, që të ndikojnë në rritjen e numrit të nxënësve, pasiqë, siç tha, ai: “Në këtë shkollë vijojnë mësimin vetëm 28 nxënës”, derisa kryetarit të komunës, z. Husoviq, i bëri thirrje që të bëjë pak më shumë për këtë popull. “T’i punësoni të rinjtë. T’ua bëni të mundur të jetojnë e punojnë në këtë komune. Vetëm kështu do arrihet shtimi i numrit të nxënësve”, tha mes tjerash, z. Gjonbalaj.

Në emër të kolektivit të shkollës, të pranishmit i përshëndeti, mësimdhënësja, Gjylshahe Jakupi-Bicaj, e cila mes tjerash, tha: “Në emër të mësimdhënësve të shkollës sonë, i falënderoj donatorët që menduan për shkollën dhe nxënësit tanë! I falënderojmë gjithë ata që përmes këtyre donacionëve i kanë gëzuar nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës sonë!”.

Më pas, për tre përfaqësuesit e këtyre donacioneve; Prof. Idriz Zeqirit, Xhevdet Muriqit dhe Maxhun Smajlit, drejtori i shkollës, iu dhuroi nga një eksemplarë të librit monografik me titull: “Shkolla në Dacaj dhe në Buxhov” (Malësia e Rozhajës) 1943-2013.

U ndamë me përshtypjet më të mira për kolektivin e kësaj shkolle dhe banorët e kësaj komune, të cilët në ditët më të vështira të popullit shqiptarë i hapën dyert dhe zemrat, i strehuan dhe i ushqyen të ikurit nga lufta gjatë vitit 1998/99.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat