Revista Shqiptari kushtuar Shkollës Shqipe dhe Zonjës Ida Jashari

Diaspora

Revista Shqiptari kushtuar Shkollës Shqipe dhe Zonjës Ida Jashari

Nga: Baki Ymeri Më: 10 tetor 2020 Në ora: 16:41
Kopertina

Fillimisht e falënderojmë duke e përshëndetur stafin e gazetës së famshme ”Botës sot”, që u kushton hapsirë tipografike shkrimeve tona. Ja një letër falënderimi nga Suedia, ku përmendet revista që e botojmë në Bukuresht: I nderuari miku im Baki Ymeri! Uroj nga zemra që të jeni mirë ju dhe mbarë familja e juaj. Ju njoftoj se sot i morra shtatë revista ”ALBANEZUL” dhe një ”MIRËNJOHJE”, nga Ju! Shfrytëzoj rastin të ju falënderoj, për kujdesin tuaj tejet të sinqertë, si dëshmi e fuqishme se jeni njeriu atdhetar që ruan konstantën me njerëzit e devotshëm. Duke qenë i njohur për veprimtarinë tuaj, mund të them se Baki Ymeri, kryekreje është atdhetar, krijues, piblicist e kombëtar, misionar i idealeve të pastra liridashëse dhe përpjekjeve çlirimtare të rilindasve tanë të cilët kanë punuar me dinjitet të shenjtë për komb e atdhe! Në veprat e Baki Ymerit zbulohet rrënjësisht dashuria e tij si krijues, që të japë një pasqyrë shpirtërore nga brenda, domethënë zbulon shpirtin e qenies, përkatësisht ndjenjën e atdhedashirsë me rrënjë lashtësie, që koincidon me vet moshën e revistës ”ALBANEZUL” (1888-2020). I dashur miku im Baki! Më lejo të të falënderoj sinqerisht edhe njëherë për revistën ”ALBANEZUL” dhe ”MIRËNJOHJEN”, të cilat do të zënë një vend të merituar në të ardhmën gjatë krijimtarisë time, së bashku me emrin e mikut tim Zt. Baki Ymeri. Sinqerisht, miku i juaj, Hysen Ibrahimi (Malmo, Suedi, 02/10/2020)

Revista kushtuar Zonjës Ida Jashari që e mban gjallë shkollën shqipe në një qytezë të Zvicrës, del me 50 faqe në kolor. Po i japim vetëm disa fragmente: Në kuadrin e artikullit ”Shkolla shqipe mund të mbijetojë vetëm me mbështetjen institucionale”, Hava Kurti-Krasniqi thekson: Mësuesja shqiptare nga Ostermündingen-i i Bernës, Ida Jashari, flet rreth vlerësimit që diaspora i bën mësimit plotësues të gjuhës shqipe gjegjësisht rreth asaj sa janë mirënjohës prindërit që fëmijët e tyre mësojnë shkrimin shqip. Shumica e fëmijëve mërgimtarë flasin shqipen me vështirësi. Kjo ndodh sepse ata nuk kanë shumë miq e familjarë që e flasin shqipen në rrethin ku jetojnë. Nuk mjaftojnë vetëm prindërit. Sa më shumë komunikim aq më shumë zotërim të gjuhës që synojmë.

LAPSH si institucion ka sjellë një mundësi për të ruajtur vlerat kulturore prandaj mësuesit angazhimin e tyre e ndjejnë më shumë si mision e jo si vend pune. Por sa po e vlerëson diaspora jonë këtë vlerë? A janë mirënjohës prindërit që fëmijët e tyre mësojnë shkrimin shqip? Flet mësuesja shqiptare nga Ostermündingen-i i Bernës, Ida Jashari.

Image

A keni menduar një fushatë për të motivuar prindërit që t`i sjellin fëmijët në shkollën shqipe? Kam menduar për ndonjë mbledhje informative (siç bëhen shpesh dhe në shkollat me mësim të rregullt) për motivim të prindërve, dhe këtë e kam biseduar por jo praktikuar, me kryetarin e Shoqatës Kulturore Shqiptare Bashkimi në Ostermundigen.

A do të ishte mirë që LAPSH të shpallte një konkurs për një projekt që do të nxiste motivimin për ndjekjen e mësimit shqip? Po edhe me një aktivitet të tillë, besoj që do të shtohej edhe më shumë interesi i prindërve dhe i fëmijëve. Duke e pasur parasysh se nxënësit vijnë nga troje të ndryshme, me dallime të dialekteve, shprehjeve etj., sa kuptohen ata mes tyre? Po, është e vërtetë se nxënësit tanë vijnë nga troje të ndryshme shqiptare po megjithatë, ata nuk kanë fare vështirësi që të kuptohen në mes veti, pasi jemi ne aty për t`i ndihmuar. Gjuha është baza për të njohur kulturat tjera. A mendoni se fëmijët që njohin mirë gjuhën shqipe, e flasin bukur edhe gjuhën gjermane? Fëmijët që njohin mirë gjuhën e prejardhjes, flasin rrjedhshëm edhe gjuhën e vendit ku jetojnë. Këtë dukuri e kam të vërtetuar dhe nga fëmijët e mi, ish nxënës të rregullt të shkollës shqipe, që nga klasa e parë deri në të nëntën.

Nga përvoja juaj: A më shumë janë të motivuar prindërit apo nxënësit për të vijuar mësimin shqip? Prindërit janë ata që i motivojnë nxënësit. Është obligim yni prindëror që fëmijëve t`ua mësojmë gjuhën tonë të bukur shqipe. Normat e reja pedagogjike tregojnë se fëmija mund të mësojë e të flasë disa gjuhë njëherësh. A mendoni se këta fëmijë do të flasin një ditë një gjuhë shumë të përzier? Sipas normave pedagogjike, fëmijët kanë aftësi të mësojnë shumë gjuhë përnjëherë dhe njëkohësisht kanë dhe aftësi që t`i dallojnë ato gjuhë gjatë të folurit, pra gjatë përdorimit. Gjeneratat e reja edhe kur flasin shqip kanë megjithatë kulturë zvicerane. A mësojnë ata edhe për kulturën dhe traditat gjatë vijimit të shkollës shqipe? Në shkollën shqipe mësojnë të shkruajnë, lexojnë, shprehen/recitojnë bukur gjatë çdo aktiviteti kulturor (Festa e Flamurit, Pavarësia e Kosovës, 7 Marsi, Festa e Abetares/Prezantimin e diplomave nga klasa e nëntë). Mësojmë dhe për historinë kombëtare, gjeografinë e trojeve shqiptare, traditën dhe kulturën në përgjithësi. Sa po kontribuojmë që këta fëmijë të mësojnë shqipen, a takohen mësuesit për të shkëmbyer përvojat e tyre në mënyrë që sa më shumë fëmijë të motivohen? Për këmbim përvojash mes kolegëve/e, takimi është i domosdoshëm, kështu që dy deri tri herë në vit ne takohemi në Mbledhjen e Këshillit të LAPSH për Kantonin e Bernës.

E shihni ju të ndritur të ardhmen e gjuhës shqipe në diasporën tonë në Zvicër? Nëse punohet më shumë sipas trekëndëshit: PRIND-NXËNËS-MËSUES, besoj në një të ardhme shumë të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Por, me kusht që të kemi edhe përkrahje nga institucione të ndryshme të vendit dhe nga ambasadat tona, që të punojnë për vetëdijesimin, së pari të prindërve, për këtë çështje. A është i shtrirë LAPSH në të gjitha kantonet e Zvicrës dhe kush e mbështet LAPSH in materialisht? LAPSH-i, është shtrirë gati në të gjitha Kantonet. Mbështetjet materiale në disa Kantone nga prindërit dhe në disa nga vet Komunat. Mësim vlerësohet me nota. A s`do të ishte më mirë që të mos matej me nota dashuria ndaj gjuhës amtare në mërgim? Mungesa e notimit ndoshta do të ishte më e vlefshme? Dashuria ndaj gjuhës amtare na bën të lidhemi ne si komb në mes veti dhe njëkohësisht edhe të dimë se nga i kemi rrënjët. Po qe se nuk dimë nga vijmë nuk do të dimë as nga shkojmë, prandaj për mua vlerësimi me nota ka pak rëndësi. Sa nxënës keni sot? Në klasën time, kam 24 nxënës. A është siguruar mbijetesa e shkollës shqipe? Nëse punohet më shumë sipas trekëndëshit: PRIND-NXËNËS-MËSUES, besoj në një të ardhme shumë të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Por, me kusht që të kemi edhe përkrahje nga institucione të ndryshme të vendit dhe nga ambasadat tona, që të punojnë për vetëdijesimin, së pari të prindërve, për këtë çështje.

Rexhep Rifati: Sot, në 30 vjetorin e shkollës shqipe në Zvicër (20 shtator 2020), përgëzime mësuesja Dritë që ndeze flakadanin e parë!

Sot për komunitetin e madh shqiptar në Zvicër është një ditë e veçantë, 30 vjetori i hapjes së shkollës së parë të pavarur të mësimit shqip. Drita Krasniqi, ish- mësimdhënëse e anglishtes në Shkollën fillore «Emin Duraku» në Prishtinë, ishte ajo që pati fatin që më 20 Shtator 1990 të hap dyert e shkollën e parë të pavarur në Bilten të kantonit Glarus të Zvicrës.- Ky flakadan i parapriu hapjes së vatrave të tilla edhe në 13 shtete të tjera perëndimore, ndërsa që mësuesja Dritë me burrin e saj Hamit Krasniqi, te dy të pensionuar jetojnë në qytetin e Glarusit, duke shënuar këtë jubile në gjirin familjar! (Më gjerësisht sot në portalin prointegra. ch )

Rexhep Rifati: Gëzuar ditëlindjen Ida Jashari, mësuese shembullore e mërgatës shqiptare! Sot ndjeva një obligim të veçantë, që ti uroj ditëlindjen e 53-të mësueses sonë të vyeshme të mësimit plotësues, Ida Jashari, e cila prej vitesh ka nxjerrë gjenerata të shkëlqyeshme të nxënësve të mësimit plotësues në Shkollës Shqipe ,,Naim Frashëri" në Ostermundigen, të kantonit të Bernës në Zvicër. Edhe atë duke punuar me përkushtim edhe këto muaj, me rastin e mësimit nga shtëpia në shtëpi, e realizuar dhe përfunduar me sukses vitin shkollor 2019-2020! Përmes këtij urimi dua të uroj e përshëndes edhe të gjitha mësueset dhe mësuesit që punuan edhe në këto rrethana që fëmijët tanë ta ruajnë gjuhën e traditën e të parëve edhe në kushtet e kurbetit. Do theksuar se zonja Ida nuk është mësuese për nxënësit e saj vetëm brenda klase, ku pos mësimit sipas programit, ajo organizon me ta edhe aktivitetet të ndryshme muzikore, të dramës, ndërsa që organizon edhe ekskursione brenda dhe jashtë Zvicrës, në mënyrë që nxënësit të njihen edhe me arritje në fusha të ndryshme në botën perëndimore, por edhe me të tilla vizite që lidhen me arritje të mërgatës shqiptare.

Për mua e veçanta, pos asaj që kam pa nga puna në klasa ku edhe kam bërë ca shënime për media, ishte edhe pjesëmarrja e Idës me nxënësit e saj në promovimin e librit tim në Bernë, por edhe një orë mësimi që ka mbajtur me ta mbi librin tim. Ida nuk është mesa kemi arrit të mësojmë si në shkollë ashtu edhe në shtëpi, ngase me bashkëshortin e saj Asanin kanë rritë edhe dy fëmijë të mrekullueshëm që gjithashtu kishin ndjek mësimin plotësues e që tash te dy: vëlla e motër i ndjekin studimet në Universitetin e Cyrihut, ku edhe në tetorin e vitit të kaluar bëra një foto të përbashkët me ta, meqë rast edhe atë foto po e postoj këtu. Përmes këtij urimi: një pushim të këndshëm veror të gjithë nxënësve e mësuesve të mërgatës qoftë, në vendlindje apo diasporë!

Rexhep Rifati: Drita Krasniqi, ishte mësuesja e parë që pati nderin që më 20 Shtator 1990 ( ditë enjte) të hap dyert e shkollën e parë të pavarur në Bilten të kantonit Glarus. Ky flakadan i parapriu hapjes së vatrave të tilla edhe në 13 shtete perëndimore, ndërsa që mësuesja Dritë me burrin e saj Hamit Krasniqi, tash të pensionuar jetojnë në qytetin e Glarusit Sot në 30 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Zvicër, në vigjilje të këtij përvjetori kontaktova përmes telefonit mësuesen dhe mësova se ajo gjendet bashkë me burrin e saj Hamit Krasinqin ish- gazetar në RTK-ë gjenden për pushime në Kosovë. Përndryshe po të organizohej një takim sado simbolik, ajo gjithsesi do të gjendej në Zvicër, por si duket përgjegjësit e arsimit shqip në Zvicër si në 20- vjetor që “harruan” ti bëjnë ftesë edhe kësaj radhe me gjasë do të ndjekin të njëjtën rrugë(!).

Për të ditur se ku jeton dhe ç ‘ruan në kujtesë kjo mësuese nga ai akt solemn, vite më parë, mësueses Dritë i bëra një vizitë në familjen e saj në qytetin Glarus. Vendbanim interesant. Piktoreskë, por vetëm me dy orë diell në ditë, pasi rrethohet nga të gjitha anët me shkrepa malor. Këtë detaj e mësova nga Hamiti, burri i mësueses Dritë, që derisa ishte në Kosovë ushtroi profesionin e gazetarisë. Pra ishte dhe mbeti një koleg i im i mirë.

Kolegu, Hamit Krasniqi, deri në vitin 1990 ishte redaktor sporti në Televizionin e Prishtinës, kurse Drita mësimdhënëse e anglishtes në Shkollën fillore «Emin Duraku», po në Prishtinë. Kur policia serbe nxori nga televizioni e shkollat punëtorët shqiptarë, familja me 4 fëmijët, nën moshën 14 vjeçare, migroi në Zvicër.

Ditari, dashuri e pashuar

Mësuesja Dritë, gjatë vizitës na shpalosi ca detaje nga puna si mësuese në Kosovë e Zvicër. Pohon se dashuri të pashuar pati ditarin e nxënësit. Pasioni për shkollë e dije, çiftin Krasniqi e shoqëron edhe në Zvicër. Brengë për ta ishte që fëmijët të mos e harrojnë gjuhën e të parëve, ndaj edhe nuk ndejën duarkryq.

Drita e lindur në Pejë, më 7 nëntor të vitit 1950. Që nga fëmijëria ishte rritë në një familje arsimdashëse. Babai, Halim Mulliqi, ishte inspektor arsimi në Pejë. Edhe Drita motiv pati rrugën e babait. Me të arritur në Zvicër, thuaja se humbi çdo shpresë për të punuar mësimdhënëse. Duke pas mbështetjen e Hamitit, më vonë edhe të përgjegjësve të arsimit nga Kosova, sërish u gjend me ditar para nxënësve në mërgatë.

Krahas keqësimit të gjendjes në Kosovë, shtohej edhe fluksi i refugjatëve në Zvicër, por edhe numri i fëmijëve shqiptarë në kantonin e saj. Shqetësimi, i çiftit sa vinte e shtohej ndaj edhe u shtuan kontaktet edhe me Ministrinë e Arsimit të Kosovës në mërgim, që hartoi projektet për hapjen e shkollave të pavarura shqipe, përfshi edhe Zvicrën.

Akti solemn, moment entuziast

Data 20 shtator e vitit 1990-të, kur në Bilten të kantonit Glarus, shënon hapjen e shkollës së parë të pavarur shqipe në Zvicër. Ishte ky jo vetëm një akt solemn për nxënës, por edhe hap i parë që u paraprinte shkollave të tilla edhe në 13 shtete evropiane dhe tej Atlantikut.

Mësuesja Dritë, tregon se hapja e shkollës u shndërrua në festë të vërtetë. Krahas dhjetëra nxënësve e prindërve, merrte pjesë edhe ministri i arsimit, Muhamet Bicaj dhe drejtuesi i LASH-it në Zvicër, docenti, Mahir Mustafa. Ndër vendimet, ishte që mësuesja të financohej nga kontributet e prindërve. Por mësuesja Dritë shton se ajo solidarizohej edhe me ata prind që nuk paguanin. -Entuziazmi ishte i madh, si tek nxënësve e edhe të prindërit. Pa harruar ndihmën e autoriteteve arsimore të kantonit për sigurimi e lokaleve dhe përkrahjen e Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të siguruar plan-programet e dokumentacionin shkollor. Ndërkohë arrin 500 abetaret e para, donacion falas nga Rexhep Sadria, pronar i Agjencisë «Kosova Reisen». Pati aq abetare sa ua shpërndava gati gjithë familjeve shqiptarë. – tregon Drita, duke rikujtuar atë gëzim, që ndodhi këtu e 29 vite më parë.

Mësim edhe me fëmijët tanë të ikur nga lufta

Nga shkolla shqipe, Drita nuk nda për dhjetë, duke e pas në krah Hamitin, që gjithashtu punoi dy vite mësues. Ai e ndihmonte Dritën në organizimin e aktiviteteve jashtë shkollore, që nuk ishin të pakta. Pos si mësuese e nënë, Drita kishte obligime edhe në kuadër të LAPSH-it, si anëtare e kryesisë. Kontributi i saj dalloi edhe gjatë luftës në Kosovë, kur për dy vite në Glarus punoi me dhjetëra fëmijë të ikur nga lufta. Duke i bërë një bilanc viteve në Zvicër, thotë se më parë kishte interesim ma të madh si nga nxënësit e edhe prindërit dhe arsimtarët. Ndonëse Glarisi është një kanton i vogël, ajo pati mbi 100 nxënës në vit. Mësimi zhvillohej disa ditë në javë e jo si tash vetëm një ditë në javë. Pos në Gllarus, mësim mbante edhe Bilten, Niederurnen, Oberurnen, Näfels–Mollis dhe Rüti GL, ndërsa Hamiti në paralelen shqipe në Schwanden. Me një fjalë ky çift për një dekadë mbuloi tërë këtë kanton. Mësuesja Drite thotë se të gjitha pikat shkollore i ka mbuluar duke udhëtar me tren apo autobus. Sesa e adhuronin këngën shqipe fëmijët e atyre viteve, Drita tregon se edhe sot pas njëzet e sa vitesh nxënësit e saj e dinë përmendësh edhe Himnin e Flamurit. Se edhe 4-5 vjeçarët e këndonin në festa shkollore e kombëtare. Nxënësit ishin aktiv edhe në garat e diturisë, par çka edhe ata bashkë me mësuesen fituan disa mirënjohje.

Keqardhje dhe zhgënjim. Tash, kur mësuesja Dritë është pensionuar, shpreh keqardhje për rënien e interesimit për mësimin amtar. Ndryshe nuk do të ndodhte që në kantonin Glarus, deri vonë të kishte mezi 2-3 klasë mësimore, ndërsa që shqiptarët janë dyfishuar. Në prag të vitit të 30 vjetorit të fillimit të punës së saj si mësuese e mësimit plotësues në Zvicër, mësuesja Dritë shpresonte se ky jubile do të shënohet në mënyrë më denjë në Zvicër. E mbante shpresa se nuk do ta harrojnë për ta ftuar, siç ndodhi në 20 vjetor! Deri më tash nuk kemi mësuar se do të mbahet ndonjë manifestim rasti, qoftë edhe simbolik, ndoshta edhe shkaku i pandemisë. Në planin familjarë: djemtë e vajzat e çiftit Krasniqi që erdhën si fëmijë në Zvicër: Mimoza, Miloti, Mjellma e Mirdoni, pos që përfituan nga prindërit në mësimin amtarë, vazhduan shkollimin e rregullt deri në nivel universitar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat