“Kopshtarët” shqiptarë në Britani, si po shfrytëzohen emigrantët për kultivimin e bimëve narkotike

Diaspora

“Kopshtarët” shqiptarë në Britani, si po shfrytëzohen emigrantët për kultivimin e bimëve narkotike

Më: 14 tetor 2020 Në ora: 17:30
Refit Xhaxho

Shumë emigrantë shqiptarë në Britani shfrytëzohen nga bandat kriminale për kultivimin e marijuhanës në banesa private. Bandat shqiptare kontrollojnë tregun e narkotikëve në vend.

Autoritetet angleze shprehin shqetësimin se shumë emigrantë shqiptarë po trafikohen nga bandat kriminale për të kultivuar marijuhanë nëpër banesat e marra me qira.

Janë të panumërt shqiptarët që i janë drejtuar Britanisë së Madhe për arsye ekonomike, duke pranuar ta kalojnë kufirin përkundër një pagese që shkon deri 12 mijë euro për rrugë.

Sipas autoriteteve, personave më pas u propozohet që këtë borxh mund ta shlyejnë brenda 3 muajve nëse pranojnë të kujdesen për kanabisin që ata kontrollojnë kudo.

I tillë është rasti i 43-vjeçarit, Refit Xhaxho, i trafikuar në vend në vitin 2018.

Ai u arrestua në qytetin e Mançestërit dhe kaloi 9 muaj burg për veprën e kultivimit të lëndëve narkotike, por në muajin gusht, u kap sërish në një banesë të re me rreth 80 kilogramë marijuhanë, duke ushtruar të njëjtën veprimtari penale.

Gjykata vendosi javën e kaluar ta dënojë shqiptarin me 14 muaj të tjerë heqje lirie.

Sipas gjyqtarit të çështjes, në pak javë ai ka shqyrtuar disa raste të ngjashme me të Xhaxhos.

Emigrantët që shfrytëzohen në fermat e kanabisit janë më së shumti vietnamezë por edhe shqiptarë.

Ekspertët e fushës thonë se personat vijnë shpesh nga zonat rurale dhe joshen se do të punojnë në sektorin e ndërtimit, por kur nuk gjejnë punë, transferohen në një shtëpi ku u sigurohet ushqim dhe para, por edhe u mbahen pasaportat dhe kërcënohen të kujdesen për bimët narkotike përndryshe do të arrestohen ose do të dëbohen nga Britania.

Një studim i fundit i Universitetit të Kembrixhit i konsideron këta “kopshtarë” si skllevër modernë ndërsa organizatorët e vërtetë të aktivitetit kriminal kryesisht i shpëtojnë sistemit të drejtësisë.

Bandat shqiptare kanë pushtuar tregun e kokainës dhe tani janë aktorët kryesorë në prodhimin e kanabisit në Britani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat