Kufomat e shqiptarëve në valixhe, mediat italiane: Krimi monstruoz ishte mesazh! Ja detajet e reja

Diaspora

Kufomat e shqiptarëve në valixhe, mediat italiane: Krimi monstruoz ishte mesazh! Ja detajet e reja

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 14:28
Shpëtim Pasho

Misteri i kufomave të gjetura të copëtuara brenda tri valixheve në zonën midis burgut të Firences dhe superstradës Firence-Piza-Livorno duket se po shkon drejt zgjidhjes.

Një tatuazh mund të identifikojë viktimat si çifti shqiptar i zhdukur në atë zonë më 2015. Do të duhet testi i ADN-së, por janë të shumtë treguesit që çojnë te Shpëtim e Teuta Pasho, 54 e 52 vjeç, burrë e grua, që kishin shkuar në Itali për të takuar fëmijët.

Njëri ishte në arrest në atë kohë, pikërisht në burgun Sollicciano, pranë të cilit u gjetën trupat. Dhe hipoteza e krimit është pikërisht një ‘mesazh’ drejtuar dikujt.

Tatuazhi në krah – Hetuesit ende janë të rezervuar dhe nuk e kanë konfirmuar identitetin e viktimave. Por në një krah të gjetur brenda njërës prej valixheve shihet një tatuazh në formë spirance poshtë emrit të qytetit, Vlorë, dhe një tjetër shkrim, SHP, që mund të jenë inicialet e Shpëtim Pashos.

Masakrim për vdekje, ndoshta mesazh? – E sigurt është që bëhet fjalë për vdekje të dhunshme për të dy, konfirmuar edhe nga mjeku ligjor. Të vrarë me shqelma, grushta, edhe të mbytur. Pastaj të copëtuar e të hedhur afër burgut të Solliccianos. E këtu del një nga pistat hetimore. Ndoshta është mesazh. Në atë burg, pikërisht në kohën e zhdukjes së çiftit shqiptar, ishte në arrest djali i tyre. Ishte arrestuar për zotërimin e 6 kileve marijuanë.

Kufomat e paketuara – Copat e trupave të dy viktimave ishin mbështjellë me najlon, qese dhe shirit adeziv, ndoshta për të ndaluar dekompozimin. Kufomat janë prerë pastër e futur në valixhe pak pas vdekjes, pastaj, bazuar në pozicionet në të cilat janë gjetur, janë hedhur ndoshta nga një makinë që ecte me shpejtësi të ulët. Në dy valixhe kishte ende edhe një lloj ambalazhi, i ngjashëm me thes. Të gjitha ishin mbuluar nga dheu e madje kishin hyrë edhe rrënjë bimësh, çka tregon që ishin atje prej kohësh, por ndoshta jo më tepër se dy vjet. Kjo për shkak se pronari i tokës ka bërë një pastrim të zonës dy vjet më parë. Gjithsesi, nuk përjashtohet që vdekja e tyre të jetë më e hershme.

Dhunë e tmerrshme kundër gruas – Autopsia e burrit ka nxjerrë si shkak të vdekjes therjen me thikë në fyt. Për gruan, ekzaminimi ka zbuluar se është rrahur brutalisht. Ka marrë goditje në fytyrë e kokë, ka frakturë të kockës hioide dhe të disa brinjëve.

Djali në arrati – Për karabinierët, djali i çiftit nuk dihet ku është që më 2016. Pasi përfundoi në burg për krime të lidhura me drogën, u la në arrest shtëpie në tetor 2016. 15 ditë më pas u arratis dhe nuk dihet ku është. Mbi të rëndon një dënim i pakryer ende prej 4 vitesh burg.

Vajza: Shpresoj të mos jenë ata – Vajza e çiftit, e cila banon në Castelfiorentino (Firence) e që në atë kohë kishte kontaktuar edhe programin Chi l'ha visto për zhdukjen e prindërve, thotë: ‘Kam folr me karabinierët dhe po pres përgjigje prej tyre, për të bërë testin e ADN-së. Nuk duhet të flas me asnjë gazetë deri sa të ketë konfirmime nga forcat e rendit. Kërkojmë qetësi, sepse as ne nuk e dimë nëse trupat e gjetur u përkasin atyre.

Kërkohet një valixhe e katërt – Hetime e karabinierëve të Firences vazhdojnë. Në valixhen e parë u gjet busti i një burri, në të dytën legeni dhe një këmbë që i përkasin trupit të një gruaje. Në të tretën ishte busti dhe një tjetër këmbë femre. Mungojnë pjesët e poshtme të burrit, ndaj po kërkohet një valixhe e katërt, edhe me ndihmën e njësisë së qenve të mbërritur nga karabinierët e Bolonjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat