Shqiponja shqiptare – Eriketa Kollçaku Qorlazja – Mësuese e Gjuhës Shqipe në Greqi, mëson shqip dhe trashëgiminë kultururore pa u lodhur

Diaspora

Shqiponja shqiptare – Eriketa Kollçaku Qorlazja – Mësuese e Gjuhës Shqipe në Greqi, mëson shqip dhe trashëgiminë kultururore pa u lodhur

Nga: Liliana Pere Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 08:58
Eriketa Kollçaku Qorlazja

Motivi i saj: ‘’Gjuha përbën identitetin e një kombi, një nga elementët më të rëndësishëm të kulturës dhe trashëgimisë së tij. Dashuria ime për gjuhën shqipe është si dashuria për nënën, ndaj e ndiej si një përgjegjësi, obligim përkushtimin t'u mësoj nxënësve shqiptarë gjuhën e tyre.”

Motivimi i Eriketës ka qënë përherë gjuha shqipe. Gjuha, përveçse mjet komunikimi, është edhe tregues i identitetit të një kombi. Pa gjuhën e vet, një komb vdes.

Mësimi dhe përçimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë është pasioni saj, i cili, atje në Athinë ku jeton ajo kthye në mision, në përgjegjësi, në detyrë, në ideal, nga ata të shenjtit për të cilin je i sigurt se ia vlen t'i kushtosh gjithë jetën.

Eriketa është vërtet një pasardhëse dinjitoze e Motrave Qirjazi në formimin e saj, në aktivitetin dhe vlerat e veta multi dimesionale si grua dhe mësuesemjaft e zellshme punëtore, e shkëlqyer.

E lindur dhe rritur në qytetin muze te Beratit që ne fëmijeri u edukua me ndjenjën e Atdhedashurise dijes dhe punës. Ajo është një grua e hijshme, simpatike, elegante ne trup dhe ne sjellje, e përgatitur, mësuese idealiste me sens patriotik që ruan dhe mëson gjuhën shqipe në një vend të huaj, Greqi, nxënësve të vegjël emigrantë, e mundohet, me të gjitha energjitë e saj pozitive e pa u lodhur. Eriketa rrjedh nga një familje intelektualësh. Ruan fort si karakteristika nga prindërit e saj, disiplinën në kryerjen e detyrës, performancën dhe saktësinë. Është për t’u admiruar vërtet puna dhe sjellja e saj. Krahët dhe syte e saj jane si të shqiponjës, që mban në cerdhen e saj fëmijet, shqiponjat e vogla, me portat e zemrës hapur dhe sytë plot shkëlqim që kqyr kujdeshëm nxënesit, fëmijët, për tu mësuar abc, gjuhën e nënës. Gjuha shqipe, gjuha e Naimit, qëndron mbi çdo gjë e bukur e ëmbël dhe plot vlerë, tipar themelor i identitetit tonë kombëtar. Eriketa Kollçaku Qorlazja është gjithashtu e pranishme e me një aktivitet të gjerë në organizime të ndryshme, nisma e takime zhvilluar në shtetin fqinjë si dhe disa seminare Mbarëkombëtarë të Gjuhës Shqipe të organizuara nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë.

Mirë se vini në bashkëbisedim, e nderuar mësuesja e palodhur Eriketa.

Ju falenderoj për ftesën dhe kënaqësinë që më jepni të bisedoj me ju, e dashur Liliana!

Pyetje Liliana: Më lejo të drejtohem me emrin Shqiponja shqiptare sepse ju shkon për shtat për të gjithe punën dhe perpjekjet tuaja, per integrim te plotë tuajin, dhe të gjuhes amtare ne Greqi.Impresionet nga bashkëbisedimi ynë janë të mëdha. Ju lutem, a mund të tregoni për mbarë bashkatdhetarët në Shqipëri dhe nëpër botë:

Kush është Shqiponja shqiptare Eriketa? Kush është familja? Çfarë arsimimi ka, profesioni ka? Kur jeni larguar nga Shqipëria dhe për cilat motive?

- Disa impresione pra, nga vendlindja juaj e dashur, familja juaj, mbështetja e saj për ju, mund të sillni në vëmendjen e publikut disa detaje.

Vij nga qyteti i Elbasanit, ku kreva studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi, Universiteti "A.Xhuvani".

Për 6 vjet, kam qenë mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në Elbasan, në vitet 1992-1998.

Sot jam Z/ kryetare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, me veprimtari të gjatë si mësuese e mësimit plotësues të gjuhës shqipe pranë Qendrës Kulturore "Shtëpia Shqiptare Porta" në Athinë, që prej 8 vjetësh; aktiviste në komunitetit shqiptar në Greqi për promovimin e vlerave kombëtare dhe ruajtjes së gjuhës shqipe tek fëmijët e lindur apo rritur jashtë atdheut; pjesëmarrëse në 5 seminaret mbarëkombëtare për mësuesit e diasporës në Shqipëri dhe Kosovë, pjesëmarrëse në seminaret vjetorë të Greqisë me mësuesit e gjuhës shqipe; korrektore letrare e një sërë librave të botuar, kryesisht nga autorë me banim në Athinë; korrektore letrare e antologjisë “Merr një varg dhe eja”, me krijime nga fëmijë shqiptarë të Diasporës; organizatore e një sërë programesh artistike-letrare për fëmijë me rastin e festave kombëtare, në vijim të përçimit të traditave dhe krenarisë kombëtare.

Quhem Eriketa Kollçaku Qorlazja.

Jam lindur në qytetin e Beratit, më 10 shtator 1969.

Rrjedh nga një familje intelektualësh, babai, Osmani, oficer ushtarak dhe nëna, Florie ekonomiste llogaritare.

Familja u plotësua me lindjen e tim vëllai, 8 vjet pas meje.

Vitet e fëmijërisë të qeta, mbushur me dashuri, ku prindërit, me kujdesin dhe përkushtimin për të mos na munguar asgjë, na edukuan të jemi njerëz të mirë, me dashuri për njëri-tjetrin, të sjellshëm e të papërtuar. Gjithashtu, nga prindërit kam marrë që herët dëshirën për dije e për të studiuar, që në moshë të vogël e rrethuar nga libra. Më kujtohen fjalët e tyre se të lexosh, të mësosh gjëra të reja, është si të hapësh çdo herë një dritare të re në botën e panjohur që pret ta zbulosh.

Si fëmijë kam qenë dhe vazhdoj të jem tip i heshtur, i mbyllur në vetvete, me botë të brendshme kureshtare dhe për gjithçka kisha të bëja një pyetje.

E lindur dhe rritur në një qytet muze, nga më karakteristikët për sa i përket vjetërsisë, historisë dhe bukurisë piktoreske, me kalanë e lashtë që mbretëron hijerëndë dhe historinë 2400 vjeçare, trashëgoj një krenari e cila më shoqëron deri sot për qytetin e Një Mbi Një Dritareve. Përballë Kalasë ngrihet Mangalemi, me lagjet dhe banorët autoktonë prej brezash. Kodrinat e mbushura me ullinj që rrethojnë si kurorë gjelbëroshe qytetin, lumi Osum që rrjedh i moçëm nën këmbët e tyre dhe në sfond, madhështor, mali i shenjtë i Tomorit, i mbuluar në çdo stinë me dëborë.

Ja, me këtë peizazh të qytetit piktoresk të Beratit u rrita dhe kalova fëmijërinë e adoleshencën, shqetësimet e moshës, formova personalitetin dhe u hodhën themelet e asaj çka jam sot. Vitet e shkollës 8 vjeçare, vendimtare për formimin tim gjuhësor dhe preferencën time në këtë lëndë.

Kujtoj këtu mësuesen time të pasionuar të gjuhës dhe letërsisë, të nderuarën Margarita Pasku, të cilën e gjeta pas shumë kohësh dhe përherë i jam mirënjohëse për durimin dhe përkujdesjen që tregonte për ne; si dhe të gjithë mësuesve të palodhur që ndikuan dhe ndihmuan në arsimimin e gjithanshëm të brezit tim.

Dua të përmend edhe vitet e gjimnazit, shumë të rëndësishëm për të ardhmen e çdo të riu, sepse nga rezultatet e nxjerra do të vendosej profesioni në jetën në vazhdim. Njëkohësisht qenë vite stresuese dhe ankthi për të arritur mesataren e nevojshme që do të hapte dyert për studimet e larta. Kujtoj veten kryesisht duke lexuar orë të tëra, pothuajse vazhdimisht, kiminë e fizikën, sepse nuk para i kuptoja lehtë dhe duhej shumë përpjekje; letërsinë e historinë sepse ishin talenti, dashuria dhe përkushtimi im personal. Të vetmen gjë që doja të bëja ishte të mbyllesha me orë të tëra në bibliotekën e qytetit e të lexoja veprat e Rilindësve tanë, romane klasike të autorëve të huaj apo të gjeja materiale plotësuese për mësimin e ditës në letërsi. Patjetër, përpjekjet u shpërblyen. Rezultate të shkëlqyera në letërsi dhe hartime, të cilat lexoheshin pothuajse çdo herë para klasës.

Në viti 1988 u largova përgjithmonë nga Berati, qyteti i lindjes për shkak të nisjes së studimeve në Universitetin “A.Xhuvani” për gjuhë-letërsi, në Elbasan.

Këtu fillon një fazë e re në jetën time, ajo studentore, shoqëri e re dhe njohje të reja si dhe një lidhje e ngushtë shpirtërore me qytetin e dytë të zemrës, Elbasanin.

Tashmë isha larg familjes dhe kujdesit prindëror dhe për shumë gjëra duhet të merrja vetë vendimet. Përsëri lexim, studim, leksione dhe sezone provimesh. Jeta studentore ishte e bukur sepse tashmë kishim pavarësinë që ëndërronim kaq shumë, por njëkohësisht ndjenja e përgjegjësisë e lartë për rezultatet e duhura dhe një sjellje që rrezatonte moral shembull, duke mos zhgënjyer prindërit tanë për besimin e dhënë.

Cilësova pak më lart Elbasanin si qytetin e dytë të zemrës për disa arsye.

Karakteristikat e urbanistikës, historia e lashtë më çmallnin dhe zbutnin mallin për vendlindjen, gjithashtu se Elbasani më bëri në njëfarë mënyre bijën e tij, aty krijova familjen time të re, provova ndjenjën e papërsëritshme të të qenit nënë dhe realizoi e plotësoi ëndrrën time të ushtrimit të profesionit të nderuar të mësueses.

.....

4 vjet më vonë, pra në 1992, pasi përfundova me sukses dhe rezultate tejet të kënaqshme universitetin, u emërova mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën 8-vjeçare në Gostimë, një fshat afër qytetit.

Siç kam përmendur në një intervistë të hershme timen, në kontaktin e parë me nxënësit si mësuese e klasës së pestë, ngazëllimi që pushtoi të dyja palët, kureshtja e gërshetuar me ndrojtjen dhe një dritë gëzimi në sytë e tyre më bënë të ndihem e privilegjuar, të kuptoj rëndësinë e asaj për të cilën kisha ardhur e qëndroja para tyre. E tek fillova të shqiptoja fjalët e mësimit të parë, një mendim kristalizohej në mendjen time; e pra kjo është ajo që dua të bëj në jetë, sot e në të ardhmen.

6 vitet që pasuan qenë përvojë, kujtime, pengesa, lodhje, kënaqësi, pjekje dhe plotësim në nivel personal dhe profesional.

Në të gjitha këto gjëra të mira që më ndodhnin, gjithmonë pranë bashkëshorti im me të cilin lidha jetën dhe u bë mbështetja ime kryesore, dora që më ngrinte sa herë që bija, forca shtytëse kur ndihesha e dobët.

Vitet ‘97 na gjetën, si të gjithë shqiptarët dhe vetë Shqipërinë, në udhëkryqin e një gjendjeje të trazuar, ku gabimet e sistemit politik sollën destabilizim e për pasojë largimin nga dheu mëmë i pjesës së mbetur që kishte qëndruar, por që tashmë i ishte e pamundur.

Trysnia e problemeve ekonomike dhe pasiguria për jetën, nën fishkëllimën e plumbave e detyroi edhe familjen time të largohej për në Greqi.

Për pak, sa të stabilizohet gjendja.

Megjithëse në këto raste, ikjes i dihet, kurse kthimit jo.

Image

Pyetje Liliana: E dashur Eriketa, megjithëse kanë kaluar shumë vite, ju nuk harroni të ktheni koken pas dhe me zemrën copë kujton lotët e nënës, me shumë trishtim e mall ditën e ndarjes kur do të niseshit drejt Greqisë. Flisni pak për vështirësitë e te drejtat e qytetarise, ato ekonomike dhe në plane te tjera, vitet e para që u prisnin, aty?

Kujtoj përherë mallëngjimin në sytë e lagur të prindërve kur u thamë vendimin për t'u larguar, sikur e ndienin që nuk do të ktheheshim më. E pastaj kur erdhi dita, merakun e tyre të madh që mundoheshin ta fshihnin.

Qe muaji gusht, e ndërsa njerëzit kalonin pushimet verore nëpër plazhe, ne morëm rrugën e pasigurisë, pa ditur ku shkonim e ç'na priste.

Shqetësimi dhe ankthi që kishim deri në momentin kur autobusi kaloi kufirin më kaplon dhe tani kur e kujtoj, thua se ishim të ndjekur nga ligji për diçka të keqe që kishim bërë. Gjithashtu kam para syve tek shihja peizazhet e fundit të atdheut para largimit, sikur doja ti sistemoja në mendje e t'i shihja sa herë që do më digjte malli për t'i parë.

Vitet e para të ardhjes në Greqi, në Athinë, ishin të vështira.

Nga njëra anë ndarja me njerëzit e mi dhe miqtë e shoqëria e nga ana tjetër gjetja në një realitet të panjohur, si nga gjuha e nga mënyra e jetesës që u kthye në përpjekje për mbijetesë. Më e rëndësishmja ishte se zgjodhëm të vazhdojmë jetën në një vend ku botëkuptimi dhe mendimi për emigrantët linte për të dëshiruar.

Ndoshta populli grek nuk ishte përgatitur për të pritur një numër kaq të madh emigrantësh dhe në një kohë kaq të shkurtër.

Kishim shumë çështje për të përballuar si familje dhe unë si ERIKETA. Gjetja e punës, përshtatja me mentalitetin e njerëzve, mësimi i gjuhës, rritja e fëmijës, pajisja me lejet e qëndrimit. Gjërat nuk erdhën aq lehtë sa mendonim dhe nuk e fsheh, disa herë menduam të ktheheshim mbrapsht. Puna e lodhshme fizike si pastruese në një familje greke më merrte pjesën më të madhe të ditës dhe pjesa tjetër kujdesi për familjen. Ushqimi im shpirtëror ishte ndonjë libër i rënë rastësisht në dorë dhe më vonë ndonjë udhëtim i shkurtër kur na jepej mundësia. Nuk ndryshoi asgjë edhe pse gjuhën greke e përvetësova në më pak se 1 vit. Por ajo që edhe sot e mendoj është se nuk mjafton vetëm dëshira për një jetë më të qetë, të sigurt e cilësore, duhet të gjesh në vendin pritës mbështetjen ligjore, politike dhe shoqërore që të ndihesh qytetar me të drejta të barabarta i saj dhe në këtë drejtim Greqia ka akoma shumë për të bërë. Shpesh i them vetes se çfarë do të kishte ndodhur sot nëse nuk do të kishim emigruar në 1998-ën në Greqi.

Mbaj mend se në vitin e fundit para se të shpërnguleshim në Athinë isha emëruar si nëndrejtoreshë e shkollës ku punoja.

Pyetje Liliana: Ju, Eriketa, i jeni përkushtuar mësimit të gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve. Është dashuria, pasioni për profesionin, është kthyer tashmë në një qëllim e obligim atdhetar jete? Na tregoni të lutem me detaje për aktivitetin tuaj,si filloi,pergatitja, besimi dhe ringritja, si mbërritët deri këtu, Mesuese e spikatur e shkelqyer, anëtare e Kryesisë dhe e KD të LMSHG-së. zëvendëskryetare e Lidhjes së Mësuesve në Greqim, dhe përgatitja jote intelektuale, kur e mbrojtet gjuhën greke zyrtarisht?

Në vitin 2013, krejt rastësisht, mësova se në Qendrën Shqiptare Porta në Athinë, sot Shtëpia Shqiptare Porta, në të cilën ndiqja studimet e gjuhës angleze, ishin hapur dhe kurse të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë. Akoma e mbaj mend reagimin tim. Ndjenja të tilla si ngazëllimi dhe një farë gjallërie, besimi dhe rilindje kisha kohë pa i provuar.

Menjëherë bëra kërkesën dhe nuk kaloi shumë kohë nga emërimi im si një nga 4 mësueset e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe pranë Porta Shqiptare.

Kuptova se deri në atë kohë kisha qenë gjysmë. Kisha mbytur thellë brenda vetes sensin si është të punosh me fëmijët e të ëndërrosh bashkë me ta.

Që në atë moment të dielat e mia ua kushtova atyre, bashkë me mendimet e tërë javës për ta bërë më të frytshëm mësimin dhe deri sa të mundem këtë do të bëj.

Në 2015 mbrojta gjuhën greke në Universitetin Kapodistria.

Seminaret e organizuara për trajnimin e mësuesve në mërgatë luajtën rol të pazëvendësueshëm.

Në maj 2014, pjesëmarrëse në seminarin vjetor të MPGjSh në Greqi, mbajtur në universitetin Pandio në Athinë.

Në gusht 2014, pjesëmarrëse në seminarin mbarëkombëtar të gjuhës shqipe në Diasporë, në Pejë, organizuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Në maj 2015, pjesëmarrëse në seminarin vjetor të mësuesve të Greqisë mbajtur në Kalabakë.

Në gusht 2015, pjesëmarrëse në seminarin mbarëkombëtar të gjuhës shqipe mbajtur në Shkodër, organizuar nga MA e Shqipërisë.

Në maj 2016, pjesëmarrëse në seminarin vjetor të mësuesve të Greqisë, mbajtur në Selanik.

Në gusht 2016, pjesëmarrëse në seminarin ndërkombëtar të gjuhës shqipe, mbajtur në Gjakovë.

Në maj 2017, pjesëmarrëse në seminarin vjetor të mësuesve të Greqisë, mbajtur në Athinë.

Në gusht 2017, pjesëmarrëse në seminarin vjetor të mësuesve të Greqisë, mbajtur në Tiranë.

Në maj të 2018, pjesëmarrëse në seminarin vjetor të mësuesve të Greqisë mbajtur në Athinë.

Në gusht të 2018, pjesëmarrëse në seminarin mbarëkombëtar të mbajtur në Prizren.

Për shkak të pandemisë, këto seminare janë pezulluar. Së bashku me fëmijët organizojmë festat kombëtare dhe të tjera si festat e 28-29 Nëntorit, Përkujtimit të Datëlindjes së Skënderbeut, Pavarsisë së Kosovës, festimi i 7-8 Marsit dhe Festa e Abetares në mbylljen e vitit skollor.

Gjithashtu zhvillohet konkursi dijeve Kuizi i Diturisë.

Përherë më ka pëlqyer të mos mjaftohem në gjithçka di por të evoluoj e të mësoj çdo herë diçka të re. Pas anglishtes, të cilën e rikujtova dhe përmirësova në mësimet shtesë, i vura vetes si qëllim mësimin e gjermanishtes, të cilën e kisha mësuar pak gjatë kohës që studioja me djalin për mësimet e tij shkollore.

Ndaj, në vitin 2018, u ula sërish në bankat e shkollës edhe si nxënëse dhe mora diplomën për nivelin A dhe në 2019 u kurorëzova me atë të nivelit B.

Vitet e fundit jam marrë vazhdimisht edhe me korrektimin letrar të librave të ndryshëm, si dhe të Antologjisë me krijime në prozë e poezi nga fëmijë shqiptarë të Diasporës.

Që prej 4 vitesh jam anëtarë e Kryesisë dhe e KD të LMSHG-së.

Në vitin 2021, jam zgjedhur zëvendëskryetare e Lidhjes së Mësuesve në Greqi.

Pyetje Liliana: Cilat janë lidhjet tuaja me Shqipërinë? Si mësuese ju shquheni për përpjekjet për ta ngritur mësimin e gjuhës shqipe në nivel te larte me devotshmëri, më tej ju lutemi përshkruani pak bashkëpunimin me institucionet dhe arsimin shqiptar. Sa ishte i rëndesishem Aplikimi për regjistrimin e mësuesve të MPGj Shqipe në regjistrin themeltar të ministrisë së arsimit dhe së fundi u realizua botimi i librit të unifikuar për të gjithë fëmijët në mërgatë që ka titullin "Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1. Sa jeni ndjerë afër Atdheut nën kujdesin e institucioneve tona të arsimit dhe culturës ? Gjithashtu dhe kujdesin e Përfaqësisë tonë Diplomatike në Athinë.

Lidhjet me vendin tim do doja t'i krahasoja me ato të një nëne me fëmijën e saj. Unë jam bijë shqiptare dhe kjo nuk ka për të ndryshuar kurrë, kudo që të shkoj dhe në cilindo vend të zgjedh të jetoj, mëmën time Shqipërinë e kam brenda vetes. Shqipëria është një identitet që e veshim dhe e jetojmë gjithë kohës. Vendosëm për të ardhur në Greqi vetëm për një vit, pa e menduar kurrë se do bëheshin 23. Largësia jo vetëm që nuk shoi lidhjen, por përkundrazi, e forcoi atë. Kur jeton larg atdheut tënd i sheh gjërat ndryshe dhe të dridhet zemra sa herë që të vjen në mend. Malli, dhembshuria për vendin dhe njerëzit, padurimi për ta vizituar, dhimbja për lajmet jo të gëzuara dhe krenaria për arritjet janë shoqërues në jetën time. Sa herë që kthehem për të parë prindërit, kuptoj se sa më ka munguar dhe sa desha të jem aty, bëj ç'është e mundur që një pjesë të pushimeve t’i kaloj në vendin tim, kështu ndihmojmë dhe në promovimin e turizmit dhe të mrekullive të natyrës shqiptare. Seminaret me mësuesit janë një tjetër mundësi e mirë për të mbajtur lidhjet. Presim me padurim të mblidhemi e të vizitojmë vende historikë që nuk kemi parë, të njohim qytetet tona që kaq bukur kanë ndryshuar dhe krenohemi që Shqipëria po ecën me hapa gjigantë drejt Evropës.

Nuk mund të flasim për suksese e rezultate të mësimit e përhapjes së gjuhës shqipe në Greqi e mbarë Diasporën pa përmendur ndihmën, sidomos pas viteve 2015, të organizmave dhe institucioneve përkatëse nga Shqipëria dhe Kosova. Ndër më të rëndësishmit ishin organizimi çdo vit në muajin gusht i seminareve mbarëkombëtare me mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga e gjithë Diaspora, me qëllim primar njohjen e vendosjen e lidhjeve të mësuesve nga e gjithë bota me njëri-tjetrin, inkurajimin dhe shkëmbimin e përvojave nëpërmjet temave të trajtuara apo shembuj orësh mësimi. Gjithashtu, do të përmendja krijimin e Ministrisë së Diasporës si urë lidhëse dhe ndihmë për problemet e shqiptarëve jashtë atdheut dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën, e cila bën të mundur botimin e teksteve shkollore, jashtëshkollore, burimeve digjitale dhe dhënien e tyre falas në gjithë Diasporën ku mësohet e flitet shqip, me qëllim përkrahjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës shqipe, kulturës së prejardhjes dhe njohjen me thesarin natyror, kulturor, gjeografik e historik kombëtar shqiptar. Në vitin 2016 u mbajt Samiti i Parë i Diasporës, ku LMSh të Greqisë u nderua me çmimin "Shqiponja e artë". Ndërkohë, çdo vit kemi ekskursionet e organizuara me fëmijët shqiptarë të Diasporës, kryesisht nga Ministria e Kosovës, me qëllim njohjen me trevat shqiptare, zakonet, ritet, traditat e folklorin tonë.

Kohët e fundit u ndërmor promovimi i të gjithë mësuesve të gjuhës shqipe në Diasporë. Aplikimi për regjistrimin e mësuesve të MPGj Shqipe në regjistrin themeltar të ministrisë së arsimit dhe së fundi u realizua botimi i librit të unifikuar për të gjithë fëmijët në mërgatë që ka titullin "Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1". Me kënaqësi do të doja të shtoja edhe aktivitete të ndryshme. Do kujtoja në 2019-ën që gjithashtu patëm një bashkëpunim me gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, në kuadrin e nismës së shkollave të Shqipërisë "Një abetare për Diasporën". Fëmijët e Tiranës u dhuruan abetare dhe libra jashtëshkollorë në shqip fëmijëve të Athinës, një veprim sa i vlefshëm aq dhe simbolik.

E nderuar që u ftova të marr pjesë në 60-vjetorin e hapjes së kësaj shkolle historike, nga bankat e së cilës kanë dalë figura e personalitete të rëndësishme të jetës politike, shkencore dhe artit. Si edhe jetova e përjetova emocionet e të gjithë stafit të mësuesve dhe nxënësve me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës, të gjimnazit model me Urdhrin e Kalorësit të Flamurit.

Do desha të përmendja edhe Përfaqësinë tonë Diplomatike në Athinë, pasi në përpjekjet tona është bashkëpunëtor besnik. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, me Ambasadoren, znj. Luela Hajdaraga, e cila ka kthyer ambientet e Ambasadës në shtëpinë e promovimit të vlerave dhe krenarisë, që bashkë me Oficeren Koordinative për Diasporën, Joneda Dodaj, ka qenë përherë pranë nesh dhe trualli ku secili nga ne gjen në aktivitetet e shumta një pjesë të vetes dhe një copëz zemre shqiptare.

Pyetje Liliana: E dashur Eriketa: Përpjekjet e bëra për integrimin e gjuhës shqipe teksa fëmijët mësojnë në sistemin arsimor grek, nga ana juaj janë absolutisht të mëdha. Mendoni se ndikimi i njërës gjuhë tek tjetra i ndihmon nxënësit bilingual te jene me te zhvilluar me me shume kuriozitet dhe aftësi asimilimi mendor? Këtë rradhë duke e parë në këndveshtrimin e përgjithshem zv/kryetare e Lidhjes se arsimtarëve në Greqi?

Patjetër që ndikojnë tek njëra-tjetra dhe mësimi i shqipes edhe i greqishtes, në rastin e komunitetit tonë, si dhe i çdo gjuhe tjetër vendase kudo ku jetojnë shqiptarët jashtë atdheut, tek fëmijët ka vetëm benefite.

Shkencëtarët thonë se mësimi nga fëmijët i më tepër se një gjuhe ndihmon dhe aspektet e tjera të zhvillimit mendor të tyre. Sigurisht, duhet të kemi parasysh se mësimi i gjuhës shqipe tek të vegjlit shqiptarë në Greqi ka specifikën e vet. Për këta vogëlushë gjuha e parë është ajo e vendit pritës, pra greqishtja, ndërsa shqipja si gjuhë e dytë.

Gjuha shqipe dhe gjuha greke kanë struktura dhe sisteme të ndryshme shprehjeje, kjo nxit te të vegjlit një fleksibilitet mendor që do ta ndihmojë në jetë dhe më vonë për zgjidhje më rezultative të problemeve, pasi ai ekspozohet në mënyra të ndryshme komunikimi dhe të shprehuri.

Është vërtetuar se nxënësit bilingual janë më të predispozuar të jenë më kureshtarë dhe mendje-hapur, të gatshëm për të zbuluar kulturën e vendit të gjuhës që mësojnë. Ata kanë të zhvilluar mendimin kritik, elasticitet të kujtesës dhe kanë mundësi më të mëdha të komunikojnë, të udhëtojnë më me lehtësi, kanë aftësi të krahasojnë dhe të arrijnë më shpejt në përfundime.

Njëherazi, mësimi dhe përvetësimi i të dyja gjuhëve në botën e sotme është thesar, pasuri dhe mund t’i ndihmojë fëmijët tanë në vazhdimin e jetës si të rritur, me mundësi më të mira për karrierë profesionale.

Pyetje Liliana: Si mendoni, a është faktor edukimi ndërkulturor gjuha shqipe dhe a konsiderohet si një mjet i përshtatshëm për nxitjen e tolerancës, paqes dhe vetëdijes kulturore, si nje gjuhe e lashtë veçanërisht kur flasim për komunitete shumë-kulturore?

Të jetosh në një komunitet shumë-kulturor do të thotë të jetosh me njerëz të kombësive të ndryshme, të flasësh gjuhë tjetër dhe të kesh kulturë jo të njëjtë.

Padyshim, jetesa në të njëjtin vend, në të njëjtën bashkësi i bën detyrimisht njerëzit e kombësive të ndryshme të përzihen mes tyre, të fillojnë të mësojnë fjalë nga gjuhët e njëri-tjetrit, dhe nga marrëdhëniet mes tyre të respektojnë traditat, zakonet e kulturat përkatëse.

Në thelb nuk ka dallime midis tyre, kanë të njëjtat ëndrra dhe shpresa, ballafaqohen me të njëjtat vështirësi e pengesa të përditshme. Dhe vetëm kur njerëzit gjejnë opinione dhe interesa të përbashkëta me ata që perceptohen si "tjetri", atëherë, mund të ndryshojë dhe të menduarit "ne kundër tyre".

Të mësosh dhe të zotërosh gjuhën e origjinës, në rastin tonë gjuhën shqipe, të jesh krenar për të dhe ta promovosh me respekt e nderim është parësore tek fëmijët që jetojnë në komunitete jashtë atdheut, është e drejtë e tyre. Nga ana tjetër, e rëndësishme është dhe të tregojë interes për gjuhët dhe kulturat e tjera përbërëse të tij.

Kështu, fëmija edukohet me ndjenjën e paqes, tolerancës, sheh çdo gjë që nuk është shqiptare me sy miqësor dhe respekton rregullat e një shoqërie të përbashkët me shumë kultura.

Pyetje Liliana: Sa e vështirë ka qenë rruga juaj kur kthen kokën pas dhe kujton. Sa sadisfaksion keni në shpirtin tuaj kur dëgjoni, shikoni brezin që rritet me kulturën shqipe, veshjet popullore shqiptare, përvojën mbresëlënëse teksa fëmijët, flasin, këndojnë dhe hedhin valle nën ritmet e muzikës popullore shqiptare, kur hapet Porta Shqiptare shkollës tuaj dhe tingëllojne zerat e femijeve, si cicërima zogjsh ne gjuhën Shqipe?

Po, është e vërtetë, rruga ka qenë plot vështirësi e pengesa, por entuziazmi nuk më lë të ngelem aty. Ajo që mbetet është puna e mirë që kemi bërë.

Veçse të shikoni atmosferën që mbizotëron në kurset tona ditët e festave, buçet kënga e melodia shqiptare mbush sallat tona tek bëjmë provën dhe mësojmë hapat e valleve popullore. Ndihmë e pandarë dhe mbështetje kanë qenë prindërit e fëmijëve, të cilët bëjnë ç'është e mundur të jenë pranë nesh në çdo festë a aktivitet.

Tek sheh këto nuk ka pengesë që të ndal, as lodhje, as mërzi. Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe e Shqipërisë mbarë, shpresa e agimit të ditëve më të bukura edhe këtu larg atdheut, në copëzën e vogël të Shqipërisë që kemi sjellë me vete, të gjithë bashkë bëhemi një, bashkë për një ideal të shenjtë: Shqiptarizmin.

Pyetje Liliana: Ju jeni grua intelektuele me nje nivel te admirueshëm me shume kërkesa për vehten, dhe në të mire të Atdheut.Jeni e afirmuar dhe me një emër të mirë për punën tuaj, në një kryeqytet si Athina si mësuese e Gjuhës Shqipe. A mundesh të përshkruash nostalgjine e Eriketës për Shqipërinë dhe cilat janë projektet e saj të afërta?

E pashmangshme është ndjenja e nostalgjisë për momente të përjetuara gjatë jetës, të cilat vijnë e rivijnë në mendjen time të shoqëruara me emocione.

Nostalgji për prindërit, të afërmit, shoqërinë e vërtetë, pamje nga qyteti, aroma e mirë e një gatimi, kujtime nga bankat e shkollës, një këngë që lidhet me një moment intim.

Projektet për të ardhmen të shumta e të ndryshme: kam në dorë libra të disa autorëve të cilat i përgatis para se të hidhen për shtyp, meqenëse puna me librin si korrektore letrare është angazhimi im i dytë e i rëndësishëm, i cili ka gjithashtu lidhje direkte me lartësimin deri në qiell të vendit tim, të krenarisë kombëtare që gjuha e bekuar të mbetet e pastër, e kulluar. Kjo, krahas mësimit të gjuhës shqipe me nxënësit për të cilën jam krenare dhe më kënaq pa masë. Është diçka që më pëlqen shumë, sepse ndihmoj që gjuha jonë të shkruhet drejt, pa gabime dhe mendoj se është detyrë e të gjithëve dhe sidomos e jona, që kemi lidhje të drejtpërdrejtë me të, ta ruajmë të pastër, të lirë nga huazimet e panevojshme dhe të drejtëshkruar e ta përcjellim si të tillë tek pasardhësit tanë të vegjël.

Përveç kësaj, kemi para përgatitjen e Antologjisë nr. 2 “Merr një varg dhe eja”, ku ashtu si dhe tek Edicioni i Parë isha me disa role, si mësuese pjesëmarrëse me krijimet e nxënësve të mi, si edhe pjesëtare e redaksisë së antologjisë.

Njëkohësisht, planifikojmë të realizojmë disa programe artistike me nxënësit për festat kombëtare që janë në prag e kanë për qëllim edukimin me atdhedashuri dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Si dhe data të tjera të shënuara e aktivitete vënë në jetë me koleget e mia të shkollës Alma Zekollari, Kristina Roshi e Renata Pëllumbi Durro, si dhe me të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe në Athinë, Greqisë e Diasporës; gjithashtu në bashkëpunime të ndryshme me Ambasadën tonë këtu në Athinë, të projekteve në lidhje me fëmijët dhe gjuhën shqipe si konkurse vizatimi, poezie, ekspozita etj.

Si zv/kryetare e Lidhjes, së bashku me kolegët e Kryesisë kemi për detyrë ta çojmë shoqatën më përpara, duke shtuar radhët tona me mësues dhe bankat e kurseve të shqipes t’i mbushim me sa më shumë vogëlushë shqiptarë, të sigurojmë funksionimin normal të LMShG-së dhe forcimin e urave të bashkëpunimit me vendin amë.

Image

Pyetje Liliana: Çfarë cilësish të tjera të çmuara shikon në temperamentin e saj dinamik, të fortë dhe elokuent, Eriketa, përveç investimit pa kushte tek njerëzit? Çfarë preferon më shumë në jetë? Çfarë është jashtë preferencave tuaja?

Mundohem që në jetë të marr më të mirën, nga të gjithë e nga gjithçka, të rrezatoj kulturën e marrë nga prindërit e mi dhe nga njerëz që kanë luajtur rol të mirë në jetën time.

Të qenit nënë më bën të jem e përkushtuar dhe ta bëj me kënaqësi këtë rol, me kujdes, me përgjegjësi, sepse dëshiroj t'i dorëzoj shoqërisë një krijesë të denjë. Mendoj se në qoftë se secili prej nesh kryen kështu atëherë kemi arritur të krijojmë një botë ideale. Ajo që quhet botë nuk është diçka larg e jashtë nesh, bota jemi ne me veprimet tona, pra ne e kemi në dorë ta rregullojmë e ta bëjmë më të mirë. Unë nuk shoh veten të ndarë nga tërësia e shoqërisë, e si pasojë, duke bërë më të mirën për veten kam bërë më të mirën për të gjithë.

Preferencat e mia?

Deri para disa vitesh do të thosha të flas për letërsinë, të lexoj, të udhëtoj. Sot them të gjitha këto e duke jetuar me patos, sikur të ishte dita e fundit e jetës.

Me jo preferencat kam parasysh çdo gjë që është jashtë meje e jetës sime, që nuk është preferenca ime, që më mërzit e më streson dhe me të cilat kam kohë që nuk merrem më.

Pyetje Liliana: Cili është raporti që ju keni me veten, profesionin dhe komunitetin e gruas që të rrethon? A ruan një ekuilibër midis vetes, kohës për familjen, profesionin, shoqërinë dhe komunitetin shqiptar?

Në gjithë procesin e asaj që quhet veprimtari e aktivitet i përditshëm, primare për mua ka qenë përpjekja për të qenë njeri i mirë, pozitiv, me cilësi e vlera të larta, e aftë për të zënë vendin e duhur në shoqëri.

Dëshirë kjo sa e drejtë, aq dhe e vështirë për t'u realizuar tërësisht. Suksesi, mendoj unë, është te këmbëngulja me të cilën provon dikush të ketë relata të mira me veten, në mënyrë sistematike dhe tolerancë, si nga aspekti fizik, pamja e jashtme por dhe ai shpirtëror e mendor.

Njëkohësisht, si qënie shoqërore nuk jetojmë vetëm. Kemi përgjegjësi, role, detyra e qëllime të cilat përpiqemi t’i përmbushim sa më mirë, me pozitivitet e rezultat.

Dhe, për të arritur këtë është me rëndësi të ruash një raport të drejtë midis të gjitha roleve që të janë dhënë në jetë. Kam qenë me fat dhe kam punuar për këto raporte si grua, si bijë, bashkëshorte, nënë, mësuese, motër, shoqe e të tjera përgjegjësi, sepse duke dhënë rëndësinë e peshën e duhur në secilën nga këto aspekte ke arritur ekuilibrin, që është edhe çelësi i suksesit. Këtu, mendoj se rëndësi ka këmbëngulja dhe jo rezultati i plotë, që shumë herë është vështirë të arrihet.

Me veten time nuk jam asnjëherë e kënaqur plotësisht, përherë kërkoj të arrij më tepër. Ama, jam mirënjohëse për arritjet e deritanishme, për familjen time, shoqërinë e krijuar, respektin që gëzoj në komunitetin shqiptar si mësuese dhe në fushën sociale.

Komuniteti ynë pret nga secili nga ne ndihmën tonë, ku kemi aftësi e mundësi. E them këtë sepse unë e shoh si ndihmë përkushtimin tim në këtë drejtim dhe nuk jam kursyer sa herë që më është kërkuar.

E dashur Eriketa, ju faleminderit për bisedën dhe gjithshka qe bëni ne te mire te Atdheut për mesimin e Gjuhës Shqipe dhe ruajtjes se traditave tona.

Zonja Liliana, ndihem e nderuar për interesimin që treguat për jetën e veprimtarinë time.

Siç e kam shprehur edhe herë tjetër desha, t’ju përgëzoj për paraqitjen dhe ngritjen lart të figurës së gruas shqiptare në botë, të gruas së suksesshme me tërë përpjekjet e saj, model për bashkatdhetarët kudo në botë.

Ju faleminderit juve Eriketa mësuesja e dashur shembullore.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat