Orë e historisë me nxënësit shqiptarë në Muzeun botëror të Vienës

Diaspora

Orë e historisë me nxënësit shqiptarë në Muzeun botëror të Vienës

Nga: Osman Ademi – mësues në Vjenë, Austri Më: 17 maj 2022 Në ora: 23:41
Fotografi e përbashkët në përmbyllje të orës historike.

Me rastin e 6 Majit, ditëlindjes së kryeheroit tonë kombëtar Gjergj kastriotit- Skënderbeut, SHMSH „Naim Frashëri“ në Austri organizoi një vizitë së bashku me nxënës dhe prindërit e tyre në „Weltmuseum Wien“, aty ku me shekuj ruhen Përkrenarja dhe Shpata e Skënderbeut! Pikëtakimi ishte në „Heldenplatz“, para platosë së muzeut. Edhe pse ditë pushimi, në një mot të bukur me diell sheshi gumëzhinte nga turistët e shumtë, që në Vjenë nuk mungojnë asnjëherë, por e veçanta e kësaj dite ishte se në shesh kishin filluar të vijnë nxënësit shqiptarë së bashku me prindërit e tyre.

Të buzëqeshur dhe të rreshtuar, të prirë nga mësueset Miradije Berishaj, Antigone Elshani, Merita Ismaili dhe mësuesi Osman Ademi nxënësit arritën në katin e dytë të pallatit të veshur me mermer, deri te salla madhështore ku në ballë eshtë vendosur Shpata e dhe Përkrenarja Gjergj Kastriotit-Skenderbeu!

Image
Përkrenarja dhe Shpata e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në „Weltmuseum“ në Vjenë.

Në fillim nxënësit i përshëndeti mësuesja Antigona Elshani Kryetare e SHMSH „Naim Frashëri“, ndërsa për jetën, veprën dhe historinë e Skënderbeut foli mësuesi Osman Ademi.

Ai bashkëbisedimin e filloi me nxënës ashtu si në orën e mësimit, duke i pytur nxënësit: E dini se kush ishte Gjergj Kastrioti- Skënderbeu? Kur ishte lindur? Kur ishte detyruar të shkoj në shërbim të sulltanit? Kur ishte kthyer në Shqipëri? Si e priti populli kthimin e tij? Cila ishte porasia e fundit e tij? Kur kishte vdekur? Shumica e nxënësve dhanë përgjigje të sakta. Pasi mori disa përgjigje nga nxënësit mësuesi filloi të flas për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut dhe luftën heroike të popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij, për një çerek shekulli. Ndër të tjera ai tha se të gjithë ne, që po i shohim sot armët e tij, po e ndjejmë afërsinë e tij, po bashkëjetojmë më të dhe po ndihemi krenarë për heroizmin e tij. Këto simbole historike po na këthejnë në kohën e Skënderbeut, ndërsa Skënderbeun në kohën tonë. „Sot, në këtë muze, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja u bënë bashkë“, tha mes tjerash mësuesi.

Në vazhdim ai foli për rrugëtimin e armëve të Skënderbeut deri në Muzeun e Vjenës! Interesimi i nxënësve dhe i prindërve për të mësuar sa më shumë për Skënderbeun ishte i madh. Kjo u pa nga pyetjet që ju bënë mësuesit.

Nga kjo orë mësimore për Historinë tonë kombëtare, e cila ka filluar të bëhet tradicionale, fituan njohuri të reja të pranishmit (jo vetëm nxënësit, por edhe një pjesë e prindërve), të cilët falënderuan mësuesit për angazhimin e tyre që fëmijët e tyre të flasin dhe të shkruajnë dhe ta njohin sa më shumë gjuhën dhe kulturën shqitpare.

PS. Ky aktivitet u zhvillua me 14 Maj 2022.

Osman Ademi – mësues në Vjenë, Austri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat