Masakra me 3 shqiptarë të vrarë në Athinë, policia greke jep detajet: Si ndodhi përplasja me armë - në pyetje janë marrë 5 persona

Diaspora

Masakra me 3 shqiptarë të vrarë në Athinë, policia greke jep detajet: Si ndodhi përplasja me armë - në pyetje janë marrë 5 persona

Më: 3 korrik 2022 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Policia greke ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në Athinë, ku si pasojë 3 shtetas shqiptarë janë vrarë në një përplasje me armë zjarri.

Sipas policisë, viktimat janë të moshës 48, 46 dhe 23 vjeç, ndërsa është arrestuar një grua 43 vjeçare, ndërsa janë plagosur edhe dy efektivë policie.

Mësohet se personi që ka hapur zjarr në Greqi njihej si Andon Tefi 48 vjeç, i cili më pas edhe është vrarë nga policia.

“Mbrëmjen e djeshme në zonën e Patisias, një shtetas 48-vjeçar duke drejtuar një makinë, me pasagjere një shtetase 43-vjeçare, ka qëlluar me armë në drejtim të një grupi personash duke goditur me makinë edhe njërin prej tyre, 23 vjeç. Më pas shtetasja 43-vjeçare ka marre drejtimin e mjetit duke goditur sërish 23-vjeçarin, ndërsa 48 vjeçari është arratisur në këmbë dhe nën kërcënimin e armës, i ka marrë makinën një personi që kalonte aty dhe është nisur drejt zonës së Axarnin”, thotë policia.

Më pas, ai ka hyrë në një dyqan të kujdesit shëndetësor dhe i ka marrë me armë pronarit një shumë parash. Duke dalë nga dyqani, ai është pikasur nga oficerët e policisë, të cilët kanë tentuar ta kontrollojnë.

48-vjeçari në sy të policëve ka qëlluar drejt tyre duke plagosur njërin në gjoks dhe këmbë dhe tjetrin në këmbë. Në këtë kuadër, policia i është kundërpërgjigjur duke e qëlluar për vdekje, thotë policia.

Deri më tani janë sekuestruar dy pistoleta, 3 vetura dhe një motoçikletë dhe pesë persona të tjerë janë marrë në pyetje.

Hetimet janë në vazhdim dhe pas përfundimit do të ketë një përditësim. Drejtoria e Sigurisë së Atikës po kryen hetimet paraprake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat