Shuarja tragjike e ëndërrave të djaloshit entuziast

Diaspora

Shuarja tragjike e ëndërrave të djaloshit entuziast

Florim Zeqa Nga Florim Zeqa Më 25 shtator 2022 Në ora: 09:31
Dren Bajrami

Dren Bajrami 17 vjeçar, djali i ri dhe punëtor, atdhetar dhe energjik, ambicioz dhe entuziast, me ëndërra të bukura për jetën. Ai u nisë shtatë muaj më parë në rrugën e vështirë të emigrimit, i joshur jo nga lakmia por nga mungesa e përspektivës për jetë në atdheun e tij. Dreni kishte vendosur të sakrifikojë veten për t’i sjellë shpresë familjes së tij për jetë dinjitoze në vendlindjen e tij në Kosovë.

Vdekje e dyshimtë e të riut entuziast

Mirëpo ëndërrat e djaloshit 17 vjeçar, Dren Bajrami nga Pirana e Prizrenit u shuan në mënyrën më tragjike në natën mes të dielës dhe të hënës së 18 dhe 19 shtatorit 2022, i cili supozohet se ra nga dritarja e dhomës së tij, në strehimoren Civiform në Cividale (Udine-Itali), ku ishte i strehuar prej muajsh si minoren i pashoqëruar nga askush!

Si pasojë e rënjes prej lartësisë prej afro pesë metrash, ku pas tre ditësh në gjendje kome (agonie), Dreni vdiq pasditën e së mërkures së 21 shtatorit 2022 në repartin e Terapisë Intensive të spitalit Santa Maria della Misericordia për shkak të plagëve të rënda.

Vlenë për të theksuar se 17-vjeçari Dren Bajrami ishte i lindur në Piranë (Komuna e Prizrenit-Kosovë) më 21 nëntor të vitit 2004, i cili ishte i strehuar pranë Civiform në Cividale nga muaji Shkurt i këtij viti si i mitur i huaj dhe i pashoqëruar, siq i trajtojnë autoritetet italiane të rinjët e strehuar aty.

Kështu për fatin më të keq apo të fatkeqësisë së papritur, Drenit ju shuan ëndërrat rinore para kohe, pasi i mungonte edhe pak kohë për të dalur nga strehimorja dhe për të fituar letrat, përkatësisht lejeqëndrimin me të drejtë shkollimi dhe punësimi në shtetin italian!

Meqenëse rënja e Drenit nga dritarja e dhomës nuk ishte vërejtur nga asnjë dëshmitarë, Kryeprokurori urdhëroi autopsinë, ndërkohë që Prokurori ka hapur hetimet ndaj personave të panjohur për hipotezën e vrasjes së qëllimshme apo nga pakujdesia! Hetimet janë duke u zhvilluar nga Karabinierët e Compagnia di Cividale për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

Sipas njoftimit të mediave italiane, Civiform ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e të riut, viktimë e një aksidenti tragjik në mbrëmjen e së dielës së 18 shtatorit. Struktura Civiform në Cividale konfirmoj se djali kishte mbërritur në Cividale shkurtin e kaluar, duke kërkuar një të ardhme më të mirë për të dhe për familjen e tij. Siq mësohet nga të dhënat e strehimores, Dreni ishte djalë i urtë dhe i sjellshëm me shokët dhe stafin e strehimores. Ai kishte ndjekur disa kurse për mësimin e gjuhës italiane dhe socializimin e parashikuar nga projekti për arsimim dhe integrim në shoqërinë italiane.

Deri në daljen e rezultateve të autopsisë, na mbetet të shpresojmë edhe tek prokurori i rastit për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së Drinit, ngase për logjikën e shëndoshë është vështirë e besueshme që një i ri entuziast që e ka dashur aq shumë jetën, familjen dhe atdheun, t’i jepë fund jetës së tij duke u hudhur nga dritarja e dhomës!

Mërgimi kjo plagë e vjetër dhe trishtë!

Mërgimi kjo plagë e vjetër s'ka të ndalur për shqiptarët, sa vjen e thellohët akoma më shumë. Emigrimi është zgjidhja e fundit në jetën e njeriut. Kur humbën të gjitha shpresat për jetë në vendin amë, kur e vetmja rrugë e shpëtimit mbetët largimi nga vendlindja. Por jo të gjithë edhe e gjejnë shpëtimin në rrugën e pa fundë të mërgimit!

Shuarjën e shpresave dhe ëndërrave, siq e pësoj i riu Dren Bajrami në mënyrë tragjike në vend të huaj, në kërkim të një përspektive për veten dhe familjen në Kosovë është gjëja më e dhimbshme dhe më tragjike që mund të përjetoi njeriu në jetën e tij!

Ishte i kobshëm dhe i trishtë, i rëndë dhe tronditës perjetimi i këtyre ditëve për familjen Bajrami në Kosovë, farefisin e gjerë dhe bashkfshatarët, por tepër i trishtë edhe për bashkatdhetarët në pjesën veriore të Italisë, të cilët janë duke e ndarë dhimbjen dhe duke u solidarizuar në forma të ndryshme me familjen Bajrami, e cila e humbi tragjikisht birin e saj të dashur Drenin 17 vjeçarë.

Dreni iku mbase duke buzëqeshur pa u përshendetur më askënd, as më pridërit dhe as më vëllaun e vetëm, iku si ëngjëll lartë në qiell për të rrezatuar dritë mbi ërrësiren e Kosovës, që bahkëmoshatarët e tij në Kosovë të shijojnë dhe të gëzojnë lumturi në vendin e tyre, në atdheun e tyre të shenjtë.

Vdekja e parakohshme dhe e pa pritur e Drenit në moshën 17 vjeçare na ka tronditur thellë në shpirtë neve mërgimtarëve në pjesën veriore të Italisë dhe më gjerë.

I qoftë i lehtë dheu i tokës Dardane ëngjëllit nga mërgimi, Dren Bajrami!

I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes, miqëve dhe farefisit të gjërë. Vdekja e pa pritur e Drenit na ka prekur thellë në shpirtë e në zemër të gjithëve, andaj duam që dhimbjen ta ndajmë së bashku me ju familje e nderuar Bajrami.

Të pikëlluar: bashkatdhetarët në Itali

Florim Zeqa

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat