Telashe të reja në gjyq për mjekun e njohur shqiptar në Kroaci

Diaspora

Telashe të reja në gjyq për mjekun e njohur shqiptar në Kroaci

Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 11:29
Gzim Rexhepi

Pesë muaj pasi Gzim Rexhepi, mjeku shqiptar në Kroaci, u lirua nga akuza për ushtrim ndikimi, Prokuroria në Zagreb ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Lartë Penale për anulimin e aktgjykimit ndaj tij.

Rasti i tij ndërlidhet me mosmarrëveshjen mes biznesmenit Milan Popoviq dhe këngëtares kroate Severina Kojiq për kujdestarinë e fëmijës së tyre.

Sipas aktakuzës, Rexhepi kishte kërkuar nga eksperti që të konstatohet në favor të Popoviqit sepse “ai ishte një baba i mirë”, shkruan Veçernji List.

Siç thuhet në aktakuzë, Rexhepi u akuzua për ushtrim ndikimi në fund të gushtit 2020 mbi dyshimet se kishte përdorur autoritetin e një asamblisti të Kuvendit të Zagrebit, si dhe faktin se ai ishte person i besuar i ish-kryetarit të Zagrebit, Milan Bandiq, për të ndikuar në rast.

Gjyqi ndaj Rexhepit filloi në prill të këtij viti dhe përfundoi pas vetëm disa seancash.

Ai e mohoi fajësinë dhe trupi gjykues konsideroi se akuzat e tij nuk u vërtetuan në gjykatë.

Por, Prokuroria ka paraqitur ankesë për shkak të pretendimeve për shkeljeve të dispozitave të procedurës penale dhe gjendjes faktike të konstatuar gabimisht në këtë rast. Ata kërkojnë anulimin e pafajësisë dhe gjykim të ri ndaj mjekut Rexhepi.

Gzim Rexhepi është një mjek me origjinë nga Kosova i cili ushtron profesionin e pneumologut në Zagreb. Ai ishte bërë i njohur për afërsinë shoqërore që kishte pasur me Milan Bandiq, ish kryetar i Zagrebit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat