Produktet "Made in Albania" prezantohen për herë të parë në Kontinentin Amerikan në Panairin “Food Ingredients North America 2024”

Diaspora

Produktet "Made in Albania" prezantohen për herë të parë në Kontinentin Amerikan në Panairin “Food Ingredients North America 2024”

Më: 4 nëntor 2024 Në ora: 23:49
Ilustrim

Kompanitë tona shkëlqyen dhe korren një sukses historik për promovimin e produkteve shqiptare, duke marrë pjesë për herë të parë me pavijon në “Food Ingredients North America” në Las Vegas, më 30-31 tetor 2024.

Kompanitë kryesore shqiptare në prodhimin e vajit të ullirit, bimëve mjekësore dhe aromatike, prezantuan produktet e tyre përpara mbi 18,500 vizitorëve nga e gjithë bota, duke nxjerrë në pah cilësinë e veçantë të prodhimeve shqiptare. Kjo pjesëmarrje u organizua nga AIDA dhe u mbështet nga projekti i International Trade Centre (ITC) për Shqipërinë dhe SIPPO Albania, me qëllim nxitjen e eksporteve dhe zgjerimin e aksesit për SME-të shqiptare.

Pavijoni i Shqipërisë pati interes të lartë nga vizitorët e shumtë nga vende të ndryshme të botës, ku produktet shqiptare u vlerësuan për cilësinë e lartë, shijen autentike dhe traditën që përfaqësonin. Kompanitë shqiptare realizuan një numër tepër të lartë takimesh, duke krijuar kontaktet e para për bashkëpunime në të ardhmen e afërt.

Panairi u dha mundësinë bizneseve shqiptare të njiheshin me tendencat globale, teknologjitë e reja dhe praktikat e qëndrueshme të industrisë ushqimore, duke krijuar mundësi të reja për të zgjeruar shtrirjen e tyre ndërkombëtare dhe për të eksportuar në tregje të reja.

Produktet "Made in Albania", po fillojnë të njohen ndërkombëtarisht dhe kërkesa për këto produkte është në rritje. Së bashku me AIDA, do vijojmë mbështetjen për prodhuesit shqiptarë në eksportimin e produkteve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat