“Kevin, kthehu në shtëpi” – Prej më shumë se një jave pa asnjë gjurmë nga 14-vjeçari nga Trentino

Diaspora

“Kevin, kthehu në shtëpi” – Prej më shumë se një jave pa asnjë gjurmë nga 14-vjeçari nga Trentino

Më: 15 prill 2025 Në ora: 22:52
Kevin Bakali

Prej më shumë se një jave nuk ka asnjë kontakt me Kevin Bakalin, 14 vjeçari nga Trentino që jetonte në Mori me gjyshërit. Djali është zhdukur pa lënë gjurmë që nga e hëna e kaluar, duke lënë pas vetëm shqetësim dhe ankth për familjen, shkruan agjencia e lajmeve ANSA.

Sipas hallës së tij, Letizia Kurtesi, e cila ka folur për ANSA, Kevin e ndez dhe e fik telefonin, por nuk i përgjigjet askujt. “E dimë që ishte në Torbole këtë mëngjes, sepse për një moment e ndezi telefonin. Pastaj edhe prindërit e mi u nisën me nxitim për atje, por karabinierët nuk e gjetën", tregon ajo.

Kevin jeton me gjyshërit që kujdesen për të që kur ishte i vogël. Aktualisht ai ndjek vitin e parë në Institutin e Menaxhimit të Hotelerisë në Rovereto. Letizia kujton se atë mbrëmje, Kevin u largua pa ndonjë arsye të qartë. “I tha gjyshit: ‘Do të kthehem në orën shtatë’, por nuk u kthye më”.

Familja pranoi se në fillim nuk njoftuan menjëherë policinë, me shpresën se ai do të kthehej vetë, pasi nuk ishte hera e parë që largohej për pak kohë. Por kësaj here, kalimi i ditëve pa asnjë lajm bëri që të ngrenë alarmin. Tashmë, familja ka bërë një kallëzim pranë Karabinierëve dhe ka apeluar për ndihmë edhe përmes gazetës L’Adige.

Sipas hetimeve, telefoni i Kevin-it është lokalizuar gjatë ditëve të fundit në zona të ndryshme si Veneto, Brescia dhe Emilia, ndërsa mëngjesin e sotëm është sinjalizuar për herë të fundit në Torbole, afër liqenit të Gardës dhe vetëm disa kilometra nga shtëpia. Ai e ka ndezur telefonin për momente të shkurtra, mjaftueshëm për ta lokalizuar, por më pas e ka fikur sërish.

"Që kur filloi gjimnazin, Kevin nuk ka pasur sjellje të mira në shkollë: kundërshton mësuesit dhe mungon në orë. Por tani nuk kemi asnjë informacion, nuk hapet as me familjen", rrëfen halla e tij.

Në një apel prekës, gjyshërit e tij thonë:

“Kthehu në shtëpi Kevin, nuk do të ndodhë asgjë. Të sigurojmë se gjithmonë do të jesh me ne. Gjyshërit nuk hanë e nuk flenë, duke menduar për ty. Jemi gati, si gjithmonë, të të presim me zemër të hapur. Të lutemi, na lajmëro qoftë me një telefonatë apo një mesazh, vetëm për të na treguar si je, ku je dhe nëse ke nevojë për ndihmë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat