Vrau dy persona ndërsa ishte në liri me kusht, kush është shqiptari që po gjykohet në Britani

Diaspora

Vrau dy persona ndërsa ishte në liri me kusht, kush është shqiptari që po gjykohet në Britani

Më: 16 qershor 2025 Në ora: 17:57
Leo Moran, Joel Carriedo

Një migrant i paligjshëm, i cili ishte liruar me kusht nga një qendër paraburgimi, dyshohet se është autori i vrasjes së dy personave, gjatë një përplasjeje me makinë.

Bëhet fjalë për shqiptarin Emiljano Kasaj. Ai dyshohet se ka shtypur qëllimisht me automjetin tip Mercedes këmbësorin Leo Moran dhe çiklistin Joel Carriedo. Ngjarja ka ndodhur në Coventry në shtator 2023.

Gjykata e Kurorës në Warwick u informua nga Ministria e Brendshme se “nuk ishte bërë asgjë” ndërsa ai shkeli kushtet e lirimit me kusht në mënyrë të përsëritur.

Kasaj u deklarua fajtor në mars të këtij viti për një akuzë për vrasje të mbetur në tentativë dhe dy akuza për vrasje të paqëllimshme për shkak të zvogëlimit të përgjegjësisë, raporton The Telegraph.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar të hënën u shfaqën pamje grafike nga kamerat e sigurisë të 44-vjeçarit Moran, i cili u godit në rrugën Gosford, ndërsa një kalimtar tjetër u përplas në një ndërtesë dhe pësoi një plagë në kokë.

Pamje të tjera, të paraqitura në gjykatë nga prokurori Peter Grieves-Smith, tregonin makinën duke u larguar me shpejtësi me një xham të thyer dhe më vonë duke udhëtuar drejt punonjësit të spitalit, Carriedo, baba i dy fëmijëve.

Punonjësi i NHS-së, biçikleta e të cilit u nda në dy pjesë nga përplasja, vdiq nga lëndimet në gjoks pasi u godit ballë për ballë dhe u rrëzua përmbys për shkak të një muri në Ëoodëay Lane, Coventry.

Duke parë faktet e çështjes kundër Kasaj, i cili nuk ka adresë të caktuar, Grieves-Smith i tha gjykatësit të Gjykatës së Lartë, Justice Choudhury, se Kasaj më pas goditi një shtëpi rreth 300 metra më tutje dhe u arrestua pothuajse një orë më vonë në një kopsht aty pranë.

Gjykata dëgjoi se Kasaj kishte përdorur një emër dhe adresë të rreme për të regjistruar automjetin.

Grieves-Smith i tha gjykatës se psikiatrit e kishin diagnostikuar të pandehurin me një psikozë paranojake të lidhur me skizofreninë, me të cilin ai u tha ekspertëve se besonte se duhej të vriste sepse po shantazhohej.

Prokurori tha për të pandehurin: “I lindur në korrik 1990, ai është shtetas shqiptar pa dënime ose paralajmërime të mëparshme. Ai i tha psikiatrit se, pasi kishte lënë shkollën, kishte punuar në një lavazh makinash dhe më pas kishte udhëtuar për në Athinë për të gjetur punë. Ai kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar rreth dy vjet para kryerjes së veprave penale dhe ishte vendosur në Coventry”.

Gjykata dëgjoi se Kasaj tha gjithashtu se “erdhi në Angli për një jetë më të mirë” dhe se ndodhej “në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht”, por nuk kërkoi përfitime.

Grieves-Smith i tha gjykatës: “policia bëri pyetje në lidhje me statusin e tij. Kontrollet me autoritetet shqiptare tregojnë se ai u largua nga Shqipëria në janar 2022.

“Ai u arrestua për vepra penale të imigracionit në gusht 2022 pasi nuk kishte bërë asnjë përpjekje për t'u regjistruar dhe u ndalua me qëllim që të largohej. Ai tha se ishte trafikuar në vend në pjesën e pasme të një kamioni".

Gjykata dëgjoi se Kasaj u mbajt në Qendrën e Paraburgimit Harmondsëorth në Londrën perëndimore dhe vizitoi një spital gjatë asaj periudhe, megjithëse vizita nuk lidhej me shëndetin e tij mendor.

Më 7 tetor 2022, dëgjoi gjykata, Kasaj u lirua me kusht në një adresë në Neëfield Road, Coventry, me "detyrim për t'u paraqitur" në Qendrën e Imigracionit Solihull më 5 dhjetor.

Prokurori tha se Kasaj nuk u paraqit asnjëherë në qendrën e emigracionit, duke shkelur lirimin me kusht.

"Pra, në kohën kur ai kreu këto vepra penale, ai iu nënshtrua kushteve të lirimit të vendosura për shkak të statusit të tij të emigracionit. Ai i shkeli ato, por Ministria e Brendshme nuk ndërmori asgjë në lidhje me këtë", tha Prokurori.

Provat psikiatrike të paraqitura në gjykatë treguan se Kasaj vuan nga “një sëmundje e rëndë mendore, diagnoza më e mundshme është skizofrenia”, e cila mund të jetë përkeqësuar nga përdorimi i kanabisit ose kokainës në javët para incidentit.

Kasaj, i cili u paraqit në bankën e të akuzuarve së bashku me një përkthyes dhe disa infermierë të shëndetit mendor, pritet të njihet me masën e dënimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat