U kapën me 16 kg kokainë me vlerë 500 mijë euro, arrestohen 3 shqiptarë në Spanjë

Diaspora

U kapën me 16 kg kokainë me vlerë 500 mijë euro, arrestohen 3 shqiptarë në Spanjë

Më: 28 shtator 2025 Në ora: 11:40
Foto ilustrim

Policia spanjolle ka arrestuar tre shtetas shqiptarë, pasi u kapën në flagrancë me 16 kilogramë kokainë, me një vlerë të përafërt prej mbi 500 mijë euro në tregun e zi.

Sipas mediave spanjolle, ngjarja ka ndodhur më 22 shtator, kur oficerë të Mossos d’Esquadra dhe Policisë lokale, vunë re lëvizje të dyshimta në parkingun e një supermarketi në qendër të qytetit.

Oficerët e veshur civilë vunë re disa burra që po kalonin valixhe nga një makinë në një furgon, duke kryer manovra të pazakonta. Duke dyshuar për veprimtari të paligjshme, policët vendosën të ndërhyjnë përpara se automjetet të largoheshin.

Gjatë kontrollit të menjëhershëm, brenda një valixheje të zhvendosur mes makinave u gjet 16 kg kokainë. Po ashtu, u sekuestruan mbi 7,000 euro cash dhe rreth 200 euro në lekë shqiptare.

Tre të ndaluarit me kombësi shqiptare, të moshës midis 20 dhe 46 vjeç, u  arrestuan për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa më 24 shtator u paraqitën për masë sigurie në gjykatën e Gavas, e cila ka vendosur burg pa afat për të tre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat