E morën peng në vilë dhe i grabitën 300 mijë euro e bizhuteri ari biznesmenit të tekstileve, arrestohet dhe shqiptari i tretë

Diaspora

E morën peng në vilë dhe i grabitën 300 mijë euro e bizhuteri ari biznesmenit të tekstileve, arrestohet dhe shqiptari i tretë

Më: 4 nëntor 2025 Në ora: 11:25
Foto ilustrim

Grabitja dhe dhunimi i një biznesmeni italian ka çuar në pranga edhe autorin e tretë të dyshuar, që i përket një bande shqiptarësh që operonte në vendin fqinj, e “specializuar” për bastisje shtëpish.

Arrestimet u bënë mes Trentos dhe Milanos, ndërsa më herët ishin kapur dy prej tyre.

Të ndaluarit janë Klodjan Cesku, 31 vjeç dhe Arsild Memaj, 21 vjeç, punëtor ndërtimi pranë vilës. I arrestuari i tretë, gjithashtu shqiptar dhe banues në Bari, ishte me pushime me familjen e tij në Gardaland, në liqenin Garda pranë Veronës.

Ai shoqërohej nga bashkëpunëtori i katërt i dyshuar i bandës, i cili, megjithatë, u akuzua vetëm në gjendje të lirë. Ende mungon plaçka prej 300 mijë eurosh e grabitur, në cash dhe bizhuteri ari të vjedhura nga kasaforta e murit e çmontuar.

Grabitja u krye në  vilën e biznesmenit itlaian Eugenio Gallizioli, një sipërmarrës i njohur tekstili dhe pronar i Manifatture Lombarde, nga Trentino, natën midis 7 dhe 8 tetorit.

Andrea de Bertolini, avokati i Galliziolit, komentoi:

“Ky është një rezultat i rëndësishëm, padyshim për shkak të ekspertizës dhe shpejtësisë së Karabinierëve në hetimin e tyre. Ne besojmë se të gjithë grabitësit do të identifikohen së shpejti përfundimisht dhe shpresojmë që mallrat e vjedhura tani do të rikuperohen. Gallizioli falënderon hetuesit për profesionalizmin e tyre”.

Sipas hetuesve, ata janë një grup kriminal shumë i aftë, i mësuar me planifikimin e krimeve të ngjashme. Një nga burrat e arrestuar punonte në një kantier ndërtimi jo shumë larg shtëpisë së Galliziolit. Gjatë hetimit, u sqarua edhe metoda me të cilën grabitësit hynë në vilë, përmes një dritareje.

72-vjeçari u kap në gjumë dhe u mbajt rob për më shumë se katër orë në vilën e tij në Via Falzolgher në Trento, midis San Bartolomeo dhe Villazzano. Me armë zjarri dhe me një thikë në fyt, viktima u detyrua të tregonte vendin e fshehjes së kasafortës në dhomën e ndenjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat