Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Lunigiana të Italisë pas një arratisjeje të rrezikshme me një BMW gri me targa zvicerane, që alarmoi qindra drejtues mjetesh në autostradën A15.
Sipas Policisë së Shtetit italian, automjeti lëvizi me shpejtësi ekstreme, duke kaluar në korsinë e kundërt, duke bërë parakalime të rrezikshme pranë kantierëve dhe duke rrezikuar përplasje ballore me trafikun.
Manovrat sollën ndërhyrjen e menjëhershme të patrullave të Policisë Rrugore dhe Karabinierëve të Pontremoli, të cilët dyshuan se drejtuesit ose ishin nën efektin e lëndëve narkotike, ose po largoheshin pas kryerjes së një krimi.
Ndjekja përfundoi në zonën Pianturcano, ku mjeti rrëshqiti dhe u përplas me hyrjen e një ferme, duke shkatërruar portën. Dy të dyshuarit tentuan të largoheshin në këmbë përmes fushave, por u neutralizuan shpejt nga policia.
Gjatë kontrollit të BMW-së në bagazh u gjet një set mjetesh profesionale të përdorura për vjedhje, gjë që forcoi dyshimet për përfshirje në aktivitet kriminal. Oficerët e quanin rastin tipik të një bande “skifterësh” që lëviz me targa të huaja për të shmangur identifikimin.