Dy shqiptarë janë arrestuar në Teramo të Italisë, pasi akuzohen se kishin shndërruar një parking në zonën Villa Zaccheo–Petriccione në pikë shitjeje të kokaine.
Arrestimet u kryen pasditen e djeshme nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Teramos, në kuadër të një operacioni të nisur pas disa raportimeve anonime për aktivitet të dyshimtë në këtë zonë.
Sipas autoriteteve italiane, dy shqiptarët, të moshës 23 dhe 34 vjeç, u kapën në flagrancë, teksa po kryenin një pazar droge. Ata u ndaluan në momentin e shkëmbimit të pesë dozave kokaine me një person të dyshuar, kundrejt shumave të parave.
Sjellja e kujdesshme dhe izolimi i tyre në parking ngjalli dyshimet e policisë, e cila ndërhyri pikërisht në çastin e transaksionit, që më pas u konfirmua si shitje droge.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën pesë doza të tjera kokaine, ndërsa në banesën e tyre u sekuestruan materiale për paketimin e lëndëve narkotike.
Po ashtu, policia sekuestroi edhe 1 450 euro, të dyshuara si të ardhura nga trafiku i drogës.
Dy shqiptarët u vendosën në arrest shtëpiak, në pritje të seancës për vlefshmërinë e masës së sigurisë dhe procedurave të mëtejshme gjyqësore, përfshirë edhe mundësinë e pranimit të fajit që çon në përfundim të përshpejtuar të procesit.