Roja e Kohës ju fton ta përkrahni në veprimtarinë e saj humane dhe kombëtare.

Diaspora

Roja e Kohës ju fton ta përkrahni në veprimtarinë e saj humane dhe kombëtare.

Nga: Mustafë Shabani Më: 1 mars 2026 Në ora: 19:55
Arkiv

 

Roja e Kohës erdhi si nevojë e kohës – në periudhën më të rëndë të segregacionit dhe aparteidit serb në Kosovë, kur dhuna, frikësimi dhe poshtërimi ishin bërë pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve.

Ngjarja që shënoi kthesën dhe që ndezi frymën e organizimit ndodhi në një turnir futbolli me karakter etnik, të organizuar nga serbët në një terren sportiv ku ishin mbledhur shumë prej tyre për të dëshmuar forcë dhe dominim. Gjatë lojës, topi fluturoi pas portës dhe u kap nga një djalosh shqiptar. Pa asnjë arsye, turma e egërsuar u vërsul mbi të për ta rrahur e poshtëruar publikisht.

Në ato momente, rastësisht ndodhej aty Shaip Murseli. Ai ndërhyri menjëherë për ta mbrojtur djaloshin nga turma. Edhe pse i vetëm përballë shumë vetave, ai nuk u tërhoq. Me guxim e vendosmëri u bëri ballë sulmuesve, duke shpëtuar djalin nga dhuna. Që nga ai moment, rrethi filloi ta quante Shaip Tërnava – emër që u lidh me guximin dhe qëndresën.

Dhuna serbe po shtrihej në çdo dimension të jetës – në shkolla, në rrugë, në institucione. Në këtë klimë terrori ndodhën edhe helmimet e nxënësve shqiptarë. Kur situata u tensionua, Shaipi me disa shokë reaguan spontanisht ndaj personave të dyshuar si përgjegjës. Reagimi i tyre i ashpër bëri që një numër i konsiderueshëm serbësh të kërkonin ndihmë mjekësore. Ishte një mesazh i qartë se shqiptarët nuk do të qëndronin më duarkryq.

Një tjetër moment vendimtar ishte rrethimi i fshatit Tërnavë. Në kohën kur po mbahej edhe një mbledhje e strukturave të LDK-së, rreziku ishte real. Shaipi me bashkëfshatarët u organizuan në vetëmbrojtje për të shpëtuar fshatin dhe pjesëmarrësit. Organizimi i shpejtë, vigjilenca dhe vendosmëria e tyre bënë që situata të ndryshonte. Detonimi i dinamitit nga ana e Shaipit krijoi panik te forcat serbe dhe i detyroi të tërhiqeshin.

Municioni që përdorej për vetëmbrojtje ishte siguruar fshehurazi, pasi babai i Shaipit punonte në minierë dhe kishte sjellë material për rezistencën ilegale të kohës. Shaipi e kishte kuptuar ku fshihej dhe në moment nevoje e kishte marrë pa hezitim.

Sa më shumë shtoheshin aktet e guximit, aq më shumë rritej respekti i popullit për të. Rreth tij u bashkuan guximtarë e atdhetarë të tjerë. Organizimi ishte vullnetar, spontan, por me qëllim të qartë: mbrojtjen e dinjitetit kombëtar. Kështu lindi një zë – Atdheu, që më pas mori emrin Roja e Kohës.

Një dimension i veçantë i veprimtarisë ishte mbrojtja e nxënësve, sidomos vajzave, të cilat sulmoheshin nga banda kriminale të nxitura nga regjimi i kohës për të frikësuar dhe paralizuar shoqërinë. Reagimet e shpejta dhe të suksesshme të Shaipit në disa raste e bënë organizimin të shihej si institucion mbrojtës. Shkollat dhe strukturat politike filluan ta kontaktonin për mbështetje, duke u formuar kështu një lloj garde civile në mbrojtje të arsimit, dinjitetit dhe sigurisë.

Shembulli i Rojës së Kohës u përhap nga Llapi në gjithë Kosovën. Kjo formë organizimi arriti të zmbrapsë dhunën dhe presionin e ushtruar përmes bandave kriminale, duke dëshmuar se organizimi qytetar mund ta përballë të keqen.

Megjithatë, përndjekja nuk mungoi. Shaipi u përball me disa aktakuza nga pushtuesi dhe u detyrua të vuante dënim me burg. Kjo e dobësoi organizimin për një periudhë. Edhe pas lirimit, për shkak të aktakuzave të tjera, ai qëndroi një kohë të gjatë ilegalisht dhe më pas u detyrua të largohej jashtë vendit.

Vitet e fundit, me përkrahjen e bashkëveprimtarëve, ai e formalizoi këtë frymë duke krijuar dhe regjistruar shoqatën Roja e Kohës, e cila sot vepron hapur dhe ligjërisht në shërbim të kauzave kombëtare dhe humanitare.

Veprimtaria e tanishëme

Roja e Kohës tani organizon:
• Akademi për përkujtimin e helmimeve të nxënësve
• Evidentimin dhe dokumentimin e rasteve historike
• Protesta kundër padrejtësive dhe zvarritjes institucionale
• Nisma për pajtim dhe unitet
. Krijimin e Shoqatës humanitare me të njëjtin emërtim.
• Organizim ndihmash për familjet në nevojë

Në këtë muaj të shenjtë, Roja e Kohes po organizon shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë. Çdo kontribut i juaji do të shkojë drejtpërdrejt tek ata që kanë më së shumti nevojë.

Thirrje për përkrahje

ROJA E KOHËS ju fton të bëheni pjesë e kësaj veprimtarie humane dhe kombëtare.
Roja e Kohës ju fton të kontribuoni për familjet në nevojë.
Roja e Kohës e motit të madh ju fton të mbështesni vazhdimësinë e një historie që lindi nga guximi dhe u forcua nga solidariteti.

Së bashku, ta mbajmë gjallë frymën e Rojës së Kohës së viteve të 90-ta.

M.Shabani 01.03.26

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat