Flamur Sula, babai i Ilaria Sulës që u vra nga ish partneri i saj Marc Samson në Itali, ka treguar edhe bisedën me filipinezin pas zhdukjes së të bijës.
Në një intervistë për “Zemër të Hapur” të moderatores Evis Ahmeti, ai tregoi se celularin e së bijës e kishin gjurmuar me ndihmën e të birit, përmes kompjuterit.
Ai tregoi se edhe të bijës ia kishin shprehur kundërshtinë për lidhjen e tyre, ndërsa u ndal edhe te takimi me ish të dashurin e saj.
Sipas tij, ai i kishte thënë se Ilaria kishte ikur me një djalë në Napoli.
“E takuam dy herë. Të shtunën më erdhi drejtpërdrejt. Më tha “te kërkoj falje që u njohëm në këtë situatë”. I thashë di që jeni bashkë të lidhur dhe më tha kemi një muaj që jemi ndarë. Ilaria ishte me 15 mars në shtëpi dhe nuk na tha se janë ndarë. Nuk ishim dakord që historia të vazhdonte. Më pas erdhi sërish të dielën. Më tha di që ka ikur me dikë tjetër në Napoli. I thashë e ke dëgjuar që e thua këtë fjalë. Keni folur i thashë? Jo më tha ka nisur mesazh. “, tha Fatmir Sula.
Po ashtu ai ka rrëfyer se me 25 mars 2025 ishte dita e fundit kur dëgjuan zërin e vajzës së tyre.
Që nga ai moment, gjithçka u kthye në ankth, në pritje dhe në një parandjenjë të keqe që, fatkeqësisht rezultoi e vërtetë.
Teksa familja kërkonte me dëshpërim lajme për të, autori dyshohet se përpiqej të fshihte krimin, duke përdorur telefonin e Ilarias për të dërguar mesazhe dhe për të krijuar iluzionin se ajo ishte larguar me dëshirë.
Ishte vëllai i saj ai që nuk u dorëzua, duke arritur të gjurmojë telefonin dhe të çojë hetuesit drejt zbulimit të së vërtetës së tmerrshme. Trupi i pajetë i Ilarias u gjet i fshehur në një valixhe, i hedhur në një humnerë, një detaj që e bën edhe më të rëndë dhimbjen e prindërve.
“Ilaria ishte shumë korrekte dhe kurrë nuk dilte nga fjala, aty u alarmuam dhe u nisëm për të Romë, për në banesën ku Ilaria jetonte me 5 vajza të tjera. I telefonuam t’i pyesnim se kur doli Ilaria nga shtëpia atë mëngjes, ndërsa ato e morën me shaka dhe na thanë se Ilaria është mirë, niseshin nga mesazhet që ai u niste në telefon, që gjoja po bashkëjetonin. Mendonin se nuk kishte ndodhur asgjë e keqe e morën si një lojë. Ne e kuptuam direkt që diçka nuk shkonte, madje gruaja më tha; Ilarian ose e kanë vrarë ose ka dikë me pistoletë te koka që nuk përgjigjet në telefon. Por nuk donim ta besonim.
Bëmë denoncim në polici, ishte ditë e shtunë, nisën kërkimet, edhe të dielën shkuam bashkë në komisariat sërish. Po qanim së bashku me gruan, na pa një polic dhe na pyeti çfarë kishte ndodhur. Aty bëmë sërish denoncim nga fillimi. Në dhomën e Ilarias ishin kompjuteri, laptopi, dokumentet dhe portofoli që Ilaria nuk i kishte marrë me vete.
Nga kompjuteri kërkojmë ku mund të ishte telefoni i saj, ishte im bir që kërkonte dhe gjeti që telefoni ishte në shtëpinë e Markut. Të hënën nisën kërkimet e vërteta. Ne si prindër kishim një ide për lidhjen e tyre por nuk ishim dakord që historia të vinte pasi siç i kishim thënë edhe vajzës, nuk kemi lidhje me filipinasit apo raca të ngjashme. Por Ilaria na kishte thënë që nëse ata do të ndaheshin, duhet të ishte ajo që vendoste. Ishin bashkë për 1.5 ose 2 vite. Ilaria kishte kërkuar pauzë në marrëdhënien e tyre. Ai e ka mashtruar gjithmonë time bijë. I kishte thënë studion në dy fakultete kur në fakt nuk ishte asnjë e vërtetë”, tha babai i Ilarias."