Morën peng biznesmenin italian në vilën e tij dhe i grabitën 300 mijë euro, dënohen dy shqiptarët

Diaspora

Morën peng biznesmenin italian në vilën e tij dhe i grabitën 300 mijë euro, dënohen dy shqiptarët

Më: 17 prill 2026 Në ora: 17:55
Eugenio Gallizioli

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar në Itali për grabitjen e rëndë ndaj një biznesmeni, ndërsa një tjetër shqiptar, i dyshuar si organizatori i bandës, pritet të dalë në gjyq në korrik.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat italiane, sipas të cilave Klodjan Cesku, 31 vjeç, dhe Arsild Memaj, 21 vjeç, kanë pranuar fajin dhe janë dënuar me 4 vite e 3 muaj burg, si dhe 1,200 euro gjobë.

Ndërkohë, Marjan Ndrekaj, 44 vjeç, do të përballet me drejtësinë si i dyshuar për drejtimin e grupit kriminal. Gjykata rrëzoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, duke caktuar seancën në muajin korrik.

Të tre akuzohen për grabitje në bashkëpunim me rrethana rënduese.

Ngjarja ndodhi natën mes 7 dhe 8 tetorit 2025 në Trento. Katër persona hynë në vilën e biznesmenit 72-vjeçar, Eugenio Gallizioli, e kërcënuan me armë dhe e mbajtën peng për rreth katër orë.

Sipas hetimeve, viktima refuzoi të tregonte kodin e kasafortës, çka detyroi autorët të përdorin një mjet prerës për ta hapur dhe për të marrë rreth 300 mijë euro.

Lëvizjet e autorëve u zbardhën përmes kamerave të sigurisë dhe përgjimeve, ndërsa tre prej tyre u arrestuan pas disa javësh në zona të ndryshme në Itali. Një person i katërt mbetet ende në kërkim.

Biznesmeni është paraqitur si palë civile dhe ka kërkuar 400 mijë euro dëmshpërblim për dëmet materiale dhe morale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat