Artistët shqiptarë në Amerikë, i bashkohen organizatës Rrënjët Shqiptare në Protestë para OKB-së - Bota Sot
Artistët shqiptarë në Amerikë, i bashkohen organizatës Rrënjët Shqiptare në Protestë para OKB-së

Diaspora

E martë, 20 nëntor 2018

Artistët shqiptarë në Amerikë, i bashkohen organizatës Rrënjët Shqiptare në Protestë para OKB-së

Nga: Beqir Sina Më: 15 nëntor 2013 Në ora: 14:22

Sot, Nju Jork, nga ora 5 e mbasdites me kohën lokale deri në orën 7 të mbrëmjes me lejen e policisë së qytetit, NYPD, është paraparë të mbahet një protestë kundër asgjësimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri
"Dag Hammarskjold Plaza", UN - NEW YORK - "Të bashkohemi të gjithë për t'i thënë JO!" është motivi që u bënë thirrje artistëve shqiptarë në Shtete e Bashkuara, që të mblidhen të premten në Sheshin e njohur "Dag Hammarskjold Plaza", para selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Artistët shqiptarë, në Amerikë kanë shfrytëzuar natën e fundit të festivalit të II, AFW “Albanian Film Week” (Java e Filmit Shqiptar), për t'ju bashkëngjitur thirrjes së organizatës Albanian Roots - Rrënjët Shqiptare, e cila ka vendosur mbas dite të mbajë një protestë për të kundërshtuar njerëzisht nismat ndërkombëtare, të cilat kanë për qëllim përdorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë për asgjësimin e armëve kimike të konfiskuara nga Republika Arabe e Sirisë në bazë të një marrëveshjeje ruso-amerikane.
Ariot Myrtaj njëri prej organizatorëve kryesorë të festivalit të II, AFW “Albanian Film Week” (Java e Filmit Shqiptar), gjatë ceremonisë së mbylljes së këtij festivali mbrëmë në teatrin shqiptarë "The Producers Club" u bëri thirrje kolegëve të tij duke thënë: "Pa ngjyrime politike, ne duhet ti bashkohemi thirrjeve të prindërve, vëllezërve dhe motrave tona në Shqipëri që janë ngritur kundra armëve kimike, duke e parë se problemi i shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri është çështje kombëtare dhe na përket ne të gjithëve si shqiptarë. Mbasi dihet se pasojat e saj mund të jenë shumë të mëdha dhe mund të shkojnë përtej kufijve shtetërorë."
Rrënjët Shqiptare: Thuajini JO! armëve kimike nga Siria!
Në deklaratë theksohet se :" Duke marrë shkasë nga ngjarja e fundit më të cilën po përballet vendi ynë mbi shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë, Unë Marko Kepi, si kryetar i kësaj organizate, në përgjigje të shumë mesazheve dhe telefonatave të shumë të rinjve e të rejave shqiptare në diasporë, por bazuar edhe në indinjimin që ne si organizatë patriotike ndjejmë në lidhje më një çështje kaq serioze, e cila vë në diskutim sigurinë e bashkatdhetarëve tanë, ndjej përgjegjësinë t`i bëj thirrje qeverisë shqiptare t`i thotë “JO” një propozimi të tillë.
Deklarata sqaron se Shqipëria është një shtet i vogël me një sipërfaqe 27,398 m2 dhe renditet një ndër shtetet më të varfra në Europë, e cila njihet kryesisht për klimën dhe turizmin e bukur që ofron dhe jo për fabrika e teknologji të modernizuar për shkatërrimin e armëve kimike.
Ndërkohë, thuhet në deklaratë se: "Organizata Albanian Roots-Rrënjët Shqiptar, në mbështetje të të gjithë qytetarëve shqiptar i bën thirrje edhe njëherë qeverisë shqiptare të tërhiqet nga negociatat për një vendim që nesër do t’i rëndojë mbi shpatulla e njerëzve të popullit tone, fëmijëve dhe gjeneratave tona të ardhme. Ne duam një Shqipëri të pastër, të gjelbër dhe një vend të sigurt. Ne Rrënjët Shqiptare mbi të gjitha duam Shqipërinë. Ftoj të gjithë shqiptarët kudo që janë t’i bashkohen solidaritetit tonë në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet në respekt të jetës dhe vendit tone, Shqipërisë!"

Demonstrata të tilla ka pasur dje edhe në Washington ku protestuesit kanë thënë:"Ne vendosmërisht kundërshtojmë çdo iniciativë, e cila mëton ta përdorë territorin shqiptar si laborator ku eksperimentohet me armë të shkatërrimit në masë."
Gazetës, “Bota sot”, i tha njëri prej protestuesve me telefon se: "Kërkojmë nga autoritetet shtetërore në Tiranë të reagojnë në emër të shtetit dhe të veprojnë vetëm në interes të sovranit të Republikës së Shqipërisë. Ne reagojmë kundër politikës butake e mercenare të Kryeministrit Rama, si dhe kundër presioneve ndërkombëtare mbi shtetin shqiptar. Kërkojmë nga qeveria "Rama" që vendosmërisht të shfaqin maturi politike dhe njerëzore, dhe të konsiderojnë pasojat serioze që sjellin eksperimentet e tilla të rrezikshme."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test