Një përleshje mes rreth 15 personave është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Kypselit, në Athinë, duke lënë të plagosur një 40-vjeçar.
Sipas Policisë greke, ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, në kryqëzimin e rrugëve Lefkados dhe Evelpidon. Për arsye që mbeten ende të paqarta, personat e përfshirë nisën të konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin.
Gjatë përleshjes, një shtetas indian, 40 vjeç, u plagos me një objekt të mprehtë në pjesën e barkut dhe në kofshë.
I plagosuri u transportua me ambulancë në spitalin “Kryqi i Kuq” për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në lidhje me ngjarjen, autoritetet greke arrestuan tre persona: dy shtetas grekë, përkatësisht 26 dhe 30 vjeç, si dhe një shqiptar 36-vjeçar.
Ndaj tre të arrestuarve është ngritur akuza për shkaktim të dëmtimeve të rrezikshme trupore në bashkëpunim.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e përleshjes.