Biznese vendore, kompani dhe investitorë nga diaspora po takohen në Gjilan për të shqyrtuar mundësi konkrete investimi dhe partneriteti. Në forum prezantohet edhe një platformë digjitale që synon lidhjen e drejtpërdrejtë të diasporës me sektorin privat në Kosovë.
Në Gjilan është mbajtur këtë të enjte, më 8 tetor, “Anamorava Economic Forum 2026”, një ngjarje ekonomike që synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet bizneseve vendore dhe sipërmarrësve shqiptarë nga diaspora.
Forumi organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Universiteti Publik “Kadri Zeka”, me mbështetjen e Caritas Switzerland. Në të marrin pjesë përfaqësues të bizneseve, investitorë nga diaspora, institucione publike, komuna dhe partnerë zhvillimorë.
Në qendër të diskutimeve janë potenciali ekonomik i rajonit të Anamoravës, sektorët që ofrojnë mundësi për investime dhe projektet që mund të zhvillohen në bashkëpunim me kapitalin dhe përvojën e diasporës.
Përfaqësuesit e komunave të Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës pritet të paraqesin resurset lokale, përparësitë konkurruese dhe mundësitë konkrete që u ofrohen investitorëve.
Një pjesë e rëndësishme e forumit janë takimet e drejtpërdrejta B2B ndërmjet kompanive vendore dhe bizneseve të diasporës. Synimi është që pjesëmarrësit të mos kufizohen vetëm në diskutime, por të krijojnë kontakte, të identifikojnë partnerë të mundshëm dhe të shqyrtojnë bashkëpunime konkrete.
Në kuadër të aktivitetit është paraparë edhe prezantimi i një platforme digjitale B2B, e krijuar për t’i lidhur bizneset në Kosovë me kompanitë dhe investitorët shqiptarë jashtë vendit. Platforma është zhvilluar përmes një projekti të zbatuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Caritas Switzerland.
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër u ka bërë thirrje anëtarëve, sipërmarrësve dhe kompanive shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të krijuar kontakte të reja dhe për të zhvilluar partneritete me bizneset në Kosovë.
Forumi ka rëndësi të veçantë për diasporën shqiptare në Zvicër, Gjermani dhe shtetet e tjera evropiane, pasi ofron një kanal më të drejtpërdrejtë për informim rreth projekteve, gjetjen e partnerëve dhe shqyrtimin e mundësive për investime në Kosovë.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit “HOME – Holistic Opportunities for Migrant and Diaspora Engagement”, të zbatuar nga Caritas Switzerland dhe të financuar nga Qeveria e Lihtenshtajnit.
Deri në mesditë nuk janë bërë publike marrëveshje ose investime konkrete të përfunduara. Rezultatet e forumit dhe bashkëpunimet eventuale pritet të bëhen më të qarta pas përfundimit të takimeve ndërmjet bizneseve.