Engjëjt me krahët e Shqiponjës në Muzeun e Vjenës

Diaspora

Engjëjt me krahët e Shqiponjës në Muzeun e Vjenës

Nga: Ajete ZOGAJ Më: 1 dhjetor 2014 Në ora: 19:04

Vjenë – Prishtinë - Përmes një email-i piktorja akademike Barbara Gashi, njofton se në muajin nëntor janë vendosur dy Engjëj nga Skulptori i mirënjohur Destan Gashi në muzeun Lihtenshtajn në qendër të Vjenës.
Ajo tregon se, ‘Engjëlli’ i skulptorit kosovar Destan Gashi ‚“lind“ në muajin mars të këtij viti në atelienë e tij.
Arsyeja ishte se është bërë një renovim i shtrenjtë dhe i gjatë në Pallatin e Lihtenshtajnit, i cili është njëri nga më të bukurit nga pallatet në stilin Barok të Vjenës.
Shumë gjëra të brendshme janë restauruar në vitet e fundit, sidomos mobilari në stilin Barok, abazhurë nga shekulli 18-të, skulptura nga mermeri e tjera.
Në kohën e renovimit Historianët e Artit duke vërejtur se mungojnë dy abazhur me Engjëj, kështu që mbas kërkimeve kanë zbuluar se lusterët i ishin dëmtuar dhe humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kështu kanë vendosur të rekonstruktohen.
Prej origjinaleve kanë mbetur vetëm disa fotografi. Skulptorit Destan Gashi iu ngarkua që të përpiqej të ribënte Engjëllin e kolonës së mesit duke u bazuar në këtë material shumë te pakët që kishte mbetur.
Për 53 ditë Destan Gashi ka punuar pa asnjë ditë pushimi, sepse ai ishte i obliguar ta përfundonte Engjëllin në argjilë para ekspozitës në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, të cilën e kishte në muajin prill të vitit 2014.
Puna ishte mjaft e vështirë për skulptorin Destan Gashi, sepse në një anë ai ishte i obliguar ta bënte Engjëllin në pozitën e njëjtë të Engjëllit të mëparshëm, por në anën tjetër nuk ka pasur model. Kështu që ka punuar më tepër me fantazi për realizimin e Engjëllit me krahët e Shqiponjës.
Pas realizimit në argjilë, Engjëlli dërgohet në Pragë në Çeki ku janë derdhur dy Engjëj binjak në bronz.
Në verë një Komision kulturor i Muzeut ka inspektuar punën e Destanit dhe ishin shumë të kënaqur.
Engjëjt në fund i mbështjellin me ari, i vendosin në abazhur në Pallatin e Vjenës me 12 nëntor të këtij viti, ku ishin prezent mjaft njerëz dhe gazetar.
Piktorja Barbara, njofton se, gazetarja Austriake Jopie den Dulk për punimin e Engjëllit është shprehur: “Destan Gashi duke ia arritur qëllimit me veçanti dhe Engjëjt e tij fluturojnë në shtëpinë e tyre, aty ku e kanë vendin dhe shikojnë poshtë mbi njerëzit me një kënaqësi të ringjallur në jetë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat