Federata Vatra mbështet vizitën e sekretarit shtetit John Kerry në Tiranë - Bota Sot
Federata Vatra mbështet vizitën e sekretarit shtetit John Kerry në Tiranë

Diaspora

Federata Vatra mbështet vizitën e sekretarit shtetit John Kerry në Tiranë

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 15:08

Në një deklaratë të lëshuar nga Federatat Panshqiptare e Amerikës VATRA ne SHBA, mbështetet vizita e Sekretarit të Shtetit Kerry dhe kërkohet konsensus qeveri - opozitë për reformën në drejtësi.

Gjithashtu Federata Vatra vlerëson lart punën e ambasadorit Donald Lu dhe e gjen veten tërësisht në deklaratat dhe qëndrimet e tij.

Lidhur me problemet e rënda të konstatuara gjatë zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, si kriminali imi i listave te kandidateve, shitblerja e votës, etj., Vatra shpreh bindjen se kjo temë do të jetë gjithashtu pjesë e bisedimeve me Sekretarin Kerry. Vetëm dekriminalizimi i politikës e institucioneve dhe garantimi i zgjedhjeve te lira e të ndershme do të ishin garancia e duhur për stabilitetin ne Shqipëri, e me gjerë.

Në vlerësimin e Vatrës, kjo vizitë është një mundësi e mirë për politikanët shqiptarë që të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe të vendosin çështjet e rëndësishme politike mbi interesat partiake dhe personale.

Ja Deklarata e plotë e Vatrës:

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA përshëndet me mirënjohje të përzemërt vendimin e Sekretarit të Shtetit të SHBA John Kerry për të vizituar Shqipërinë, si një akt që tregon rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, si dhe synimin e SHBA për rritjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur debati politik përmban një sërë çështjesh të rëndësishme ende të pazgjidhura dhe shqetësuese për partnerët dhe miqtë tanë, por edhe kur shoqëria shqiptare po përjeton një krizë të thellë besimi dhe ekonomike, e pasqyruar qartazi në rritjen e emigrimit të qytetarëvet drej vendeve të BE.

Kjo vizitë është një mundësi e shkëlqyer për politikanët shqiptarë për të rritur përgjegjshmërinë e tyre ndaj pubikut dhe përmbushjen e detyrave të marra përsipër.

VATRA pret që, në temat të cilat do të diskutohen me këtë rast, të zërë vend me rëndësi realizimi i një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, duke e pare atë si një rrugëdalje të mirë nga qerthulli i korrupsionit dhe padrejtësive, por edhe që do të ngrinte lart besimin e munguar të publikut tek institucionet e drejtësisë. Reforma në dretësi do të hapte rrugën për ecje të mëtejshme drejt shkëputjes nga trashëgimia e rëndë e diktaturës së kaluar. Kjo reformë do të ishte jetëgjatë dhe e frytshme vetëm nëse do të arrihej nëpërmjet një konsensusi mes Qeverisë dhe Opozitës, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Gjithashtu, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me problemet e rënda të konstatuara në zgjedhjet e fundit vendore 2015, vecanërisht shitblerja e votës dhe kandidimi i personave me rekorde kriminale, shqetësimë të konstatuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të një rëndësie jetësore për demokracinë dhe garantojnë stabilitetin e Shqipërisë.
Çështja e sigurisë në përgjithësi është një temë e rëndësishme me interes për të dy palët, por, për palën shqiptare, përqendrimi i vemendjes tek siguria në territoret shqiptare, ka një rëndësi të veçantë, duke patur parasyshë rritjen e influences së organizatave terroriste dhe manipulimet nga armiqtë tanë shekullorë.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA e gjen tërësisht vehten në deklaratat e Ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu duke e falenderuar publikisht për punën e tij të shkëlqyer.

Duke përfituar nga ky moment diplomatik, VATRA shpreh publikisht respektin më të thellë për punën dhe personalitetin e Sekretarit të Shtetit John Kerry, e siguron për ndjenjat më të thella të mirënjohjes për mbështetjen e saj të pakushtëzuar për çdo nismë lidhur me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare.

Së fundi, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, në traditën e saj më se njëshekullore, rikonfirmon qëndrimin e saj për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e miqësisë mes dy shteteve dhe popujve tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...