Kampionia Klodiana Shala mes lotësh merr titullin “Mjeshtër i Madh”

Diaspora

Kampionia Klodiana Shala mes lotësh merr titullin “Mjeshtër i Madh”

Nga: Beqir Sina Më: 14 korrik 2016 Në ora: 17:34
Klodiana Shala

E vetmja shqiptare që ka prekur katër herë Lojrat Olimpike, Klodiana Shala është vlerësuar sot me titullin më të lartë në vend “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në ceremoninë e zhvilluar ditën e sotme në ambientet e Presidencës mes miqsh e kolegësh të atletes, Presidenti Nishani, gjatë fjalës së tij përmendi arritjet në sportin e atletikës të Shalës, ku veç të tjerave vlerësoi faktin se Shala që në moshën 16 vjeçare refuzoi kërkesën e Greqisë për të qenë përfaqësueseja e saj, dhe zgjodhi Shqipërinë dhe vendin e saj. Tepër e emocionuar, me lot në sy dhe zërin e brishtë Shala mbajti një fjalim të shkurtër dhe plot mirënjohje! “I nderuar  Z. Presidenti Republikës, të nderuar miq dhe dashamirës! Unë  dëshiroj t’ju falenderoj nga zemra për nderin dhe vlerësimin që po më bëhet sot nga institucioni më i lartë i vendit tim. Ishte një rastësi, po një rastësi e bukur ama, fakti që vetëm para 4 ditëve shoqja dhe mikja ime Luiza Gega zuri vëndin e dytë në Europë, duke treguar se edhe pse në mungesë të plotë të vëmendjes, kujdesit dhe mbështetjes nga ana e strukturave të qeverisë, falë vullnetit dhe sakrificave mbinjerëzore atletët shqiptatrë arrijnë të mbajnë lart emrin e Shqipërisë duke u kthyer në ambasadorët më të mirë të saj. Kujtoj si sot se sa krenare më bënte të ndihesha mbajtja e flamurit më të bukur në botë. Prandaj edhe unë jam tepër e emocionuar për vlerësimin që vendi im po i bën vite e vite sakrificash të mia për atletikën. Ju falenderoj të gjithëve”!


Motivacioni i dekoratës cilësonte se titulli “Mjeshtër i Madh” u dha “Për veprimtarinë e shquar dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura si sportiste e nivelit të lartë në atletikë, gjatë veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e renditur Shqipërinë në majat më të larta të sportit”!


Klodiana Shala njihet si atletja shqiptare që ka thyer më shumë rekorde kombëtare dhe ka fituar më shumë medalje, mbi plot 50 të tilla. Po ashtu, ajo është rekordmenia absolute në 50, 100, 200, 400 metrave, dhe 110 metrave. Sot, altetja 36-vjeçare përfaqësuese e Shqipërisë në 4 olimpiada: “Sidnei 2000”, “Athinë 2004”, “Pekin 2008” dhe “Londër 2012” është drejtuese e palestrës “Kinetic Fitness”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat