Ndue Përlleshi- Një luftëtar i shquar i Shqipërisë Etnike

Diaspora

Ndue Përlleshi- Një luftëtar i shquar i Shqipërisë Etnike

Nga: Harry Bajraktari Më: 17 gusht 2016 Në ora: 00:03
Harry Bajraktari

 Zbulimi i shtatores së Ndue Përlleshit në Klinë më 17 Gusht, si dhe organizimi i një Akademie përkujtimore për këtë luftëtar dhe figurë të shquar kombëtare, ku hapësira e tij e veprimit si kryengritës kundër pushtimit serb në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj, shtrihej në Lugun e Drinit dhe në pjesët tjera të Dukagjinit, Llapushës e Drenicës, rikujton një periudhë tejet të rëndësishme të historisë sonë kombëtare në përpjekje për krijimin e Shqipërisë etnike. Kjo shtatore e ngritur në Sheshin "Ndue Përlleshi" në qendër të Klinës ka një mesazh madhor, se e ardhshmja ka perspektivë vetëm duke respektuar të kaluarën, të gjithë ata që ranë në mënyra dhe vende të ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e tokave shqiptare. Ndue Përlleshi me grupin e tij nga viti 1944 e derisa ra heroikisht në vitin 1949 në Iballe të Shqipërisë, luftoi forcat pushtuese serbe në Kosovë dhe komunizmin, si një të keqe që do të ngulfate perspektivën shqiptare.

Ndue Përlleshi, i lindur në Paskalicë të Lugut të Drinit, do të ndjekë traditën e luftëtarëve të kësaj ane kundër pushtuesve të shumtë në tokat tona. Ai iu kundërvua politikës serbe shfarosëse ndaj shqiptarëve dhe udhëheqësit të Brigadës së Shtatë, Shaban Haxhisë që dërgonte dhunshëm luftëtarët tanë në Frontin e Sremit dhe në frontet tjera jashtë Kosovës. Më 1945 me guerilën e tij ishte në krah të Shaban Polluzhës dhe rëniën e tij në Terstenik bashkë me Mehmet Gradicën, e përjetoi si një tragjedi të rëndë kombëtare. Nga kjo periudhë, kur Lufta e Drenicës u shua me gjak, në anën e Lugut të Drinit, në Llapushë dhe në hapësirat tjera të Dukagjinit me kryengritësit e tij, vazhdoi rezistencën kundër ushtrisë serbe dhe forcave komuniste. Në këto përpjekje për lirinë e Kosovës, ai bashkëpunoi ngusht me krerët e tjerë të forcave nacionaliste shqiptare, sidomos me shkodranen e famshme Marie Shllakun, Ukë Sadikun, Mehmet Agë Rashkocin, profesor Ymer Berishën, ndërsa gjatë pushtimit italian kishte njohur e bashkëpunuar me Abaz Kupin, Mark Gjon Markun, Muharrem Bajraktarin, Bajraktarin e Vranocit në Lug të Baranit dhe personalitete te tjera nacionaliste të asaj periudhe. Në këtë kohë Ndue Përlleshi kishte qenë kryetar komune në disa vende të Dugkagjinit dhe në Has.

Pasi një numër i luftëtarëve të tij në vjeshtën e vitit 1945 kishte rënë në luftën e ashpër të Jellovcit, përkatësisht në Çeli, ku ishte plagosur edhe Marie Shllaku, Ndue Perlleshi dhe nacionalistetët tjerë të NDSH-së e kishin të vështirë të rezistonin kundër forcave të shumta të OZN-ës, të cilat ndihmoheshin edhe nga të mobilizuarit e dhunshëm civilë.

Ky luftëtar dhe patriot i shquar i anës së Lugut të Drinit, duke qenë i rrezikuar nga forcat serbe të OZN-ës, kalon në Shqipëri, por atje përballet me forcat e sigurimit të Enver Hoxhës dhe bie heroikisht në Bjeshkët e Iballës.

 Shtatorja e këtij luftëtari në sheshin e qytetit të Klinës ka një domethënie dhe një porosi, se duhet të punojmë më shumë që ta forcojmë shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe viset shqipetare ne Ballkan.

 

 Harry Bajraktari

 New York, 2016.

 

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i Komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat