Mërgimtari kthehet i zhgënjyer në Suedi: Ngjarja shokuese që më ndodhi me nënën në spitalin dhe barnatoren në Prizren

Diaspora

Mërgimtari kthehet i zhgënjyer në Suedi: Ngjarja shokuese që më ndodhi me nënën në spitalin dhe barnatoren në Prizren

Nga: M.L. Më: 28 gusht 2016 Në ora: 19:47
Prizreni

Zhgënjimi i mërgimtarit Urim Kabashi me realitetin e hidhur në Kosovë

Urim Kabashi nga Suhareka, i cili jeton dhe vepron në Suedi, ka dërguar një letër në adresë të gazetës “Bota sot”, me anë të së cilës shpreh zhgënjimin e tij të madh për gjendjen në Kosovë.

Ai tregon përvojën e hidhur që e përjetoi gjatë kësaj vere me nënën e tij të sëmurë.

Shprehet i zhgënjyer për gjendjen në shëndetësinë vendore duke filluar nga mungesa e infrastrukturës e deri tek sjellja e farmacistëve dhe mjekëve në spitalin ku ishte e shtrirë nëna e tij.

Urim Kabashi ankohet edhe për çmimet e larta të produkteve dhe shërbimeve shëndetësore në Kosovë dhe brengoset për faktin se qytetarët e Kosovës me këtë standard jete nuk mund t`i përballojnë këto çmime./BS

Për më tepër, kjo është letra e Urim Kabashit:

Vizita në Kosovë

Unë me familjen time në këtë verë u nisem për Kosovë, me gëzim se do ti takojmë prindërit, të afërmit tonë të dashur me të cilët kënaqemi sa here që shihemi. Rrugës me makinë nga Suedia mbizotëronte muzika shqipe në makinë.

Edhe një pjese e farefisit që jeton jashtë Kosovës kishin ardhur në Kosovë, kështu që nuk kurseheshin mbrëmjet, shakatë, shëtitjet, me shkurt të them u kënaqem.

Kishim planifikuar pushim një muaj. Dy javët e para në Kosove ishin fantastike, me vizita të ndryshme në qytetet e Kosovës, vizita e të afërmve e shumë e shume kënaqësi tjera.

Mbas 2 javëve nëna ime që jeton në Kosovë dukej pak si e lodhur dhe kishte dhimbje barku. Shkoi te mjeku ti bënte disa analiza .

Pas disa orëve më thirri më tha: Eja më merr, më qo në spital se analizat e gjakut nuk qenkan mirë. U shqetësova menjëherë, po shpejtova edhe e mora e dërguam në spitalin regjional të Prizrenit.

Aty filloj të më rrëqethet trupi me afrim në hyrjen e spitalit.

Në fillim ishte roja që duhej paguar parkingun, ia dhamë 1 euro edhe u futëm në oborrin e spitaleve, mezi e gjetëm një vend për ta parkuar edhe atë e futem gjysmën e makinës në thera. Mungonte një parking shtëpize aty edhe kush mundej e parkonte ku mundej pa marr parasysh a e bllokon një makine tjetër. Ashtu edhe ne ia bëmë se nuk kishte zgjidhje tjetër. E gjetëm spitalin ku duhej të vendosej nëna që ishte lodhur shumë. Erdhi doktori edhe me të paren na priti mirë, i shikoi analizat e gjakut, tha se duhet të qëndroj këtu për disa ditë se dyshonte mos e kishte Hepatitin C (sarillakun). I shikoi ilaçet që ia kishte qitur një mjek më herët . E luajti kokën edhe tha kush është ai ”KALI” që i ka qit këto ilaçe, këto nuk janë për këtë sëmundje. Akoma pa shikuar më thellë. Më tha një analizë t`ia bësh privat se këtu nuk ka. Më shkroi një letër edhe më tregoi se ku duhet edhe shpejt, shpejtova me nënën edhe ia bëra analizën. Më tha eja në ora 17.00 merre rezultatin. I thash sa duhet më tha me fjalë shumë të ëmbla 20 euro. Ia pagova pa fjale, ai e nxori kuletën qe e kishte në xhepin mbas edhe i futi 20 euro në kulete.

I morëm në ora 17.00 rezultatet, nuk e kishte sarillakun, u ndiem mirë, pastaj më dha një letër tjetër, më tha këto ilaçe duhen në barnatore. Ika me vrap në barnatore për ti marr ilaçet vetëm ia qita letrën përpara farmacistes, se shumë vështirë ishte ta lexoje vet çfarë ilaçi ishte. Pa më pyet fare mi dha ilaçet edhe aty dikund 12,50 cent, (kupon fiskal nuk më dha) shkova te spitali ia dhashë mjekut ilaçet, doktori më tha ky është zëvendësim nuk është ai ilaçi që e kam shkruar, shko tha merre atë që e kam shkruar. Përsëri shkova ajo farmacistja për t`ja kthyer ilaçin ishte arrogante sa të duash, më tha nuk e kemi at ilaç prandaj duhet zëvendësimi,. Unë i thash por pse nuk më tregove që nuk e keni edhe e kërkoj në një barnatore tjetër . Mi ktheu paratë.

Në barnatoren tjetër që ishte 10 metra larg nga ajo e gjeta ilaçin, por ketë farmacistet po ja futin çmimin sa po duan vet, i kërkova kuponin fiskal, më tha me kupon fiskal është 1 euro më shumë ama hajt merre me at çmim.

O thjesht më thanë po të shohim që je pak si i ndjeshëm për atë luajnë me ndjenjat tona, edhe mundohen të përfitojnë në maksimum.

Erdha te nëna që ishte shtrirë në një dhomë që ishte shumë e vjetër, tepihu plastik në tokë ishte grisur rrethit. Ato tavolina të vjetruara, shtretërit e lartë. Ishte në katin e parë cka të shikoje jashtë nga dritarja therat ishin rritur nga 2-3 metra, bari i pakositur, bërllok sa të duash, era vinte sapo e çelje dritaren kishe për tu ajrosur, më shkurt i ngjante një ferri. I thash moj nëna ime ti këtu paske me u sëmurë edhe më shumë. Shkova ta thirri doktorin se infuzioni nuk i rridhte mirë, kur shkova e hapa derën, një infermiere ishte duke pirë cigare edhe redbull në dhomën e mjekëve. E thirra për t`ia rregulluar infuzionin, tha për 5 minuta vij. Erdhi me kohe ashtu siç tha, kur u fut në dhomë e solli edhe erën e duhanit me vete, duart aspak të dezinfektuara , e rregulloi at zorrën edhe iku.

Kështu qëndroi nëna disa ditë në spital. Mjeku i mbrëmjes i jepte ilaçe tjera kurse ai i ditës tjera, ju bene aty ilaçe me thes, (të gjitha nga xhepi ynë) . Ai e akuzonte at mjekun që pse këto ia ka dhënë, ky tjetri shitej me i mençur dhe thoshte se këto nuk janë për ´këtë sëmundje. Ne vetëm i shikonim. Nuk kishim ç`të bënim sepse nuk merrnim vesh asgjë.

Ia caktuan CT-në, shkuam bashkë, plot njerëz në korridore. E pyetëm një infermierë ku duhej të shkonim, ajo ishte veshur me take të larta që unë frikësohesha mos po rrezohet, minifund, që nuk i shihej aspak sepse mantela ia kishte mbuluar, të tërin thonjtë i kishte të rritur, e lyer e ngjyrë që ta merrte mendja që mbas punës direkt ka për të shkuar në banket. Na tregoi me një mendjemadhësi. Çfarë orari i punës është ky? Një plakë tjetër e kishte pasur një të afërm aty brenda edhe e hutuar e pyeti po të njëjtën infermiere se ku është aty që futen në CT, o zot mezi ia kthej përgjigjen, edhe ia beri me dorë qaty diku, mbeti plaka edhe më shumë u hutuar.

E kreu nëna incizimin, erdhi rezultati të nesërmen, na thirri mjeku, na tha qone në Prishtinë për në rezonance magnetike, aty veç privat është, u detyruam që të shkojmë te spitali Amerikan edhe aty e shikuan na treguan çka ka nuk pritem fare në rend 266 euro i paguam. Çdo gjë shkoi mirë, por për njerëz që kanë të ardhurat e Kosovës është shtrenjtë 266 euro një incizim .

U drejtuam te spitali i shtetit në kirurgjinë abdominale. E takuam aty një doktor shumë të mirë që na ndihmoj shumë, por edhe na tregoi që e ka ordinancën e tij private, që edhe aty mundeni me ardhur. Ia caktoj një kohë për operacion por tha fillimisht po provojmë të futemi nga goja me anë të një gypi.

Mbas dy ditëve erdhëm siç e patëm afatin e caktuar, ne ora 8:00 erdhëm në rend në ora 11.30 sepse doktori e kishte një rast urgjent me një pacient sepse e kishte përbirë një brisk, e kishte hequr zahmet doktori deri sa ja ka hequr briskun prej fyti a barku, ( aty vinin lajmet menjëherë , a të vërteta a rrena nuk e di).

Më thirri mua doktori, më tha shko merre këtë Plomoton (mund të mos jem i saktë në emër) të barnatore TOSI në Prishtine të rrethi në të djathte përpjete përafërsisht 100 metra nga rrethi, më shkroi doktori krejt.

Shkova u nisa me motrën e gjeta diqysh tu pyet .

Ia qita letrën një farmacistes , me tha pak para teje e mori një pacient këtë të fundit. Nuk kemi ama mund të presësh e porosisim 30 minuta zgjat , i thash dakord. Më tha më vjen keq që të them por kjo është e shtrenjte 200 euro kushton, krejtve ju tregoj që shtrenjte është se më vjen shumë keq tha farmacistja. I thash nuk ka problem porosite, ne po dalim edhe vimë pas gjysme ore. Mbas gjysme ore shkuam edhe kishte ardhur aj far gypi 200 euro. Ia pagova 200 euro, me tha faleminderit, i thash ma jep kuponin fiskal, o tha jo se pastaj nuk mundesh ta kthesh nëse nuk i bjen taman. Erdhi një djalë tjetër pak si i pa rruar, më tha prit ta shpjegoj unë, mirë i thash po të dëgjoj: Tha nëse ti e merr kuponin fiskal malli nuk kthehet sepse figuron që është shitur . Unë i thash po o zotëri por nëse unë e kthej mallin atëherë si dëshmi që e kam blerë më duhet kuponi fiskal me numrin organizativ. Tha jo nuk është ashtu, se ty të mbaj mend unë. Me këmbëngulje ju thash e dua kuponin fiskal , sepse kësaj Kosove të shkrete duhet me i hy tatim dikah, nuk bën në të zezën se kurrë shtet nuk mundemi të mbajmë, me tatimin tënd ti i ndihmon Kosovës, lagjes tënde, shëndetësis së Kosovës, shkollave etj, u ndjeva shumë i frustruar. Aiii më tha (vajza) a ti paske mbetur me i rregullu punët e Kosovës a? I thash po pikërisht unë bashkë me ty edhe me të tjerët. Hajt hajt më tha se po të djegin ty qato 200 euro, ani në kurubet kishe po jeton. Unë i tregova që këtu nuk është punë gurbeti por kjo është plaçke që i beni popullit, po ma jep kuponin fiskal ose e lajmëroj policinë financiare, (nuk e di a ka polici financiare që është funksionale). Ma dha kuponin fiskal edhe më tha kurrë mos eja se nuk ta kthej ma produktin.

Lere që u lodha nga mërzia e nënës që ishte e sëmure, por u zhgenjeva shumë, sepse shumë të tjerë e kanë të njëjtin fat.

Shkova në dhome ku ishte nena. Aty ishin edhe dy gra të sapo operuara, flisnin qanin hallet me njëra tjetrën se këtë e blejta kaq, këtë tjetrën kaq, këtu mi ka shkru doktori me i ble nuk po kam pare, ka shkuar djali me i lyp do pare borxh. Ishalla vjen ma shpejt, e çka mos dëgjoje. Kapaku i kokës më vlonte nga njerëzit që i dëgjoja që nuk kishin, e doktorët bashke me motrat medicinale (jo të gjithe) shëtiteshin si mbretër, besa besë edhe shumë shpesh e ngritnin zërin para pacientëve të sëmurë.

E lash nënën në spital, u përshëndeta me lot në sy, akoma po me dhemb shpirti për të edhe për plot të tjerë që janë aty. Të gjithëve ju dëshiroj shërim të shpejt.

Erdha në Suedi fillova punën, e shikoja ndryshimin këtu se si është, si jetojnë të gjithë të qetë, mendja më shkon aty ku e lash nënën time në dorën e orrlave që veç presin me të marr pare.

Shume padrejtësi ka në Kosove, çdokund është korrupsioni, s’mundemi kështu me mbajt shtet kurrë. Jemi shumë mbrapa, ai që vjedh ne i themi ”bravo i zoti është” ai që mundohet me djersë i themi budalla ose mundohemi t´a grabisim qato që i ka fituar. Ai që hap biznes e kërcënojnë me para.

Ndoshta nuk kam qenë i qarte por e kam shpreh zhgënjimin tim për vendin tim. Unë i kam mundësitë të paguaj ilaçe e operacione, por ata që marrin rrogë në Kosovë a duhet të vdesin a?

Cdokund has njeri në padrejtësie dhe padrejtësi ashiqare. Unë e dua Kosovën, por po kam frike se kurbetqarët dalëngadalë nuk kanë për t`i kaluar pushimet më në Kosovë, por do të zgjedhin një vend tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat