IDEAL-istët e Gjermanisë - një shembull i shkëlqyer i Diasporës Shqiptare

Diaspora

IDEAL-istët e Gjermanisë - një shembull i shkëlqyer i Diasporës Shqiptare

Nga: Mimoza Cika - Kelmendi Më: 27 tetor 2016 Në ora: 13:06
Foto ilustruese

Tetori, muaji më i bukur i vitit dalëngadalë po përfundon.....Ngjyrat karakteristike të vjeshtës së Tiranës shoqërohen prej vitesh edhe me ngjyrat e flamurit gjerman: zi - kuq - verdhë. Tetori i dikurshëm i Letërsisë sot njihet edhe si Tetori Gjerman.

Këtë vit sikurse edhe në vitet e kaluara, Ambasada gjermane në Tiranë së bashku me shumë institucione dhe shoqata të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj ofrojnë një sërë aktivitetesh kulturore-artistike, një prej të cilave ishte edhe hapja e Ekspoziës “ZOOM – 7 Art Fotografik“ nga Dyseldorfi në hollin qëndror të Muzeut Historik Kombëtar  në prezencën e Ambasadores së Gjermanisë, Sussane Schütz, të Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe të Konsulles së Nderit të Shqipërisë në Gjermani, Anduena Stephan.Qëllim i ardhjes së 7 artistëve në Tiranë është të sillnin aty më të mirën e fotografisë gjermane, më bashkëkohoren e aparatit fotografik. Dhe siç theksoi kuratori gjerman i kësaj ekspozite, Wolf Aschenborn „Kultura është lidhja më e mirë mes vendeve”.

Por ardhja e kësaj ekspozite për herë të parë në Tiranë nuk është realizuar rastësisht. Ajo vjen falë bashkëpunimit ndërkulturor mes dy vendeve në bazë të një Marrëveshje të nënshkruar mes dy qeverive para një viti në Berlin. Madje ky është projekti i katërt kulturor gjermano-shqiptar, i mundësuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Zyra e Kulturës e Kryeqytetit të Landit, Dyseldorfit.

Natyrisht që Marëveshje të tilla janë të mirëpritura për të dyja palët, aq më shumë kur bëhet fjalë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Por ajo që mundëson realizimin konkretisht të këtyre Marrëveshjeve protokollare, është Diaspora shqiptare, janë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në këtë vend dhe që me shumë vullnet dhe pasion japin kontributin e tyre për të realizuar aktivitete të tilla siç ishte edhe kjo Ekspozite në Tiranë. Bëhet fjalë për Shoqatën shqiptaro-gjermane „IDEAL“ e cila prej vitesh është kthyer në një Urë lidhëse bashkëpunimi mes dy vendeve.

Artistët  gjermanë në Tiranë erdhën nga Dyseldorfi, kryeqyteti i Landit gjerman NRW me 17, 5 milionë banorë dhe mbahet edhe si vendi nr.1 i panaireve tregtare në mbarë botën. Volumi i tregtisë së kësaj Republike arrin në 385 miliardë euro. Pikërisht këtu jetojnë edhe rreth 50 mijë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Kjo Republikë dhe kryeqyteti i saj tashmë kanë krijuar një lidhje të ngushtë tradicionale me shqiptarët. Prej vitesh ato janë kthyer në një arenë të madhe komunikimi mes institucioneve gjermane dhe ato shqiptare. Jo më larg, por vitin e kaluar(2015) u organizua „Nëntori shqiptar“ në Dyseldorf nga Konsullata e Nderit dhe Shoqata  “IDEAL“ me seli në Esen. U mirëpritën jashtëzakonisht mirë  dy evinimente: Ekspozita figurative „Rrugëtim shqiptar“, e para e këtij lloji në Gjermani, në mjediset e Landtag-ut (Parlamentit të landit) të Reninisë Veriore Vestfalisë, (NRW) si dhe Koncerti -Gala në sallën e njohur Robert Scumann, me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë: Eda Zari, Ervis Gega, Dren Abazi & ZigZag Orkestër si dhe e balerinëve të TKOB-së.

Pjesë e Nëntorit Shqiptar ishte edhe aktiviteti rinor i titulluar „We Are Europe“, slogan bosh apo realitet?,  i cili u zhvillua në Esen. Programi përfshinte një bashkëbisedim politik midis të rinjve dhe përfaqësuesve të politikës nga Gjermania, Shqipëria dhe Kosova rreth perspektivës evropiane dhe integrimit të të rinjve shqiptarë dhe kosovarë.

Duke pasur parasysh se ky land është vendi kyç në botë, pasi 16 nga 50 kompanitë më të mëdha në Gjermani e kanë selinë e tyre në këtë land, vitin  e kaluar nëTiranë u zhvilluaTryeza e Rrumbullakët “Ditët e dialogut Shqipëri-NRW”, e organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë në bashkëpunim me Konsullen e Nderit të Shqipërisë në Esen, zonjën Anduena Stephan si dhe nga Shoqata Integrative Gjermano-Shqiptare, IDEAL. I pranishëm ishte edhe Sekretari i Shtetit për Ekonominë, Energjinë, Bizneset e Mesme dhe Profesionet e Landit të Renanisë Veriore- Vestfalisë, Dr. Günther Horzetzky i cili u prit nga Ministrat: Arben Ahmetaj, Edmond Panariti, Erjon Veliaj.

Por themelet e një bashkëpunimi më të gjerë ekonomik gjermano - shqiptar veçanërisht me landin NRW u hodhën qysh në nëntorin e vitit 2013, kur në qytetin e Esenit u zhvillua Konferenca e parë ekonomike gjermano - shqiptare. Edhe kjo Konferencë u mbajt me iniciativën e Shoqatës Integrative Gjermano - Shqiptare, IDEAL, Presidente e së cilës është zonja Stephan.

Vetë Shoqata (IDEAL), është një bashkim i individëve, shoqërive dhe institucioneve gjermano-shiptare, me qëllim kryesor nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit në fushën e integrimit, ekonomisë, si dhe në aspektet shoqërore dhe kulturore të marrëdhënieve dypalëshe.

IDEAL mbështet integrimin shoqëror të emigrantëve shqiptarë duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe kulturën e tyre si dhe mundëson shkëmbimin e përvojave dhe të dijeve ndërmjet individëve, institucioneve dhe kompanive.

Idealistët si: Anduena, Albani, Silva, Etleva ,Mimoza, Bekimi...etjer..etjer janë një shembull model i shqiptarëve në Diasporë; të cilët përpiqen me dinjitet të ofrojnë para qytetarëve gjermanë një Shqipëri europiane me vlerat më të mira të saj, ndërsa në Tiranë të sjellin më të mirën gjermane për të cilën kanë nevojë shqiptarët.

Të mos harrojmë po ashtu se: Të gjitha projektet e bashkëpunimit bilateral gjermano-shqiptar kanë për qëllim anëtarësimin sa më shpejt të Shqipërisë në BE dhe forcimin e bashkepunimit duke vënë diasporen si urë më optimale lidhëse për forcimin e këtij bashkëpunimi në qendër të tij. Ekspozita e suksesshme e artistëve gjermanë në Tiranë dëshmoi edhe një herë se shoqata IDEAL – me presidente Anduena Stephan është një urë solide mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Le të shpresojmë tani se Samiti i Diasporës shqiptare më 18 nëntor do të jetë një fillim i mirë për më shumë vëmendje dhe përfaqësim më serioz të shqiptarëve kudo në botë nga Tirana zyrtare.

Pasi ...projekte të tjera na presin..........

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat