Kronikë e ditëve me flamur

Diaspora

Kronikë e ditëve me flamur

Nga: Laver Niku Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 14:52
Shqiptaret ne Diaspore me flamuj

Pesëmbëdhjet vite më parë e elektronike tek godina e lartë e PECO-s me urimin për ditën e pavarësisë së Shqipërisë, dhe më e rëndësishmja, ngritja e flamurit tonë kombëtar tek sheshi i bashkisë së qytetit, filluam me një mbrëmje festive për ditën e flamurit. Kështu vazhduam për disa vite me radhë, por me ndryshime nga viti në vit.

Pastaj erdhi viti 2012, 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe diçka më shumë ndryshoi. Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në këtë qytet i nisi më herët përgatitjet. Porositi më shumë flamuj jo vetëm për manifestimin dhe mbrëmjen festive por edhe për t’i shpërndarë ndër familjet e bashkatdhetarëve. Bluzat e kuqe me shqiponjë, flamuj sticker për mbrëmjen dhe manifestimet, realizimi i një reklame ishin të rejat që pasuruan këtë ditë të shënuar për kombin tonë. I njëjti skenar edhe për dy vite të tjera që pasuan. Dhe erdhi 2016-a, më e pasur me veprimtari:

1) 20 Nëntor- Parada e Thanksgiving-ut me Flamur

Ajo zhvillohet rregullisht për 40 vite me rradhë në Northeast të Filadelfias. Ne do të merrnim pjesë për herë të parë. Ishte nisma e antarit të Këshillit Drejtues të Shoqatës, zotit Sadik Elshani, pjesëmarrja jonë në ktë veprimtari dhe mbështetja nga të gjithë antarët e këtij këshilli realizimi i kësaj veprimtarie që ishte edhe një risi për vet këtë paradë ku marrin pjesë çdo vit me dhjetëra e dhjetëra organizata, shkolla dhe institucione të tjera të ndryshme. Shoqata jonë do të merrte pjesë me nxënësit e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, mësues dhe prindër të fëmijëve dhe antarë të Këshillit Drejtues të kësaj Shoqate etj. Fëmijët ishin veshur me kostume kombëtare dhe ndër duar mbanin flamurët e vegjël të Amerikës dhe Shqipërise. Të rriturit, me flamuj të mëdhenjë të dy vendeve, ecnin pas fëmijëve. Dy ditë më parë nënkryetari i shoqtës z. Dritan Matraku kishte siguruar një numër të mirë flamujsh shqiptarë dhe amerikanë, të mëdhenjë dhe të vegjël. Në krye të grupit tonë printe makina e kuqe me një shqiponjë të madhe të pikturuar në kapakun e motorit dhe në dy anët e saj ishin shkruar dy emra të dashur: SHQIPËRI dhe KOSOVA. Labinot Zogaj, një i ri 17 vjeçar i sapo ardhur nga Prishtina ishte shoferi dhe përgjegjësi i muzikës që do shoqëronte grupin. Bashkë me të ishte edhe i vëllai, Arlindi dhe shoku i tyre nga Vlora, Elion Meminaj me detyrën e flamurmbajtësëve.

Ishte një ditë shumë e ftohtë për Filadelfian. Temperatura i afrohej zeros Celsius, por të gjithë, të mëdhenjë dhe të vegjël sikur ngroheshin nga këngët dhe marshet atdhetare dhe valëvitja e flamurëve shqiptar dhe amerikan.

Shikuesit, në të dy anët e Frankford Ave., të tërhequr nga muzika, kostumet kombëtare, dhe flamurët e shumtë mbi kryet tona, herë pyesnin dhe herë thërrisnin: – Albania, Albania !

2) 25 Nëntor- Ngritja e Flamurit

Bashkia e Filadelfias caktoi datën 25 Nëntor për ceremoninë e ngritjes së flamurit tonë kombëtar, dhe do të qëndronte i ngritur deri më datën 29 Nëntor.

Që në mëngjes herët, anëtari i Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” Haki Çollaku kishte vendosur dekorin festiv të përgatitur nga ai prej ditësh më parë, një kopyim flamurësh shqiptar dhe amerikanë dhe në mes të tyre portretet e heronjëve tanë kombëtar Gjergj Kastriot SKënderbeu dhe Ismail Qemali.

Në një kënd të ballkonit gjigand përball ndërtesës së adminstratës së bashkisë së Filadelfias DJ Ervin Cara dhe kameramani “veteran” Florian Bezhani po përgatiteshin për fillimin e ceremonisë. Nga të gjitha drejtimet vazhdonin të vinin bashkatdhetarë të moshave të ndryshme të veshur si për festë. Kryetari i shoqatës z. Tajar Domi kalonte sa nga në anë në tjetrën duke takuar të sapoardhurit,duke kontrolluar nëse cdo gjë ishte gati. Në lëvizje ishin të gjithë antarët e Këshillit Drejtues, nënkryetari i saj Bujar Gjoka, sekretari Vlashi Fili, Llazar Vero, Bujar Çela, Bashkim Bërdufi, Suela Teme, Sadik Elshani, etj.

Ndërkohë nga një kënd i këtij sheshi vijnë një grup të rinjësh, nxënës të Northeast High School. Nuk ishin pak, 20-30-40 djemë dhe vajza që na kanë shoqëruar çdo vit në manifestimet e ngritjes së flamurit që nga 100 vjetori i festimit të Pavarësisë së Shqipërisë. Të gjithë ndjehemi më mirë kur kemi këta të rinjë mes nesh. Ata janë të lidhur shpirtërisht me flamurin, me Shqipërinë, me traditat më të mira të vendit tonë.

Para pak kohësh ata krijuan në shkollën e tyre “Alba Club”, një qëndër që do t’i mbaj ata më afër njëri-tjetrit dhe atdhedashurisë. Disa të veshur me bluza të kuqe ku spikaste shqiponja jonë dykrenare dhe të tjerë me flamujt ndër duar, u futën vrullshëm nën ritmet e valleve tona popullore. Dhe i kërcejnë aq bukur dhe me aq krenari e dashuri sa do t’i kishin zili edhe profesionistët. Pastaj erdhi çasti për ngritjen e flamurit. Pranë shtizës afrohet çifti Elvira dhe Besnik Budo, ndër të parët anëtarë të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Pas nderimit të himnit të Shteteve të Bashuara të Amerikës dëgjohen tingujt e himnit tonë kombëtar dhe flamuri ynë filloi të ngrihet lart dhe më lartë në shtizë pranë shtizës së flamurit amerikan. Të gjithë janë të mbushur me emocione në këto minuta dhe me kokën lart shoqërojnë ngritjen e flamurit tonë. Pas kësaj të pranishmit i përshëndeti z. Llazar Vero, anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës. Në emër të Bashkisë së Fildelfias përshëndeti. zonja Hani White. .

Festa vazhdoi midis tingujve të kengëve nga grupi i fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, që nën drejtimin e mjeshtrit Hamdi Gjana kënduan dy këngë patriotike si dhe valleve shqiptare që kërceheshin aq bukur nga të rrinjtë tanë.. Në mbyllje të kësaj ceremonie të bukur Z. Tajar Domi i ftoi pjesëmarrësit në ambientet e Qëndrës Kulturore të Shoqatës për të festuar dhe gëzuar së bashku.

3) 26 Nëntor – Mbrëmja Festive e Flamurit

Për mbrëmje të tilla shoqata ka më shumë përvojë. Dritani, Llazari dhe Hakiu me kohë kishin biseduar me drejtues të restorantit për menunë, pijet dhe çdo gjë tjeter të nevojshme për mbarëvajtjen e kesaj mbrëmje. Kryetari i shoqatës kishte siguruar këngëtarët e njohur Altin Sulku, Anjeza Ndoi, Nexhip Dida bashkë me instrumentistët, që ishin të gjithë të mirë. Me zërat e tyre të bukur ata sollën këngë nga të gjitha krahinat e vendit tonë, duke plotësuar kështu kërkesat e të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbrëmje.

Por përveç muzikës, këngëve dhe valleve, mbrëmja kishte edhe një kronikë tjetër. Pas ekzekutimit të himneve të Amerikës dhe të Shqipërisë, nënkryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, me një fjalë të shkurtër përshendeti të gjithë pjesëmarrësit dhe u uroi të gjithë bashkatdhetarëve ditën e pavarësisë dhe të çlirimit të Atdheut. Më vonë sekretari i shoqatës zoti Vlashi Fili në emër të Këshillit Drejtues të shoqatës ndau disa vlerësime. Me vlerësimin “Nderi i Komunitetit” u nderua z. Tajar Domi, me vlerësimin “Njeriu i Vitit” u nderua z. Bujar Gjoka, nënkryetar dhe shef i sektorit të financës së kësaj shoqate, me “Çertifikatë Mirënjohje” u nderuan anëtarët e shoqatës z. Sami Zaimaj dhe z. Eldjon Pajollari.

Përsëri këngë dhe valle nga të gjitha krahinat dhe ndërmjet tyre njoftime dhe falenderime të tjera. Një nga këto ishte adhe falenderimi që z. Llazar Vero bëri në emër të shoqatës për djemtë dhe vajzat e Northeast High School, që manifestuan me këngë dhe valle gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit në qëndër të Filadelfias. Pranë tij ishin dhe dy nga pjesëmarrësit në këtë manifestim Arjol Shpuza dhe Toni Hasani, dy nga valltarët më të mirë dhe më të palodhur të këtij grupi. Në fund të falenderimit të tij në shënjë mirënjohjeje ai tha se shoqata me ndihmën e bashatdhetarëve do të siguroj 20 kostume kombëtare për grupin e vallëtarëve të kesaj shkolle.

Mbrëmja festive dukej sikur nuk do të kishte fund. Shumë vonë, pas orës 23.00 filluan largimet e para. Bashkatdhetarër ishin më të gëzuar, më të dashur dhe të ngrohtë me njëri-tjetrin. Ishte Flamuri që i kishte bashkuar.

4) 28 Nëntor- Përsëri për Flamur në Harrisburg

Ditën e hënë, në mëngjes herët, një varg makinash me drejtues dhe anëtar të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, nisen nga Filadelfia drejtë Harrisburgut, kryeqytetit të shtetit të Pensilvanisë. Midis tyre ishte edhe makina e kuqe me shqiponjën dykrenare. E drejtonte Labinot Zogaj që udhëtonte me mikun e tij, të riun vlonjat Elion Meminaj dhe të të vëllanë Arlind Zogaj.

Në bashkëpunim me zyrën e Zëvëndësgovernatorit, Departmentit të Shtetit dhe Shoqatës së Trupave Konsullore në Harrisburg, do të organizohej ceremonia e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ceremonia do të zhvillohej në Harrisburg Capital East Wing Rotunda. Ambienti qe zbukuruar me flamurët e Shqipërisë, Amerikës, Shtetit të Pensilvanisë etj. Në krahë të tyre ishin vendosurdy tavolina që paraqesnin në foto kostumet tona kombëtare dhe punime artistike tradicionale shqiptare.

Pas përshëndetjeve të rastit fjalën e mori zoti Pedro Cortes, Sekretar i Shtetit të Pensilvanisë, i cili pasi uroj mirëseardhjen të pranishmëve foli për ditën e pavarësisë së Shqipërise dhe marrëdheniet miqësore midis dy vendeve tona, për emigrantët shqiptarë në Pensilvani që japin ndihmesën e tyre të vyer në këtë vend, etj. Pas kësaj u ekzekutuan himnet kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë.. Më tej e mori fjalën Jimmy Daku, përfaqësues i Shqipërisë në Shtetin e Pensilvanisë, i cili foli shkurt për peshën e ditës së pavarësisë në historinë e Shqipërisë.

Fjala e tij u pasua nga përshëndetja e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filaddelfia, zotit Tajar Domi, i cili shkurtimisht paraqiti rrugëtimin historik të popullit tonë për pavarësi dhe ndihmesën e Amerikës për mbrojtjen e saj nga fqinjët grabitqar. Pasi theksoi se kjo ndihmesë konkretizoi edhe pavarësinë e Kosovës, ai dha disa shëmbuj të kontributit të emigrantëve shqiptarë në Amerikë në të gjitha fushat, art, shkencë dhe biznese.

Ceremonia vazhdoi me paraqitjen e dokumentit, për kremtimin e ditës së pavarësisë së Shqipërisë, të dalë nga Zyra e Zëvendës Governatorit Mike Stack. Dokumentin e lexoi zoti Matthew Franchak, Shef i Personelit të kësaj zyre.

Ceremonia vazhdoi me përshëndetjen e zotit Peter Longstreth, President i Shoqatës së Trupave Consullore të Filadelfias dhe Consull Nderi i Republikës së Uruguajt. “Unë jam president i konsujve të 44 vendeve -tha ai me mënçuri dhe humor- por asnjë nuk është më i rëndësishëm se Shqipëria.”

Veprimtarinë e mbylli, midis një atmosfere me të vërtetë miqësore, Sekretari i Shtetit të Pensilvanise zoti Pedro Cortes. Ndërkohë u shkëmbyen edhe dhurata simbolike.

Pastaj për pjesëmarrësit u organizua vizita në zyrat e Zëvendës Governatorit Mike Stack, të Sekretarit të Shtetit Pedro Cortes, në sallat e kongresit dhe të senatit të Pensilvanisë, etj.

Ishte një ditë e bukur dhe e mbushur me mbresa të bukura dhe ndjenjë krenarie për mikun e madh, Shetet e Bashkuara të Amerikës.

Një vit i madh na pret përpara: 105 vjetori i Pavarësisë së Atdheut tonë të dashur.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat