Deri kur do të nënçmohet mërgata shqiptare?

Diaspora

Deri kur do të nënçmohet mërgata shqiptare?

Më: 25 dhjetor 2016 Në ora: 14:32
Pritje të gjata

Pritje të gjata, e maltretime të lloj-llojshme, me çanta andej e çanta këndej, jeta e mërgimtarit. E rëndësishmja, edhe pse me pritje e lodhje, ata asnjëherë, nuk do ti mungojnë atdheut.

Sa herë që të të vijnë pushimet e mërgatës, vijnë edhe problemet e tyre të mëdha. Me qëllim u ndala të pushoj njëherë edhe nga emocionet që pash dhe ndjeva nga një rrugë fiks 32 orëshe nga Cyrihu për në Preshevë, nëpërmjet rrugës Itali, Slloveni, Kroaci dhe pastaj në Serbi. Besa edhe dëgjova diçka që qenka shkruar, por se kuptova mesazhin se çka paskan dashur të thuhet. Duhet thënë troç, se këto maltretime që i bëhen mërgatës, është hiq njerëzore. Fati deshti, që kësaj here, nuk isha me fëmijë, por vetëm me vajzën 14 vjeçe dhe vëllaun. Ajo që kam parë me sy është vërtet e dhimbshme në këtë shekull, kur njëri shtet si Kroacia që është pjesë e Bashkimit Europian dhe tjetra Serbia, që po pretendon ti bashkohet familjes së madhe europiane. Ky tekst nuk do të thotë, se po e përshkruaj, për rastin tim, por për rastin e qindra e mijëra vëllezërve e motrave shqiptare, fëmijëve, pleqëve, që i ishin drejtuar atdheut për ti kaluar disa ditë feste. Titullin e këtij reportazhi, jam i bindur se e ka kuptuar çdo mërgimtarë, apo familjarë që ka pjesëtar të saj në mërgim. Por, edhe bashkëkombas të tjerë. Se pse po maltretohet kaq shumë, e po nënçmohet dihet, që të mos vijnë në atdhe aq shumë, e nga kush, kush e dëshiron këtë, besoj se përgjigja përsëri dihet. Por, tjetra që është më e dhibshme, që brezi i ri, të mos vije fare, vetëm kur ti përmendet atdheu i të parëve, atij ti kujtohen maltretimet, ti kujtohen pritjet e gjata, ti kujtohen, që nuk ka pas se si të shkoj në tualet dhe shumë maltretime të tjera.

Image

Çka ka bërë mërgimtari për atdheun?

Thuajse çdo mërgimtarë, ka dhënë dhe jepë edhe sot e kësaj dite shumë për atdheun, pjesën e shpirtit e jep për ate tokë të bekuar, e të mos flasim vetëm në sferën ekonomike e sociale. Mërgimtari ishte vendimtar për çlirim e Kosovës, para luftës, gjatë luftës, pas saj, por edhe sot e kësaj dite. Të mos flasim, se sa ishte numri i madh i mërgimtarëve që ishin në uniformën e çlirimtarit në tre luftërat e fundit, si në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Arteria kryesore e së mirës në atdhe, padyshim ishte e do të mbetet mërgata. Edhe gjatë prillit, verës dhe dimrit, janë tre mundësi, kur mërgimtarët vijnë me të madhe në atdhe, e kryesisht ata që kanë fëmijë, me që shkollat kanë pushime e sidomos në Zvicër, por edhe në Gjermani, Austri e Itali. Dihet luksi i udhëtimit me aeroplanë, por jo të gjithë e kanë ate mundësi ti përballojnë çmimeve stratosferike të biletave. Shumë nga mërgimtarët janë pesë anëtarë, por edhe më shumë, e për një udhëtim vajtje - ardhje për një familje, hiq më pak se mbi 2.500 euro shkojnë vetëm për bileta. Jo, se kjo pjesë e mërgatës, nuk mundet ti siguroj ato të holla, por ata që nuk kanë mundësi më shumë, ato i ruajnë dhe i japin atyre që kanë nevoj, e në anën tjetër, nisen me vetura, sepse është më lirë dhe kursejnë. Që nga nisja e deri në mbërritje me orë e orë duke prit rrugëve. Vërtet, me sytë e mi e kam përjetuar, duke qarë gurbetçarë, sepse kishte punuar të premtën, menzi se ka pritur të vij e të përgaditet për rrugë, bie fjala Isufi nga komuna e Gjilanit, i cili ishte nisur nga Argau, me familje, për në atdhe, e në kufi hiq më pak, se 9 km është në kolonë duke pritur në anën e Kroacisë dhe më pastaj te ana e serbisë 3 km, kjo i bie 12 km, e hiq më pak se mbi 8 orë vetëm pritje.

Edhe në kufirin e Hungarisë me Serbinë, poashtu pritje të mëdha, deri 8 orë.

Image

Përjetim i dhimbshëm edhe në Kroaci dhe Serbi

Gjatë rrugës nëpër Kroaci, pritje kishte vetëm në pagesat e rrugës dhe nëpër pompa të benzinës, ndërsa rrugëve nuk kishte ndoj pengesë, ose thënë më shkurt, nuk shihje polici rrugëve me radara në duar. Por, në pritje, që ishte kolona mbi nëntë km, ishin katër kabina të Wc dhe ato ishin bërë më shumë se katastrof. Pritje të gjata për tu afruar në Wc dhe kur të futesh në të, sheh kohën e mjerimit. Askushi, nuk i mirëmbante e kur futesh në Serbi edhe më ndryshe, radha e pritjes edhe më e madhe dhe duhet paguar. Total mjerim.

Protesta përmes borisë së makinave

Me minuta të tërë, me qindra e mijëra vetura, gumëzhitnin duke i ra burisë së veturës, që të mos presin aq gjatë, me temperatura minus dhe pa hiq zero kushte pritjeje edhe nëse bëhen ato, mërgimtarët protestonin. Zërat e borive, shqetësonin edhe fëmijët nëpër vetura, që dëshironin të flinin. Veturat të mbushura me plot çanta, andej e këndej. Jeta e mërgimtarit, andej e këndej me çanta.

Si i pritnin këto pritje në kufi disa të rinjë mërgimtarë?

Adriani dhe Florimi, që ishin nisur nga Solothurni, me dy vetura të mira, ata qeshnin dhe thonin: „ Po qeshim prej lodhjes e mërzisë. Askund në botë nuk ka kështu. Me prit nëntë orë dhe me të nënçmu. Por, e dijmë se çka po dojnë këta, mos me ardh ne në atdheun e të parëve. Ne nuk do të ndalemi kurrë. Ne do të vijmë edhe kështu, se ne e kemi atdheun tonë atje. Por, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, që të mos na nënçmojnë në kufi. Të bëhen zgjidhje tjera në kufi, ti kryejnë padyshim proçeset e tyre, por të hapen më shumë pika të kontrollit, e jo vetëm dy, të paktën në sezone. Se shumë vërtet po nënçmohemi me lloj lloj pyetjeje e të mos flasim se kinse me gjoba gjatë rrugëve“.

Image

Zëri i fëmijëve të shponte zemrën

Nuk kishte vetura që prisheshin nga këto pritje, por kishte fëmijë që qanin me të madhe nga bezdia e madhe. E padyshim se nënat kishin ngarkesat e tyre, por edhe baballarët, duke shikuar të mos bëjnë ndoj aksident në rrugë, sepse veturat mundoheshin të hyjnë pa rend. Nuk kishte edhe ngasës së veturave që janë të zellshëm, ndoshta e kishin edhe nga pritjet e gjata. Por, fatkeqësisht kishte edhe fjalosje nëmes veti e besa edhe prekje të veturave nëmes veti, por jo me dëme të mëdha. E ata që ishin të sëmurë, apo gra shtatëzëna, apo pleq... Nuk ka koment.

Edhe shetitjet e të rinjë si në korzo

Sigurisht, se barnatoret do të kenë edhe më shumë nga gurbetçarët, nga ftohjet që i kanë marë duke pritur. Ata të rinjë, shikonin të gjejnë ndoj vend, për të kryer nevojën e vogël, e sidomos pas ndoj kamioni apo busi. Kjo ishte realitet. E ata që ishin në autobusa e kishin paksa më të lehtë, por nga pritjet e mëdha, edhe atje ishte katastrofë. Shetitnin andej e këndej, duke u habitur me këtë që po ndodh dhe nuk e kuptonin pse po ndodh. Shumë të rinjë, apo shumica e mërgimtarëve janë me shtetësi të huaj, e sigurisht se e kanë të drejtën e ankesës edhe në vendet kyçe. Nëse e pyet ndoj punonjës kroat të policisë, aty kur kontrollohen dokumentet, pse u prit kaq gjatë, ata të thojnë: „Nuk është faji te ne, por te pala tjetër dhe nuk flet më shumë“. E nëse i thua policit serb, se pse kaq gjatë të pritjes, ai thotë: „ Sepse kroatët po ju lëshojnë me qëllim shpejt, që të bëhet kaos tek ne, sepse është numër i madh i veturave. Ta shikojmë kur të ktheheni, se si bëhet te ata. Se ne nuk ju shikojmë shumë, e ata ju kontrollojnë pastaj më gjatë, sepse hyni atje në ate shtet. E tekefundit, nëse nuk doni me prit gjatë, shkoni me aeroplana“. Çka ti thuash edhe atij tjetrit dhe këtij, faleminderit e punë të mbarë. Ti thuash ndoj fjalë, të ndal, e të mbanë edhe dy tre orë ndoshta më shumë, e besa edhe të kthehen e të mos flasim për procedura të tjera. 30 orë, për një rrugë normale me 15 orë, kjo i bie 100% me prit më shumë.

Autobusë të shumtë në pritje, me targa të Kosovës e të Shqipërisë

Kishte edhe autobusë me targa të Shqipërisë me plot udhëtarë që pritnin me hy në Serbi. E të Kosovës të mos flasim përplot. Ata që ishin me autobusë, kishin ngarkesa të tjera, sepse kishin para vetes, autobusë e autobusë në radhë, e nëse i pyet se kur jeni nisur, përgjigja vjenë e dhimbshme: „Nuk e dijmë as vet“. E njërin e pyeta, se kur jeni nisur dhe nga, ai më tha, a nuk po të vjen gjynah me më vet pash zotin“.

Image

Nëpër Serbi

Nëpër Serbi, lirisht mundet të thuhet, se kemi parë vetëm një veturë të policisë, nga kufiri kroat e deri në Preshevë. Nuk kishte polici rrugës, që thonin me radarë, apo ndoshta e kemi pasur fatin e mirë kësaj here. Pompat e benzinës përplot, aty vetëm shqip dëgjohej. Paramendo, se sa leku hynë nga shqiptarët. Taksat e rrugëve, shpenzime të tjera, plot e përplot. Përndryshe edhe pritjet nëpër pompa ishin të mira, nuk është e drejt të thuhet diçka që nuk është realitet. E te kufiri nëmes Serbisë dhe Kosovës, kemi lexuar dhe jemi në dijeni...

Ardhja në atdhe

Nga lodhja e madhe, mërgimtarët, mezi presin të pushojnë dhe të drejtohen tek familjarët e tyre, të çmallen me ta dhe ti kalojnë festat. E disa prej tyre, kanë edhe gazmende të tjera. Se çka e si do të prite në atdhe dihet, si zakonisht, përjashto familjet e ngushta e miqtë e vendasit, e përndryshe, paskan ardhur këta që na zëjnë rrugën. E deri kur kështu të përbuzur kjo mërgatë, që ishte e është vendimtare për çdo proçes. Fjala e fundit e këtij reportazhi, mërgimtarë, pushime të mbara, ju qoftë një vit i mbarë, lumët ju që po vini e po i përballoni gjithë këtyre maltretimeve, me të vetmin qëllim, që fëmijët tuaj, të duan atdheun edhe më shumë. Edhe pse nga ngarkesat e shumta që keni edhe atje ku jeni, mbani manifestime përplot, që të ruhen gjuha e tradita jonë, por edhe po i sjellni familjet tuaja, që të përjetojnë të mirën e atdheut, e nga këto rrugë e maltretime, nuk e besoj, se do të jenë shkaku i mos ardhjes sonë të shpeshtë në atdhe. Përkundër kësaj, ne jemi mësuar dhe janë mësuar edhe të parët, por mërgimtari e donë e atdheun dhe kurrë nuk largohet nga ai atdhe, ai e mbanë me vete, kudo që shkon, sepse e ka në shpirt. A ka ndoj mesazh nëpër qytet, se mirë se keni ardhur mërgimtarë, unë nuk pash, e besoj se ju do të shihni dhe do të përjetoni ndoj organizim nga komunat tuaja. A përfiton atdheu nga këto ardhje, dihej, se po. Duhet motivuar më shumë mërgatën e re, edhe ate duhet sa më shpejt të bëhen plane konkrete. Mërgimtari është i djegur për atdheun e të parëve, por fatbardhësisht, edhe fëmijët e tyre, ishin e do të jenë të lidhur me atdheun e të parëve./Foto dhe teksti: Dashnim Hebibi

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat