Fatbardha, shqiptarja me karrierë të suksesshme politike në Finlandë

Diaspora

Fatbardha, shqiptarja me karrierë të suksesshme politike në Finlandë

Më: 7 maj 2017 Në ora: 13:38
Fatbardha

Ishte vetëm shtatëvjeçare kur braktisi vendlindjen e saj Skenderaj, për të migruar në Finlandë, së bashku me familjen e saj. Arriti të integrohet në jetën e atjeshme, madje të jetë dhe kandidate potenciale për të qenë deputete.

Ka përfunduar master për menaxhment dhe strategji në kuadër të programit Hanken. Gjithashtu është trajnere e certifikuar në IFC, dhe është e përkushtuar në asistimin dhe trajnimin e individëve dhe organizatave në arritjen e tërësishme të potencialit të tyre, ndërsa ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Suedi. Kjo është Fatbardhe Hetemaj, vajza e dy juristëve, të cilët në kërkim të një jete më të mirë, shumë kohë më parë ia mësynë Finlandës.

Por, Fatbardha së bashku me motrat dhe dy vëllezërit e saj, futbollistë të njohur në Itali dhe Finlandë, arritën që mjaft mirë të integrohen në këtë shtet të largët skandinav. Fatbardha, e cila tashmë jeton në Finlandë, tregon për jetën atje dhe dashurinë që prindërit ia kanë mësuar për Kosovën.

Hetemaj: Vetëm fizikisht kemi qenë në Finlandë, me zemër në Kosovë

“Veç sa i kam pas mbushur shtatë vjet, kur jemi shpërngul në Finlandë. Nëna dhe baba më kanë shti në shkollë, kur i kam pasur gjashtë vjet, sepse më thoshin ti je shumë kureshtare, po na bën shumë pyetje dhe nuk kemi ne kohë t’i përgjigjemi të gjitha pyetjeve. Kur kam shkuar në Finlandë, e kam pasur më lehtë për të mësuar edhe gjuhën, sepse kam ditur të lexoj, kam ditur të shkruaj dhe si fëmijë adaptohet njeriu shumë më lehtë. Për prindërit ka qenë shumë vështirë, sepse s’kanë pasur qejf të shpërngulen. Gjithë kohën kur kemi jetuar në Finlandë, para se të bëhet Kosova e pavarur, gjithë e kanë pasur një mendim për t’u kthyer në Kosovë. Çdo herë thoshin se do të kthehemi. Por ne i thoshim nënës se ne jemi adaptuar këtu, e kemi punën, e kemi shkollën. E duam Kosovën, por s’besoj që tash momentalisht mund të kthehemi. Kur e kuptoi këtë, u pajtuan me këtë. Por Kosova ka qenë dhoma e pritjes, gjithë RTK, gjithë lajmet, veç fizikisht kanë qenë në Finlandë, me emocione me mendim gjithë me Kosovën”, tha Hetemaj.

Ajo tashmë flet katër gjuhë, finlandishten, anglishten, shqipen dhe suedishten. E përveç në Finlandë, ka studiuar dhe në Angli e Suedi.

Hetemaj: Edukimin e kam pasion

“Unë kam magjistruar në International Management and Strategy, në shkollën e lartë Finlandë. Kam studiuar dhe në Angli dhe Suedi. Edukimin e kam pasur gjithë pasion. Babit dhe mamasë nuk iu interesonte se çfarë hobi kam, por vetëm se duhet shkolluar, sepse shkollimi t’i hapë shumë dyer. Gjimnazin e kam kryer në Finlandë dhe e kam pasur pasion leximin. Kur e kam pas këtë pasion, nuk kanë pasur nevojë ata të më shtynë dhe të më detyrojnë mua për të lexuar”, tha ai.

Megjithëse për fare pak vota, s’kishte arritur të bëhej deputete e Parlamentit të Finlandës, ajo ka arritur të jetë tash e katër vite asambleiste e qytetit të Helsinkit, aty ku edhe mendon se po jep kontributin e saj për qytetarët.

Hetemaj: Mund të bëj punë të mirë edhe pa mandatin e deputetes atje

“Dy herë kam kandiduar. 2011 të parën herë. Më kanë pasur mbetur 149 vota për të hyrë. Ka qenë një kampanjë shumë e mirë, e suksesshme. Por, fatkeqësisht nuk u pranova. Shkuan disa muaj derisa u qetësova, sepse kam bërë një kampanjë shumë të madhe dhe e pata përkrahjen e finlandezëve, shqiptarëve, por tani nuk u pranova. Të dytën herë më 2015, as atëherë nuk u pranova. Por nuk është gjithë e rëndësishme se a hyn brenda a jo, por se çfarë mund të bësh. Besoj se kam qenë shumë aktive dhe shumë shpesh më thërrasin mua në seminare, në shumë delegacione për të folur, për të shkruar, me marrë pjesë dhe për të ndikuar. Shyqyr zotit që mundet njeriu të bëjë punë të mirë edhe nëse s’e ke mandatin e parlamentit. Në 2012 jam pranuar asambleiste e qytetit të Helsinkit. Gara shkoi shumë mirë. I fitova, isha e 18 më e mira në krejt Helsinkin. Edhe aty që 4 vite e gjysmë duke punuar, duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, gazetarëve. Kur ia filloi një punë, kam qejf me krye shumë mirë”, tha ajo.

Hetemaj,  madje në 2009, është zgjedhur femra refugjate e vitit, çmim ky i cili i ka dhënë asaj një kënaqësi të pa përshkruar. Thotë se nuk preferon vetëm të ankohet, por dhe të mundohet që t’i gjejë zgjidhje problemeve.

Hetemaj: Unë ankohem, por gjej edhe zgjidhje

“Unë jam tip që ka qejf për të ndikuar shumë. Shumica e njerëzve kanë qejf vetëm për t’u ankuar. E unë kam qejf për t’u ankuar, por edhe me gjet një zgjidhje. Kur e shoh se është një problem dhe besoj që unë mundem me punën time për të ndikuar për të përmirësuar atë gjendje. Jam shumë kureshtare. Kam qejf të di dhe tani jam si babai im, kam qejf të shpëtoj botën. Kam qejf të përmirësoj gjendjen. Këtu kanë qenë arsyet e mia, se pse kam pasur qejf me hy në parlament. Edhe kur në 2009 më zgjodhën si femra refugjate e vitit, sepse çdo vit e zgjedhin një person, që ka bërë diçka mirë dhe presidenti e fton atë person në shumë mbledhje. Unë e fitova atë vit, për punën që kam bërë kundër racizmit dhe ksenofobisë. Momentalisht, besoj se mund ta ndryshoj botën në punën time ku jam tani”, tha ajo.

Fatbardha tashmë punon në një firmë ku është dhe pjesë e bordit menaxhues, e që është e vetmja femër aty.

Hetemaj: Jam e vetmja femër

“Momentalisht punoj si people operation menaxher në avantech. Është një firmë IT Service dhe punoj si menaxher i resurseve humane. I rekrutoj njerëzit, shikoj kush ka arrit, si është zhvilluar. Kam qejf me marrë një pozitë të re, iu ndihmoj atyre personave. Jam pjesëmarrëse e bordit të menaxhmentit dhe aty s’ka femra tjera. Nuk besoj se mua nuk më ndalon gjinia, por vetëm vetja. Kur nuk ke vetëbesim nuk mundesh as me arrit qëllimet e tua”, tha ajo.

E në sytë e saj Kosova  duket ndryshe, ngase e kishte menduar ajo. Beson që gjërat në Kosovë do të rregullohen. Thotë se do të vinte në Kosovë për të jetuar disa vite, në rast se do ta gjente një punë të mirë, por nuk mund ta lë Finlandën përgjithmonë, pasi dashuria e saj tashmë është e ndarë në dysh, për Kosovën dhe për Finlandën, e cila i dha mundësi për t’u avancuar në karrierë.

Hetemaj: Kosova ka përparuar

“Kosova ka përparuar. Nganjëherë mendoj se nëna ime ka mbetur më 90-tën kur e kemi lënë Kosovën. Në shumë mënyra çuditemi dhe gëzohemi se çfarë zhvillime ka. Rinia e Kosovës më pëlqen. Kur nganjëherë mendoj që paska shumë korrupsion dhe nuk ecin gjërat shumë mirë, kur i dëgjoj rininë se qysh kanë qejf për ta zhvilluar  Kosovën, ia nisi të besoj se do të bëhet mirë. Këtu njerëzit vishen mirë, kanë stil, edhe pse nuk i kanë kushtet e mira, janë të lumtur. Lakmoj kur vij këtu, sepse të gjithë kanë kohë me u ul për të pirë një kafe. Në Finlandë e kemi me orar, i kemi punët mirë, por nuk ia dimë lezetin, nuk dimë me u kënaq qysh dinë shqiptarët këtu. Me gjet ndonjë punë të mirë, besoj se mund të kontribuoj. Kisha ardhur veç duhet të mësoj shqipen më mirë. Ta lë Finlandën përgjithmonë, s’besoj që e bëj atë. Por kisha mund të shpërngulem në Kosovë dhe të jetoj këtu, 4- 5 vjet, për të pu nuar. Por, prapë se prapë siç nuk mund ta lë Kosovën, nuk mund ta lë as Finlandën”, ka thënë Hetemaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat