‘’Dështoi procesi i regjistrimit të diasporës’’

Diaspora

‘’Dështoi procesi i regjistrimit të diasporës’’

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 18:05
ilustrim

Kryesuesi i departamentit për çështje të diasporës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka, procesin e regjistrimin e diasporës e konsideron si dështim katastrofal i cili do të mund të përfundonte brenda 15 ditëve dhe jo deri në vitin 2022, ashtu siç e ka paraparë Ministria e Diasporës.

Procesi i regjistrimit të diasporës ka filluar në vitin 2014, dhe në bazë të rezultateve preliminare të publikuara ditë më parë nga Ministria e Diasporës deri në fund të vitit 2016, janë regjistruar gjithsej 342 mijë e 803 banore që jetojnë jashtë vendit.

Ministria e Diasporës po ashtu ka paraparë që procesi i regjistrimit të përfundojë në vitin 2022.

Por Jahja Lluka e sheh procesin e regjistrimit të diasporës si një dështim dhe harxhim të mjeteve të buxhetit.

Lluka në një prononcim për KP, ka thënë se koha se kur është paraparë të përfundojë regjistrimi i diasporës është qesharake dhe se ky proces më së lehtë mund të kryhet në Kosovë.

Ai më tej tha se procesi i regjistrimit të diasporës do të mund të përfundonte gjatë regjistrimit të popullsisë në Kosovë, dhe sipas tij, arsyetimi se pse nuk është kryer gjatë regjistrimit të popullsisë është mos lejimi nga Eurostati.

Kryesuesi i Departamentit për çështje të diasporës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka tha se Qeveria e Kosovë me mandatarin e ri 700 mijë eurot që vijnë nga mërgimtarët në Kosovë duhet t’i kanalizojë në investime me qëllim që t’i ofrojnë bashkatdhetarëve mundësi që të hapin vende të reja të punës, të investojnë në Kosovë përmes hapjes së bizneseve të vogla dhe të mesme dhe kështu të krijohet perspektivë për të rinjtë tanë.

Ai shtoi se ata si Aleancë kanë krijuar mundësi të mira për të investuar diaspora në qytetin e Suharekës, dhe kanë lehtësuar procesin e regjistrimit gjatë mandatit të tyre katër vjeçar të udhëheqjes në këtë komunë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat