Malsori me zemër të ndezur për komb dhe atdhe

Diaspora

Malsori me zemër të ndezur për komb dhe atdhe

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 22:41
Kopertina

Populli shqiptar është  një mrekulli e historisë. Komuna e Shipkovicës në atë kohë, edhe administrativisht i takonte Shqipërisë.

Janë të panumërta argumentet që flasin se Ajvaz Voka i Shipkovicës ishte një malësor me prirje të theksuara perëndimore, njëri nga përkrahësit më të zjarrtë të çështjes shqiptare në diasporë. Nga kunata e tij në Bukuresht morrëm vesh se  “kur e ka braktisur Rumaninë (1941), i ka lënë 50.000 leja donacion për mbarëvajtjen e lëvizjes së këtushme shqiptare”. Se ç’është bërë me to, këtë e dinte bashkëfshatari tij, Bajrami, që pat mbetur këtu dhe që  kaherë ka vajtur në botën e hijeve. Në botën e hijeve të Shipkovicës ka vajtur edhe Ajvaz Voka,  një muaj para se të shpërthenin demonstratat e Tetovës për liri dhe të drejta kombëtare (1968). Zoti Ibrahim Voka, që jeton tejmatanë restorantit të Kurtishit, aty ku Tetova kapet krahpërkrah me Reçicën, e mban mend qëndisjen e Flamurit Kombëtar, para shpërthimit të demonstratave, të cilin ia patëm treguar Ajvaz Vokës dhe kushëririt të tij, Selimit. Që të dy derdhnin lotë mallëngjimi për këtë simbol të shenjtë, që s’e kishin parë që nga viti 1944.

Çka duhet të ndodhë që shqiptarët të afrohen me njëri/tjetrin, pyet Ibrahim Egriu në Suedi. Dy shqiptarë e tre parti, thoshte Ajvaz Voka në kohën e tij. Tutti albanesi, tutti comandanti, thonë italianët sot e kësaj dite.  Përçarja ndërshqiptare i mundonte shqiptarët atë kohë, dhe i mundon edhe sot. Ishte kjo një brengë që e mundonte malësorin e Sharrit, në Bukuresht e në Shipkovicë, krenar pse ishte shqiptar, i vetëdijshëm se shqiptari nuk koritet, nuk nënshtrohet, nuk lyp lëmoshë, por e siguron ekzistencën me djersën e ballit, duke kryer madje, punët më të rënda, që nga Egjipti e Konstantinopoja e deri në  Sofje e Bukuresht, dikurë, dhe që nga Europa Perëndimore e deri në Kanada, Amerikë e Australi sot. Vlera e njerëzve matet me punën e tyre shkencore. Ajvaz Voka nuk merrej me shkencë, ngase nuk ia kishin mundësuar shkollimin dhe jetën normale, as sundimi osman i sulltan Abdylhamitit, dhe as regjimet barbare të Nikolla Pashiqit dhe Karagjorgjeviqit. Së bashku me  disa bashkëfshatarë të tij ia kishte mësyrë rrugëve të Vllahisë, qysh në moshë të njëmë (1928).     

 “Baba jem, Batija i Xhetës, kur ka vajtur në gurbet, e ka lënë djalin ende të palindur. Kur vjen pas pesë vjetësh, nuk e njeh djalin e vet”, na thoshte dikurë gjyshja e Ramijes në Shipkovicës. Ademi Avllahi 18 vjet punoi si ëmbëltor në Bukuresht, 6 vjet pa ardhur fare në shtëpi. Sipas rrëfimeve të xhaxhit Xhavit, në komunën Domnesht kanë ushtruar profesionin e ëmbëltorit Luza dhe Dina i Danës. “Bashk kimi ndejt, bashk kimi shutejt, bashk kimi shejt bozë, limonadë, llokum, bonbone, susan, kikirika dhe cikrime tjera për fëmijë”, thoshte baba plak i Muminit të ri. Bukureshti kishte plot shqiptarë, jo vetëm të Shipkovicës. Shquhej ndër ta Myrta i Hadrës që e kishte strehuar Rexhep Vokën, kur ky kishte ikur nga masakrat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë (1913). Mënjanë e ndiqnin serbët pse kërkonte “Katër Kalemat” (bashkimin e katër vilajeteve shqiptare), ndërsa në anën tjetër e ndiqnin turqit pse militonte për reforma fetare ndër shqiptarë. Ç’ishin “katër kalemat” e Rexhep Vokës pyet Kadri Voka sot, shqiptari i parë i Malësisë së Sharrit që i dërgoi ndihmat e para për refugjatët e Kosovës në Bllacë (1999). Shqiptarët me prejardhje nga Maqedonia, ishin tregtarë, rojtarë dhe ëmbëltorë. Shumica shisnin ëmbëlsira, duke i mbajtur në një shportë në njërën dorë, ndërsa në dorën tjetër e mbanin “gjigjimin”  me bozë apo me limonadë. Dhe bërtisnin rumanisht hushkulurit e Ballkanit: “Braga dulçe, rahat ku apa reçe!” (Bozë të ëmbël, llokum me ujë të ftohtë!).

Të këtillë e kish fatin edhe Ajvaz Voka, babai i autorit të këtij shkrimi. Megjithatë, ai dallohej nga të tjerët. Në fillim, edhe ai pat shitur ëmbëlsira, me shportë në krah e me tepsi në kokë. Më vonë njihet me motrën e zonjës Rozalia, dhe martohet me të. Pasi e furnizonte me mall, shkonte dhe kontaktonte bashkatdhetarët korçarë, kosovarë e kërçovarë, intelektualë shqiptarë, rumunë e arumunë, diplomatë shqiptarë, arabë, italianë, gjermanë e amerikanë. Dhe jepte për çdo ditë në mbrëmje, nga fitimet e veta nga 20 franga për komunitetitn. Nga krejt popujt e botës, për këtë gjest të shenjtë të solidaritetit ndaj çështjes kombëtare, shquhen hebrenjtë. Malësorin e Sharrit e mundonte çështja e mosnjohjes së të drejtave të barabarta të shqiptarëve nga ana e sllavëve.

Kunata e shqiptarit të Shipkovicës ishte kuzhiniere e motrës së mbretëreshës

Meriton të theksohet me këtë rast fakti se, derisa kurbetçinjtë tanë që punonin para Luftës së Dytë Botërore nëpër Egjipt, Turqi, Bullgari, Rumani, Jugosllavi, Çekosllovaki etj., mezi që e siguronin ekzistencën, kurbetçinjtë e tanishëm, që janë ndërlidhur me Perëndimin, kanë fat të fitojnë dhe ta fisnikërojnë vendlindjen me vlera kombëtare e familjare, ekonomike dhe kulturore. Themi kulturore për ata shqiptarë që janë të vetëdijshëm se pa përkrahjen e kauzës kulturore, nuk mund të bëhet fjalë për mbarëvajtjen e kauzës kombëtare. Për ta shpënë përpara çështjen kombëtare, që është e ndërlidhur ngushtë me çështjen politike, ekziston nevoja parësore për përkrahjen e projekteve kulturore. Ideja nuk është jona, por e Ajvaz Vokës, që me gjithë varfërinë e tij karakteristike, rrahte 20 km. rrugë në këmbë nga Shipkovica në Tetovë dhe anasjelltas, për ta blerë një gazetë shqipe. Si e portretizonte këtë njeri, motra e gruas së tij, Marieta Vasilesku?

 “Motra ime më e madhe, Rozalia, ndërmjet viteve 1930-40, ishte kuzhiniere në komunën Dudeshti Çoplea, në konakun Gruef, te motra e mbretëreshës. Më kujtohet edhe kunati im, Ajvazi. Thuajse e shoh edhe tani. E mbaj mend mënyrën si vishej: me një kostum të zi prej një stofe të shtrenjtë e të bukur, këpucë të zeza, nga cilësia më e mirë, kapelë të zezë, kravatë nga më të shtrenjtat dhe çadra karakteristike e kohës. Kështu e përfytyroj kur e kam parë për herë të fundit, në vitin 1941. Edhe motra ime, Aurelia, ishte ndër femrat më të bukura të Bukureshtit: e veshur me elegancë, me bishtalecat palë-palë, me fustan të bardhë dhe me do këpucë princeshe. Ishin një çift i bukur, që edhe të tjerët ua kishin zilinë. Ata janë njohur për herë të parë pranë Lulishtes Mbretërore, në Bulevardin Mërëshesht. Ajvazi kishte një karrocë me ëmbëltore dhe mirësira të tjera, mbi të cilën figuronin edhe dy gazeta: Universul dhe Shqipëri e Re.  Ajo, duke qenë në shoqëri të motrës sime më të madhe, Rozalias, e pyet arnautin e Shipkovicës, sa kushton një krehër? Ai deshi t’ia jepte falas, ndërsa ajo, duke mos e njohur, u hidhërua dhe vazhdoi rrugën.

Ky gjest i saj i krijoi përshtypjen arnautit se është fjala për një qenje të ndershme dhe të sinqertë. Dhe shkoi pas saj deri në luginat e Transilvanisë, 600 km në veri të Bukureshtit, në komunën Band të Tërgu Mureshit, një katund me njerëz të qetë, të sinqertë,  të ndershëm e të pastër, si përnga veshja, ashtu edhe përnga shpirti. Dhe ndenji atje një vit të tërë, ngase nëna jonë nuk donte ta tëhuajësonte vajzën. Një punëtor i ri, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm, vlen më shumë se krejt ari i botës. Duke pasur një durim karakteristik, në ato pllaje të simbiozës rumuno-gjermano-hungareze, Ajvazi iu rrek punës fushore për kultivimin dhe shitjen e bostanit, fitoi para, e  bindi nënën time t’ia japë vajzën, dhe bëri një dasmë të madhe dhe e mori motrën time për grua”.

Në bazë të një Fletëqarkullimit të Përkohshëm (Foglio di via Provvisorio), nr. 43, lëshuar nga Konsullata Italiane e Bukureshtit (25 gusht 1941), kuptojmë se “Ajvaz Ymeri, i lindur në vitin 1905 në Shipkovicë të Shqipërisë, së bashku me zonjën Aurelia Graur (e lindur më 13 korrik 1910 në komunën Band të Tërgu Mureshit), gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të këtij Fletëqarkullimi për udhëtim definitiv me pasaportën nr. 2.402/ 37515, lëshuar nga Legata Jugosllave e Bukureshtit, më 27 korrik 1932.” Se Shipkovica asokohe i përkiste Shqipërisë reale, ekziston një numër dokumentesh, çertifikatash bankare, korrespondencë etj. Gjatë qëndrimit të tij në Bukuresht, përveç kontakteve që mbante me personalitete të larta letrare, kulturore, shkencore dhe diplomatike, përveç donacioneve të rregullta që jepte për çështjen shqiptare, Ajvaz Voka shkruante edhe artikuj, të cilët i botonte në të përditshmet Curentul, Porunca Vremii, Universul etj. Disa prej tyre i kemi gjetur (“Poporul Albanez shi noua ordine europeana” / Populli Shqiptar dhe rendi i ri evropian”, Curentul, maj 1941), të tjerët jemi duke i kërkuar.

“Rroft Shipnia ene na nimoftë Perëndija”

Një nga gjurmët konkrete të atdhedashurisë shqiptare të këtij çifti bashkëshortor, është edhe sintagma poetike me vlerë antologjike “Rroft Shipnia ene na nimoft Perëndija!”, që e ka qëndisur zonja Aurelia atë ditë kur është kryer kurorëzimi në komunën Band të Tërgu Mureshit (30 korrik 1932). Shqiptarët e kanë një emër të ngjashëm me atë të bashkëshortes së Ajvaz Vokës: këngëtaren Aurela Gaçe. Se kjo zonjë rumune (Aurelia Graur), e ka përvetësuar gjuhën shqipe brenda një nate, për këtë flasin jo vetëm anëtarë të familjes së Hamdi Refikit nga Shipkovica, por edhe një një sërë artikujsh të botuar. Ajo na fliste, derisa jetonte, për 35 shqiptarë të arrestuar në Bukuresht, në vitet ’40, ndër ta edhe Ajvaz Voka: “Për të ushtruar profesionin e ëmbëltorit në qendër të Bukureshtit, tregtarët e imtë ishin të detyruar të jepnin bakshish. Agjenti të cilit i jepte pothuajse për çdo ditë bakshish, e fton një ditë në selinë e Prefekturës. “Eja se të fton shefi!”, i kish thënë malësorit të Sharrit dhe e kishin mbajtur atje derisa i kishin grumbulluar edhe të tjerët. Unë u  nisa pas tij dhe kur arrita, e pashë se autobusin e kishin zbardhuar me parulla: “35 shqiptarë të dënuar për politikë”. I mora treqindmijë leja t’ia çoj, por ai kishte një deng parashë me vete, të cilat m’i dha mua. I mori ato që ia dhashë unë dhe pasi i kishin dërguar në do pyje për t’i likuiduar, Ajvazi kishte ikur me nja dy kërçovarë të fuqishëm. Kërçovarët mbetën atje, kurse ne u kthyem në Shipkovicë. Merre me mend sa i gëzuar dukej kur u kthye një ditë nga pazari. Ishte takuar me kërçovarët në Tetovë, që ishin kthyer pas shtatë vitesh nga Rumania, diku nga viti 1948”.

Populli Shqiptar është i shenjtë, ai ka nevojë për përkrahjen e Perëndimit dhe Perëndisë, u thoshte Ajvaz Voka Hebib Uzahirit dhe Ismëjl Lahit, sa herë i vinin në vizitë në orët e pasdarkës. Ishim të vegjël asokohe, por zemra na bëhej mal kur dëgjonim kritika në adresë të Rusisë dhe komplimente në adresë të Amerikës. Po këto biseda i zhvillonte edhe me do tetovarë të shquar që kishin përkrahur lëvizjen demokratike kombëtare shqiptare, përmes Lidhjes së Dytë të Prizrenit, sidomos me Hysen Xhaferin, babanë e Arbën Xhaferit, pastaj me Garip Demën, Vehbi Lushin etj. Biseda të këtilla zhvillonte edhe me Veli Saraçin, me prejardhje turke, në qendër të Tetovës, si dhe me njëfarë Stojani në Çarshi të Epër. Demokracia e rrit përgjegjësinë në raport me rritjen e lirisë. Ata e kishin fjalorin e lirë dhe shpirtin e lirë. Nuk i mundonte kurrfarë kompleksi nacionalist. I ndiqnin rregullisht dhe i komentonin emisionet e Zërit të Amerikës. Nuk ishte fjala për “vetëqeverisje socialiste”, por për prirjet demokratike të njerëzve tanë që e admironin Perëndimin, në atë kohë, kur klyshët e komunizmit e spiunonin te komandiri i policisë në  Veshallë, ata që mënjanë bërtisnin në Sokak të Poshtër “Rrnoft Stalini!”. Pleqtë e Shipkovicës edhe sot e mbajnë mend pranverën e vitit 1945, kur pas terrorit të ushtruar kundër shqiptarëve në Monopolin e Tetovës, pas hyrjes së partizanëve, u oraganizuan zgjedhjet e përdhunshme. “Te shkolla në Puçalen, kishin vënë dy kutija: njëra e kuqe (e komunistëve) dhe tjetra e zezë (e demokratëve). I vetmi që e fut “kokën” (kështu quhej vota asokohe), në kutinë e zezë, ishte Ajvaz Voka. Krejt të tjerët, kishin rrotulluar brenda një nate: nga ballistë na ishin bërë komunistë”.

Kështu e përshkruan mentalitetin e shqiptarit aktiv të diasporës dhe atë të hallexhinjve të fshatit, një dëshmitar okular i asaj kohe. Dikush mund të preket për këtë, sidomos ata që e kanë mizën nën kësulë, apo bijtë e tyre, por kjo nuk do të thotë se ne kemi qenë më të mirë se ta. I tillë ishte sistemi: dikush e admironte Stalinin, dikush Enverin, dikush Titon, dikush Amerikën. Sipas rrëfimeve të Aurelias së ndjerë, në shenjë hakmarrjeje, komunistët jo vetëm që ia hanin hakun por e kishin detyruar t’i çonte kutitë e votimit në qytet, në mesnatë, rrugës së Konecit, kur kish krisur një shi i hatashëm. Për qëndrimet e tij proshqiptare, shtëpia e tij dhjetëra herë do të bastiset, edhe nga karabinierët italianë, edhe nga udbashët e koalicionit sllavo-shqiptar. Aq shumë e admironte Perëndimin, disiplinën gjermane për punë, rregullimin e kopshteve e të arave, saqë ndërmerrte një varg aksionesh për t’i bindur autoritetet për mbrojtjen ekologjike të ambientit, për thurjen e arave, për moslëshimin e kafshëve kuturu arave të fshatit, saqë këtë e pagoi edhe me një dajak të kurdisur, si në kohën e kaçakëve, nga ana e do “trimave” të çakërdisur, që e ndryshonin sufiksin sipas pushtuesit që vjente. Ende nuk dihet në janë realizuar idetë progresive të shqiptarit të etshëm për dituri, që e solli nga Rumania radiolidhjen e parë, libra, revista, dokumente. “Të gjitha këto na i mori policia, me rastin e një bastisjeje, në kohën e luftës. Mbaje mend, por mos e përrmend se cili haxhi e kish spiunuar. E lidhën me to një deng të madh sa shporeti dhe i thanë burrit tim të shkojë t’i marrë pas një jave, por ai nuk deshi të ketë punë me policinë”, rrëfente  Aurelia e ndjerë, e cila u shua si një nënë e shenjtë, po atë muaj kur u shua Nëna Tereze e Shkupit dhe Princesa Diana e Anglisë (shtator, 1997).

“Ajvazi ishte i etshëm për dituri dhe lexonte shumë. Lexonte edhe në fushat e fshatit ku kultivonte bujqësinë, në kohë të pushimit. I lexonte, i komentonte artikujt dhe ua shpjegonte edhe të tjerëve. Dinte t’u jepte shpresë njerëzve, se edhe për shqiptarët do të vijnë ditë më të mira. “Më rrëfente se si kulakët e fshatit ia bojkotonin aksionet për mbrojtjen e arave. Për t’i larë mëkatet, disa prej tyre na janë bërë tani haxhilerë. Sikur t’i kishin dhënë ato para për mbarëvajtjen e kulturës shqiptare, sevapet e tyre do të ishin më të mëdha”, theksonte Abdylazis Islami dhe shtonte: “ Sevap është të shkosh haxhi jo vetëm në Meke, Medinë apo Palestinë, por edhe në Krujë, Prizren, Drenicë e Shipkovicë. Sa herë që shkoja te Guri Dubnikit në punë, më ndalte e bisedonim orë të tëra. Më pyeste për shkrimtarët tanë, që sapo kishin bërë hapat e parë në krijimtari”, na thotë një krijues tjetër nga fshati Gajre. Së bashku me Idriz Islamin, babain e Abdylazis Islamit, Ajvaz Voka ka pasur fatin ta njihte në Bukuresht Asdrenin, Ibrahim Temon, Petro Janurën. Ai ishte shqiptari që kishte patur fatin t’i përkrahte shoqëritë shqiptare të këtushme, duke i ndihmuar ato materialisht dhe moralisht, duke prurë në vendlindje, dhe duke e shpërndarë, librin dhe shtypin shqiptar, që dilte në Bukuresht e në Konstancë, në kohën e Mbretërisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat