Mërgata shqiptare dhe poeti që digjet për komb e atdhe

Diaspora

Mërgata shqiptare dhe poeti që digjet për komb e atdhe

Nga: Baki Ymeri (Bukuresht) Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 23:56
(Hasan Elshani, Rrugës së mërgimit, Prishtinë 2017)

Dyndja, shpërngulja dhe mërgimi i shqiptarëve fillon pas vdekjes së kryetribunit të historisë sonë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ata të Italisë, sot e kësaj dite i kultivojnë traditat, zakonet, veshjet kombëtare dhe gjuhën tonë, e konsideruar si Gjuha e hyjnive të Perëndisë. Askush nuk e harron mërgatën shqiptare të Egjyptit, Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, veteranët e së cilës kanë lënë gjurmë të shenjta në faqet e historisë sonë: Thimi Mitko, Dervish Hima, Jashar Erebara, Nikolla Naço, Visar Dodani, Ibrahim Temo etj. Gjatë kohës së sundimit komunist, shqiptarët i mbushën trojet e Gjermanisë, Skandinavisë, Zvicrës, Belgjikës e të vendeve tjera, deri në Australinë, Zelandën e Re dhe Amerikën e Kanadanë e largët. Kjo ta përkujton këngën „Ku lind dielli e perëndon hana,/ Zhujo Selman nuk ban ma nana”.

Hasan Elshani vjen nga Sllovenia para opinionit tonë me një vepër briliante ku e ndjen kënaqësinë e dashurisë me freski magjepsëse përrallore, duke përqafuar edhe retë në qiell. Në sinorët e ëndërrimeve të tij, ai i shtrin duart drejt Diellit e i lutet Perëndisë. Si çdo mërgimtar që digjet nga malli për atdhe, ai e ndjen veten të vetmuar e të tretur. Shpirti i tij digjet larg trojeve të vendlindjes për komb e atdhe. Në vargjet e tij e përkujton mëmëdhetarët tanë, kosovarët e bekuar që „Me Serbinë kanë luftuar”. Kosovarët derdhën lumenj gjaku e pasuri të tundur e të patundur, milionë markash gjermane për çlirim nga thundra serbe, për liri dhe pavarësi. Gjoksin shkëmb e zemrën zjarr e ka shqiptari, madje edhe autori i kësaj vepre të denjë për lexim dhe rilexim: „Amanet vëllezërit na e kanë lënë/.../ Nga Molla e Kuqe deri në Prevezë/ Kastriot, Çamëri, Ulqin, Tivar, Kotor/ Podgoricë/ Medvegjë dhe Preshevë” (Ura e Ibrit).

Shqiptarët e Shqipërisë që përjetuan diktaturën barbare të regjimit stalinist, për të shpëtuar prej saj vajtën në Itali, Amerikë e gjetiu. Ishte një sistem

antishqiptar dhe antidemokratik që militonte kundër „borgjezisë”, kundër „revizionizmit dhe kapitalizmit”. Si pasojë e skamjes dhe varfërisë, nga Kosova, Shqipëria, Ilirida, Kosova Lindore e troje tjera shqiptare, e braktisën vendlindjen edhe njerëz të kulturës, njëri ndër ta duke qenë autori i këtij vëllimi poetik. Në ekzil ata e kultivuan botën e letrave, shkrimin dhe krijimin, poezinë dhe prozën, sepse në ato vende perëndimore ishte i lirë mendimi i lirë dhe nuk funksiononte cenzura komuniste si në vendlindje. Një veprimtari të këtillë krijuese dhe botuese, e zhvillonin jo vetëm shqiptarët në ballë me Kadarenë, por edhe mërgimtarët tjerë nga Rumania, Bullgaria, Polonia etj. Në kuadrin e parathënies kuptojmë se „në poezitë e Hasanit më kanë tërhequr motive shumë interesante, që pasqyrohen në vargjet e tij”. Dhe më tej: „Për mua poezia e tij është shumë meritore në avancimin e poezisë së sotme shqipe, me plot forma artistike” që e shëndrisin shëmbëlltyrën e tij poetike. Ja disa elemente primordiale nga konsideratat e Ymrije Beqirit: Bota e mallit, njerëzit, afërsia, patriotizmi, atdhedashuria, peisazhet e atdheut, bota e dëshmorëve, amaneti i tyre për liri.

Lindja e dashurisë, Loti i trëndafilit, Përqafuam lirinë, Me ty dhe për ty, Në mbrojtje të atdheut, Shtigjet e jetës, Krishtlindja, Mërgimi, Nata në Pashtrik, O Zoti im, Kurbeti, Pavarësia, Rreze hëne, Etje dashurie, Mesnata, Dimri, Shtegu i malit, O moj Shqipëri, Lule mëngjesi, Monolog, Natë e veçantë, Takimi, Në mëngjes, Vjeshta, Të dua atdhe, Kam mall, Pleqëria, Vjeshtë apo dimër, Një grusht dhe, Ç’jam unë, Udhëtimi, Dallëndyshe, Trokitje, Realitet, janë disa nga lirikat më të frymëzuara të këtij poeti mërgimtar. Si ilsutrim po japim vetëm ca vargje kushtuar mëmëdheut: „Histori e re për Shqipërinë është shkruar/.../ Tokë e shejtë moj tokë arbërore/ Në Drenicë jehoi kushtrimi për liri/.../ S’iu nënshtrove perandorëve, as krajl e as mbretërve/ Qëndrove si shkëmb me shkabë në flamur”. Ka edhe shumë për të thënë për këtë vëllim briliant të redaktuar nga Arbër Halilaj, por ne e përfundojmë me kaq. Pak e për merak! (Bukuresht, 9 Dhjetor 2017)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat