Mos më pyesni për Shqipërinë ngase më kaplon vaji kur e kujtoj!

Diaspora

Mos më pyesni për Shqipërinë ngase më kaplon vaji kur e kujtoj!

Nga: Baki Ymeri Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 00:10
(Korçarët e Bukureshtit. Dhimitër Polena (1915-1994)

Edhe në lagjet e Bukureshtit dëgjohen perënditë e Shqipërisë, kujtimi i një të shkuare fisnike, jehona e zërit të rilindësve tanë, shqipja e ëmbël e Lasgushit, Kosova e Gjergj Bubanit dhe Mitrush Kutelit, hapat e Asdrenit trotuareve të qytetit që mban emrin më të bukur shqip, përmallimi im ndaj gjuhës shqipe, shqipja si gjuhë e perëndive. “Shqiptari për mik, është tretë e është fikë”, thonë kosovarët. As që ta merr mendja sa shumë e admironte shqipen një korçar i këtushëm: Dhimitër Polena. Sa herë që i vjente Thanasi në vizitë, pasi që kuvëndonin me orë të tëra për shqiptarët dhe Shqipërinë, kur merrte të kthehet në shtëpi, Dhimitri e përcjellte Thanasin deri te porta e shtëpisë, duke llafosur shqip, nga bulevardi Një Maji e deri në Sheshin Mataqe. Pastaj, në vend që t’i urojnë natmirime njëri-tjetrit, e përcjellte Thanasi Dhimitrin deri te porta e shtëpisë së tij, dhe kështu i kaplonte mesnata duke e përcjellë njëri-tjetrin, duke u ndarë si dy rilindës të etshëm për të llafosur shqip, njëmijë kilometra tejmatanë kufinjve të Atdheut.

Dhimitër Polena u lind më 17 gusht 1915 në një familje të varfër korçare, në lagjen Penço, dhe u shua në moshën 79 vjeçare në spitalin Colentina, përballë godinës ku banonte Fatimja me rrënjë nga Liseci i Tetovës e cila i pat thënë presidentit Mojsiu: “Ne jemi pasardhës të Skënderbeut që bëmë çmos për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe në familje, ngase është gjuha më e bukur në botë”. Dhimitri ishte i biri i Thimit dhe Eleonorës. Pasi kreu Liceun Francez të Korçës, përfitoi një bursë për të vijuar studimet në Rumani në vitet 1930. Erdhi në Bukuresht, te e motra Praksithea, që ishte gruaja e Spiro Gjikës. Vendosi të regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë, për të specializuar Historinë. Pati fat ta njohë qysh si student, dijetarin më të madh të Europës, Nikolla Jorgën. Emri i tij ndërlidhet ngushtë me admirimin e Jorgës për shqiptarët dhe Shqipërinë. Nën drejtimin e tij, në vitin 1936 pregaditi tezën e liçencës me titull “Mi?carea na?ional? albanez?” (Lëvizja kombëtare shqiptare), të cilën Nikolla Jorga e vlerësoi me notën dhjetë, duke propozuar përmes nënshkrimit të tij; Ky studim mjaft i mirë, mund  të botohet me mjetet nga fondi që ia kam dhuruar fakultetit (1936).

Image

Dorëshkrimi në fjalë, i përkthyer në gjuhën shqipe, e pa dritën e botimit pas 60 vitesh në Bukuresht, falë liderit të komunitetit shqiptar të Rumanisë, Dr. Xhelku Maksutit. Fondi kulturor i Dhimitër Polenës nuk ndalej vetëm te ky dorëshkrim. Atij i shtohet dorëshkrimi i pafinalizuar i fjalorit të parë shqip-rumanisht dhe anasjelltas, me rreth njëqindmijë fjalë, studime dhe reçensione të përkthyera, dokumente të ndryshme të Dritës, bashkëpunimi me zbuluesin e dorëshkrimit të Kyezerit (Toderici), korrespondenca e Naços,  libra, broshura, apele, të gjitha të ndërlidhura ngushtë me shoqëritë shqiptare të Bukureshtit. Nga arkivi i tij kanë shfrytëzuar material për studime dhe dizertacione: Vehbi Bala, Catalina Vatasescu, Nicolae Ciachiri, Xhelku Maksuti, Ismet Dërmaku etj.

Jorga ishte filoshqiptar i ndezur

Edhe në pleqëri të thellë, Dhimitër Polenës i kujtohej Jorga me kapelën e tij të gjerë dhe me udhëzimet prindore që ua jepte studentëve: Zgjeroni vazhdimisht horizontin e njohurive! Mos u përkufizoni vetëm në historinë e thjeshtë, por përvetësoni të gjitha disiplinat që bashkëpërkojnë me historinë: historinë e letërsisë, atë të arteve, madje, regjistrohuni edhe në fakultete tjera!  Kjo ndikoi që paralelisht me historinë, Polena të ndjekë edhe studimet e drejtësisë, dhe ta ndjekë pareshtur shtypin: Ishte një jetë e përbujshme. Pata fatin të njoh periudha shumë dramatike të popullit rumun, dhe se harroj kurrë dhembjen që përjetoi ky popull kur mori lajmin e zi mbi likuidimin e Jorgës nga legjionarët rumunë. Jorga ishte filoshqiptar i ndezur. Fliste me admirim për trimërinë dhe bujarinë e shpirtit shqiptar. Na admironte për lashtësinë, besnikërinë dhe fisnikërinë e shpirtit që kemi. Punimin mbi lëvizjen kombëtare shqiptare, që ma vlerësoi ai me notën më të lartë, e ruaj si një dhunti të shenjtë, ngase më duket se ky ishte studimi i fundit, i korektuar nga dora e tij.

Në vitin 1942, profesor Polena ushtroi profesionin e profesorit të gjuhës shqipe në Shkollën Italiane të Bukureshtit, kurse një vit më vonë, shkon në Shqipëri. Pas 6 muajsh kthehet përsëri në Bukuresht, për të regjistruar doktoraturën në degën e Historisë, të Fakultetit të Letërsisë dhe Filozofisë. U regjistrua me të njëjtën tezë të liçencës: Lëvizja kombëtare shqiptare, por kësaj rradhe nën udhëheqjen e një dijetari tjetër, poashtu të famshëm: Gheorghe Bratianu, ngase Nikolla Jorgën e kishin likuiduar kriminelët e një organizatë filofashiste të “patriotëve” të veshur me këmisha të zeza. Njësoj siç patën vepruar psudopatriotët tanë me likuidimin e kolonelit Ahmet Krasniqi në Tiranë. Pas reformës arsimore të vitit 1948, veproi një kohë në kuadrin e Ministrisë së Metalurgjisë, në një shkollë profesionale, në komunën Rëshnov të Brashovit, deri më 1952. Atje mbante korrespondencë me bashkatdhetarin Atanasie Papano dhe shqiptarë tjerë të këtushëm. Pastaj, pasi mori lejen për t’u vendosur në Bukuresht, u martua dhe filloi jetën arsimore, duke dhënë lëndën e historisë në liceun “Doamna Stanca”, si dhe në shkolla tjera të Bukureshtit, derisa u pensionua (1973). Janë këto disa nga fazat që dëshmmojnë se si një shqiptar i Korçës (Dhimitër Polena), apo një tjetër i Kërçovës (Xhelku Maksuti), ua mësonin rumunëve historinë e Rumanisë. Dhimitër Polena u shua pas një sëmurjeje të gjatë në njërën nga dhomat e spitalit Colentina. Varrimin e tij e nderuan veteranë të komunitetit, përfaqsues të ambasadës shqiptare, si dhe kryesia e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë.

Kujtimet e Dhimitër Polenës lidhur me atdhetarizmin shqiptar

“O Plevnë, e shkreta Plevnë!”

Nëna ime, Eleonora, jetoi 84 vjet. Kam shënuar shumë këngë popullore prej saj, e nga gra të tjera të komunitetit, si dhe nga një plak 88 vjeçar. Ishte me prejardhje nga Jugu i Shqipërisë dhe jetonte në Dobruxhe. Ai dinte mjaft këngë të lashta, nga të cilat mbaj mend vetëm një varg: O Plevnë, e shkreta Plevnë. Më duket se kjo ishte një nga këngët më të vjetra shqipe, që ndërlidhej me pjesmarrjen e shqiptarëve të Bullgarisë në luftërat ruso-turke të vitit 1877. Ishte ajo një kohë e egër, kur si pasojë e fitores së Rusisë kundër Turqisë, serbët i vërsulën me egërsi primitive shqiptarëve të Toplicës, duke i masakruar barbarisht sivëllezërit tanë, jo vetëm pse ishin të një feje tjetër, por në rradhë të parë pse ishin shqiptarë. Mbaj mënd se në kohën tonë, ne kishim edhe kostume shqiptare, që i kishim mbledhur nëpër familje, e të cilat i patëm përdorur për teatër dhe manifestime tjera. Më pëlqenin vallet shqiptare, ngase ato i pata mësuar në Korçë, duke vajtur nëpër dasma. Pasi arrita në Bukuresht, bashkëpunuam me rininë shqiptare të këtushme, të cilës ia mësova këngët e vjetra. Jo vetëm këngët, por edhe vallet, vallet  shqiptare, për të cilat thirra edhe plakat e Bukureshtit, që të më ndihmonin në këtë punë, sepse çfaqja duheshe të vazhdonte me vallet tona. Kemi marrë pjesë në valle dhe kemi dhënë pastaj, mu në zemër të Bukureshtit, edhe dramën shqiptare “Vdekja e Pirros”.

Image

 - A vallëzonin bukur çupat e djelmoshat në atë kohë?

 - Si jo! U mësuan ti hedhin këmbët mirë. Mbaj mend motrën e Matejit, Rina, shqiptare me prejardhje nga fshatrat ortodokse të Rekës. Ishte shumë entuziaste. Poashtu edhe Nasi Kristesku, që e mbante vallen, dhe e ndiqte mirë, me ritmin e vërtetë djalësor. E luanin sidomos Beratçen dhe Devolliçen. Kishim  dy pllaka që i përdornim për çdo herë, në çdo përsëritje. I  patëm përdorur ato derisa u thyen. Njëra prej tyre ishte e Skënder Eftimiut. Kur mbaheshin çfaqje të këtilla, sidomos në qendër të Bukureshtit, vinin  gjithë korçarët. Kishim edhe kostume kombëtare, të mbledhura nga çdo familje, të cilat i përdornim për teatër dhe manifestime tjera. Takoheshim rregullisht në qendër të qytetit, në shtëpinë e Patelit.

Aty gjëmonte kënga dhe hidhej vallja shqipe. Pos Nasit dhe Rinës, dallohej edhe Athanas Papapano. Shqiptarët takoheshin edhe në Piaca Mataqe. Thanasi ishte i shpejtë, i shkathët, dhe çuditeshin me entuziazmin e tij, sidomos plakat. Kemi dhënë çfaqje edhe në teatrin Fantazio, e sidomos në sallën Liedertafel, që gjendej pranë Fakultetit të Arkitekturës. Përveç shqiptarëve dhe arumunëve, vinin edhe rumunë që duartrokisnin nga admirimi. Thonë se Rina është ende gjallë. Është ironi e kohës që ende nuk i kujtohet diplomacisë shqiptare të sensibilozojnë mass/median, të njohë për së afërmi komunitetin, të identifikojmë derisa jemi gjallë varret e rilindësve tanë, të të vijnë e t’i imortalizojnë kujtimet tona. Mos vallë kanë harruar faktin se Bukureshti ishte një qendër e shenjtë e Rilindjes Shqiptare!

„Maketa e Skënderbeut ka qenë pronë e shtëpisë sonë”

Daja im, Vani Burda, që ish nip i Naços, ishte shqiptar nga Leskoviku. Jetoi dhe veproi në Rumani, ku pat lënë pasuri të shumta, për të cilat ishte në gjyq me shtetin rumun. I biri i tij,  Niko Burda, që jetonte në Korçë, është kunati im, i biri i motrës sime të dytë, Ksanthipi. Ai kishte në Korçë maketën e Skënderbeut, helmenë me disa rradhë nga poema e Vaso Pashës O moj Shqypni. Te ai kam parë edhe një fotografi të Naços me një shqiptar të Bukureshtit. Helmeja e Skënderbeut ka qenë pronë e shtëpisë së sonë në Korçë. E ka sjellë kunati im, Vani Burda, si dhuratë që e pat marrë Naçoja nga Don Gjin Aladro Kastrioti. Di kaq, se nga korrespondenca që ka patur Naçoja me Babatasin, sekretar i Don Gjin Aladro Kastriotit, ky e tregonte si ia ka dërguar këtë dhuratë. Flitet se gjenden vetëm tre ekzemplarë, njëra prej tyre duke qenë maketa që e lash atje, para se të vij në Bukuresht. E  mbanim në sallon të shtëpisë dhe shpresoj se është edhe sot e kësaj dite në shtëpinë e kunatit tim. Kjo maketë është trashëgim i shtëpisë. Pse e them unë këtë?  E them sepse të rrallë janë ata që e dinë çështjen e saj. Vetëm tri ksombla të tilla gjenden në botë. Këtë e përmend edhe ishsekretari i Don Gjin Aladro Kastriotit, ndërsa kunati im, Vani Burda, ka qenë dora e djathtë e Naços, kudo dhe në çdo rast”. Naçua e angazhonte në punë. Në atë kohë, në Sheshin Piaca Amzei.

Thimi Marko ishte një patriot i kulluar shqiptar

Flamuri i shoqërisë Drita ishte simboli më i shenjtë që e pregaditën shqiptarët e këtushëm. Më vjen keq se s’kam qenë në Tiranë të interesohem për fatin e tij. Di se dikush ua ka dorëzuar autoriteteve të Tiranës flamurin e komunitetit, dhe se ai gjendet atje. Di se dikush u ka dhënë dokumente të komunitetit ambasadorëve shqiptarë, dhe ata nuk ia kanë dhënë arkivit të shtetit. Doni të dini gjëkafshë? I kam ruajtur si sytë e ballit disa vlera ngase Biblioteka e Korçës u dogj nga pakujdesia e njerëzve të Enverit. Këtu askush s’ka këso gjërash. Vetëm unë i kam mbajtur këto. Në bazë të tyre Xhelku dhe Çakiri kanë vënë bazën e kërkimeve shqiptare-rumune. Kam bashkëpunuar jo vetëm me ta, por edhe me Nikolla Jorgën. I sheh këto fotografi? Të gjithë janë shqiptarë. Kjo me priftërinj mund të jetë fotografia e vetme, ngase në Shqipëri ato u zhdukën gjatë diktaturës bolshevike të nënës parti. Di kaq, se mesha e parë shqipe është mbajtur në kishën shqiptare të Bukureshtit. Figuron në disa fotografi edhe Thimi Marko, që ishte një patrot i kulluar shqiptar, i përmendur me një çerek faqe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985), para Karl Marksit, të cilit i japin një faqe e gjysmë. Herëpashere kam botuar studime mbi lidhjet rumuno-shqiptare në sajë të bashkëpunimit që kam patur me Nikolla Çakirin dhe Xhelku Maksutin. Mos harro se kontribut elementar në këtë fushë kanë Mitrush Kuteli, Gjergj Bubani, Ilo Mitkë Qafëzezi, Vehbi Bala,Catalina Vatasescu, sidomos albanologu Grigore Brënkush.

Varri i Naços gjendet në varrezat Sfanta Vineri

Ne shqiptarët nuk  kemi asnjë shtet të huaj që të na ndihmojë. Serbët mbaheshin me Rusinë, greku mbahej me Francën. Në letrën e Faikut përmendet kjo gjë: Nikolla Naço qysh para një shekulli ishte i mendimit se shqiptarët duhet të mbajnë lidhje me sulltanin, por kjo lidhje e ky konvertim që bënë të parët tanë duke e braktisur fenë e Shën Palit na kushtoi shtrenjtë: nam masakrash greko/serbe kundër sivëllezërve tanë në Çamëri, Kosovë e Maqedoni. Naçua kish njerëzit e tij edhe në qeverinë rumune: Urechea, Butculescu, Lahovari. Kur mbetej pa para për botimin e Shqiptarit, ai bënte punë krahu me kalldërmahinjtë e këtushëm shqiptarë. Çdo shqiptar që vinte nga vilati, përballë teatrit funksiononte shkolla  rumuno-shqiptare e Nikolla Naços, e cila konsiderohet si normalja e parë shqiptare, atje ku ishte DSDMR-ja. Ajo ndërtesë mbaheshe nga një shqiptar me emrin Sotir Peço, që ishte pronar hoteli. Sotiri kishte edhe tre vëllezër. Njëri nga ta vdiq në ujërat e Danubit, ngase ishte përtac. I kish thënë babait të vet: Falimentova baba. Ç’të bëj tani? Dhe ai i kishte thënë: Shko e mbytu! Në atë adresë (të normales së parë shqipe që e pat hapur Naçua), i pat arritur një letër Naços, nga ana e Gramenos.

Varri i Naços është një varr i harruar. Ai gjendej në Varrezat e Shënepremtes (Sfanta Vineri.), në Bukuresht, te figura 136. E kam edhe aktin e varrit të tij. Më 1884, kur ardhi këtu, Naçua ishte i ftuar nga Shoqëria Drita, e cila kishte zhgjedhur si kryetar Anastas Avramidh Lakçen, mirëbërës i shquar i shoqërisë që dha dymijë napoleona ari për blerjen e shtypshkronjës së parë shqipe, që ka funksionuar në Bukuresht, që nga viti 1886. Figurën e Anastas Lakçes duhet ta nxjerrni në relief. Varrin e Naços e zbuluam sëbashku me Piro Viton, ish-ambasador i Shqipërisë në Bukuresht. Kur e zbuluam atë, ishte edhe e mbesa ime këtu, Gresa Nanushi nga Durrësi. Për përvetësimin e  këtij vendi të shenjtë, ekziston nevoja e prokurës, të cilën duhet të na e dërgojë Niko Burda nga Korça. Është akti përmes të cilit mund të identifikohet varri i Naços në Bukuresht. Ekziston nevoja pra, për një kopje të legalizuar, të këtij dokumenti.

„Edhe unë kam vajtur gjurmëve të Naum Veqilharxhit”

Dua të ju tregoj qëllimin tim të korrespondencës. Juve do ta merrni vesh për herë të parë. Pse? Sepse unë kam bërë një kombinim emrash të cilët dua t’i vë në dukje, sepse kjo tregon mendimin që kam për abetaren e Naum Veqilharxhit. E kam zhvilluar atë pikën kryesore të abatares, tërë jetën, që nga viti 1938, kur e zbulova në një antikariat të Bukureshtit. Unë kam vajtur gjurmave të Naum Veqilharxhit. Pse? Sepse unë kam arritur aty që të deshifroj se N. Veqilharxhi, për ta botuar abetaren iu deshën 24 vjet. Ai e përdor fjalën Alfavitarion, e cila është një greqizmë. Ai i ka zhdukur disa shkronja greke, si s-në, për ta nxjerrë shqipen në shesh, duke e dhënë madje, edhe alfabetin shqip me 36 shkronja. Kjo është një gjë e madhe. Kjo ka qenë kurora e  hulumtimeve të mia, prandaj çuditem se si këta që e kanë studjuar Veqilharxhin nuk kanë arritur në një konkluzion të këtillë.

Një ekzemplar të abetares së N. Veqilharxhit e gjeta në Bukuresht dhe ia fala Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Një tjetër gjendet këtu, në Bibliotekën e Akademisë Rumune. E kam parë këtë abetare edhe në Bibliotekën e Kristo Dakos. I kam parë dy fletë të shkëputura të saj te zoti Kristaq Tarpo. Theodor Kapidani e ka përmendur në një studim të tij (1928), se një ekzemplar (ksomblë) gjendej në bibliotekën e Sami Frashërit në Stamboll, kurse një tjetër, në bibliotekën e tij, të cilën ia ka dhuruar më vonë Bibliotekës së Akademisë Rumune. Unë kam gjetur shumë dokumente mbi Naum Veqilharxhin. Jon Heliade  Radulescu dhe Gheorghe Baritiu u kanë bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen dhe të mos e kundërshtojnë veprën e tij, ngase ajo është një monument. Naumi është themeluesi i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Mbaj mend ngazëllimin tim kur e gjeta abetaren e tij në një antikariat të Bukureshtit, pas shpinës së ish-hotelit Paris, që ishte pronë e një çeku, përballë kishës Zlatarul, pranë Muzeut të Historisë. Unë kisha njerëzit e mi që punonin nëpër antikariate, e që më ofronin materiale të vjetra.

Disa që s’i njihnin me themel çështjet shekcore e kanë konsideruar si grek, ngase ka patur lidhje me revoluconarët grekë. Unë kam zbuluar në arkivat e shtetit se njëri nga ata shqiptarë, poashtu si Naum Veqilharxhi, u ka falur grekëve në kohën e kryengritjes greke 6 mijë krerë kuajsh. Janë një serë intelektualësh rumunë, si Jon Heliade Radulescu dhje Gheorghe Baritiu që e kanë njohur personalisht, e kanë prkrahur, madje edhe kanë hapur shtyllat  e revistave të tyre për Naum Veqilharxhin dhe afirmimin e kombit shqiptar. Unë kam konstatuar se Naum Veqilharxhi nuk ka qenë vetëm avokat, por edhe tregtar. Di se ka rrahur shpesh rrugën nga Brëila për në Bukuresht, dhe se njëherë, ka shkarkuar gjashtë kuaj me mall. Nuk dihet ku dhe kur, por mund të sypozohet se njëri nga kuajt ka qenë i ngarkuar edhe me libra. Unë kam arritur  deri atje, sa ti afrohem edhe datës së vdekjes, për të cilën nuk dinë asgjë shqiptarët. Aleks Buda përmend vitin 1859, por unë mendoj se Naum Veqilharxhi ka vdekur rreth vitit 1868, pas procesit gjyqësor me Boçarin, ndërsa i jati i tij është vrarë më 1804, pra para Revolucionit të Tudor Vladimireskut (1821).

Veqilharxhi përmendet edhe nga Jorga në një dokument të vjetër.  Ma merr mendja se abetaren ia botoi një sas (gjerman), në Bukuresht, ngase vetëm ata dhe hebrenjtë në atë kohë kishin shtypshkronja. E prezentoi për herë të parë një francez. Juve do ta merrni vesh për herë të parë. Pse? Sepse unë kam bërë një kombinim emrash të cilët nuk dua ti vë në dukje, sepse kjo tregon mendimin tim që kam për abetaren e Naum Veqilharxhit, të zhvilloj atë pikën kryesore të saj. Tërë jetën, që më 1938 kur e zbulova, jam marrë me atë çëshjtjen e alfabetit të Naumit, dhe ky ka qenë preokupimi im i veçantë. E vërteta është se nga kombinimi që kam bërë, kam ardhur në përfundim se ai donte të zëvendësonte fjalët me prejardhje greke, duke dhënë në vend të tyre fjalë shqipe. Kam konstatuar poashtu, se gërma shqipe me të cilat fillonte emri shqiptar, buron nga fjala schuip e Naum Veqilharxhit, edhe pse emri shqiptar është përmendur për herë të parë në materialet e Kuvendit të Arbënit, më 1703, nën drejtimin e kryepeshkopit të Tivarit, Visk Zmajeviç (të botuara më 1706 në Romë), por më sa di unë, që nga koha e Naum Veqilharxhit e këndej, fjala shqip dhe emri shqiptar kanë depërtuar me të madhe në literaturën tonë të shkruar. Dhe kjo ma merr mëndja  se është një tjetër kontribut i madh i tij. Naum Veqilharxhi e ka nënvizuar këtë fjalë (shqip), që të përmendet e të përdoret si duhet në letrat shqipe. Pse them kështu? Them sepse ai e vuri shqipen si bazë të abetares së tij, dhe këtë desha ta tregoj unë, duke arritur t’i rishikoj këto, përmes  kombinimit të germave.

Kush ishte Nikollaq Zoi?

- Ishtë një patriot i harruar nga komunistët. Mbante korrespondencë me gruan e Themistokli Gërmenjit. Ja ku e keni! Ngandonjëherë, sipas rastit, shkoja edhe në vizitë te shqiptarët e motshëm të Bukureshtit. Nuk harrohet ajo lufta që ka bërë Naçoja për çështjen shqiptare. Kam gjetur nëpër arkiva gjëra që i di vetëm unë. Nikollaq Zoi kishte një çupë, zonjushen Danae, që jeton në Kanadë. Mendoj se te ajo kanë mbetur kujtimet e shkruara të tij,  mbi historinë tonë kombëtare. Zoi ishte një patriot i madh, i harruar nga komunistët, por i dekoruar nga Mbreti, para ardhjes së diktaturës së Kremlinit në pushtet. Nga ata që interesoheshin më shumë për te, ishte Petraq Pepo, ngase dinte problemin e Gërmenjit. Jetoi 92 vjet. Ka qenë shok i Gërmenjit dhe i thoshte shpesh të hapë sytë se grekët e francezët mund t’ia bëjnë varrrin. Me Nikollaq Zoin bisedonim për të gjitha çështjet, po sidomos për çështjen shqiptare Ai e kishte njohur Naçon, Nolin, Zogun dhe figura tjera të shquara shqiptare. Posa i kishte shkruar memorjet e tij, të cilat pjesërisht mi lexonte edhe mua, dhe dua të them se i kundërshtonte gënjeshtrat e Enverit.

Zoi ka qenë drejtor i financave në kohën e autonomisë së Korçës, pastaj u bë prefekt. Kishte studjuar greqisht në Galat Sarai të  Turqisë. Ka qenë mik i ngushtë edhe me Dhori Katundin, i cili kishte korrespondencë me oficialitetet shqiptare. Gaqi Vruhon, këtu në Bukuresht, e mbyllën rumunët në burg dhe asnjeri nuk e liroi derisa e pyetën Zoin. Asta a fost baiat cinstit (Ky ka qenë djalë i ndershëm), u pat thënë ai, dhe e liruan. Zoi jetonte afër Gara de Nordit, dhe ishte fqinj me Vruhon. E përkrahnin njëri-tjetrin. Që të dy ishin miq, entuziastë, dhe u treguan shqiptarë të kulluar. Vruhon e mbaj mend fare mirë, ngase unë kisha lidhje me të, sepse ai ferkuentonte shumë dëndur dyqanin e kunatit tim, Vani Burda, dhe ishte i njohur atje si shqiptar. Ai njihej si demokrat, po sa për komunist, nuk mund të them se ishte, edhepse qe burgosur këtu si pasojë e intrigave të disa shqiptarëve, të cilët e patën akuzuar gjoja se është i kuq. Kjo pat ngjarë në periudhën e Mbretërisë, mes dy luftërave botërore. Mbeti i burgosur derisa e shpëtoi nga burgu, patrioti korçar, Nikollaq Zoi. Hetuesi e pat pyetur asokohe si e njeh këtë njeri, dhe ky garantoi si autoritet, dhe kështu, Vruhoja u lirua.

Nikollaq Zoi ka lënë përshtypje shumë të mira, sepse unë ngahera vija në shtëpinë e tij, dhe sa herë që mungoja me javë, ai më kërkonte që ta vizitoj. Kishte një horizont të gjerë mbi çështjen shqiptare. Ai më lexonte në atë kohë një pjesë të memorjeve të tija, nga një dorëshkrim prej nja 300 faqesh mbi historinë e Shqipërisë. Çu bë me të, ku ndodhet, nuk di gjë, ndoshta e ka marrë me vete çupa e tij në Kanada. Zoi jetoi 92 vjet. Kishte një kujtesë të çuditshme. Pos Naços e Themistokle Gërmenjit, e mbante mend edhe Bajram Currin dhe Musa Jukën. Ai kishte lidhje edhe me Zogun, dhe ishte madje, i dekoruar nga ana e tij.  Një shkencëtar shqiptar (M. Çami) kishte ardhur në Rumani të interesohet për çështjen e Themistokli Gërmenjit. N. Zoi kishte kujtime të gjalla për Themistoklinë, ngase kish qenë shok me të. Libri i Çamit mban titullin Lufta çlirimtare e popullit shqiptar në vitet 1918-1920. Ia dërgon në shtator të citit 1974 në Bukuresht me këtë dedikim: Patriotit të nderuar Nikolllaq Zoit, në shenjë respekti të thellë. Libri mu dorëzua nga ana e ambasadorit shqiptar, me 12 mars 1975, pra një vit më vonë, shkruan Zoi në të njëjtën faqe, të dedikimit. E këtillë ishte diplomacia e komunistëve: 1% patriotizëm dhe 99% shpifje dhe dinakëri. Zoi kishte një mospërfillje të madhe ndaj autoriteteve komuniste. Kur u takuam për herë të parë, më pyeti: E mor bir, nga të kemi? Nga Korça, i thashë. E po si i kemi ata bij andej? E kish fjalën për frashërllinjtë, që i admironte pa masë.

Dini gjë për abetaren shqipe e Jovan Lazi Terovës?

- Është ndoshta i vetmi ekzemplar që mund të gjendet ndër shqiptarë. Kam dëgjuar se një ekzemplar i saj gjendet në Francë. Abetarja e Terovës ka qenë përkrahur nga Naçua si e përshtatshme për shkollat shqipe. Ishte e darovitur  prej zonjës Aleksandrina Joanidhi. E botoi Shoqëria Shqiptare “Drita”, më 4 janar 1887, në Bukuresht. Para për botimin e saj ka dhënë edhe Sterjo Stelidi, “maqedhoni prej Magarove”. Maqedoni i Magarovës së Manasitirt, në të vërtetë ishte vllah, ngase kështu u thonë vllehëve në Rumani. Pse? Sepse vetëm vllehët dhe shqiptarët kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me maqedonasit e lashtë. Jo më kot Skënderbeu ishte Mbret i Shqipërisë dhe Maqedonisë. Tjetër punë është fakti se sllavët ua vodhën atyre edhe emrin, edhe folklorin, edhe territorin. E mbajtën vetëm poshtërsinë dhe urrejtjen për të na persekutuar. Sa gazeta shqipe apo vllahe dalin në Beograd, ku jetojnë mbi njëqindmijë shqiptarë dhe rumunë?

Bukureshti ështtë një parajsë tolerance e mirëkuptimi, në krahasim me Beogradin dhe metropolat e tjera të ortodoksisë pansllaviste. Edhe unë jam ortodoks, por ortodoks siç ishte Noli por ka kodra e kodra mes ortodoksisë rumune e shqiptare dhe asaj serbe, bullgare apo bizantine. Abetarja e Terovës botua në shtypshkronjën Kuku, ku delte edhe Shqiptari i Naços. Jovan Lazër Terova, autori i saj, ka qenë autodidakt. Jetonte në Bukuresht dhe ishte shqiptar i kulluar. Faktin që librin e tij e sponsorizoi një vllah, dëshmon se shqiptarët e vilajetit të Manastirit kishin lidhje të shumta e të frytshme, kulturore e patriotike, me vllehët e Tërnovës, Magarovës, Nizhopojës. Për Jovan Lazi Terovën e kam pyetur edhe Jovan Eftimiun. E dini si më tha? Lazër Terova mor vëlla, ka qenë autodidakt dhe ka bërë abetaren shqipe me shkronja latine të cilën e aprovonte Naçua. Pos kësaj,  në kohën e Rilindjes janë botuar edhe tre abetare tjera shqipe: e Sami Frashërit (Bukuresht, 1900), e Gaspër Prenushit, (Bukuresht, 1890), dhe abetarja e Llukë Karafilit: Lulishtja Djelmënore, pjes’ e parë (Shtypshkronja Albania, Konstancë, 1922).

I keni dhuruar ambasadës shqiptare vlera të këtilla?

- Si jo! Ambasadorët vijnë e shkojnë, komuniteti mbetet. Disa vinë për të pushuar, disa për të punuar. I kam bërë donacione jo vetëm aambasadës, por edhe shqiptarëve të tjerë, ndër të cilët, ja, edhe juve. I kam dhënë Ismet Dërmakut koleksione dokumentesh e gazetash, ndër të cilat edhe  Shqipërinë e Visar Dodanit, që dilte nga fundi i shek.XIX-të. Skënder Eftimiun deshin ta vinin në burg nga shkaku i intrigave të një shqiptari të këtushëm. Skënderi ishte një student i mirë, i biri i një patrioti të madh. Atë e shpëtoi nga burgu Matej Danili, pasanik dhe shqiptar i kulluar, me prejardhje nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës. E mbaj mend fare mirë,  sepse unë kisha lidhje me te. Frekuentonte shumë dendur dyqanë e kunatit tim, dhe ishte i njojtur si shqiptar atje. Ai njihej si demokrat ,por edhe ky u burrgos si pasojë e intrigave të do shqiptarëve të shitur. U akuzua gjoja se ishte komunist. Qe burgosur mjaft kohë. Në këtë kohë, meqenëse ishte formuar konsullati shqiptar si degë e ambasadës italiane, derisa Gaqi Vruhon e shpëtoi Nikollaq Zoi, Skënder Eftimiun e shpëtoi Matej Danili me prejardhje nga Shtirovica e Gostivarit. I ati i tij, kur ardhi më 1912 këtu, e pat prurë edhe Psalterin e Kristoforidhit, një vepër kishtare që e kishte përkthyer shqip nga ebraishtja, e të cilën e kishte huazuar nga prifti i Kishës shqiptare Shën Maria (Kisha e Shumbrisë) në Tetovë. Kam dëgjuar se sot mban emrin Sveta Bogorodica. Pse? Ngase shqiptarët ortodoksë janë sllavizuar ndërsa të tjerët kanë ngritur faltore islamike mbi varrezat katolike.

Nuk ka turp më të madh se sa ta fyesh njeriun përnga pikëpamja fetare

Gjatë jetës së tij të përbujshme, arsimore, shkencore dhe patriotike, profesor Polena pat krijuar një koleksion të pasur me dokumente, broshura, statute e libra, të gjitha të një rëndësie të jashtëzakonshme për avansimin e kulturës kombëtare dhe historinë e Shqipërisë. Duke bërë fjalë për kujtimet mbi vendlindjen, Korçën me rrethinë, theksonte se femrat dardhare janë ndër më të bukurat e botës. Të shohish se çfarë kostume fantastike kombëtare kanë ato, sidomos vllahinkat e atjeshme! Disa ditë para se të mbyllë sytë, shpreh dëshirën që t’i shruajmë familjes së Merdan Reshatit në Korçë, që të përkujdeset për të mbesën e tij, Donika Mihallaq Çollakun, e cila ka mbetur pas asnjë përkrahje dhe e vetmuar. Nuk e dimë në jeton por e dimë se Donika rrjedh nga një familje patriotësh korçarë, që përmes Vani Burdës ka qenë e ndërlidhur edhe me kryetarin e shoqërisë shqiptare Drita e Bukureshtit, Nikolla Naçon..

“Donika Çollaku është e mbesa ime. Miqtë e mi të vjetër, janë të një familjeje muhamedane. Janë bijt e Reshat Merdanit. Janë të vetmit që mund të përkujdesen për të. Mbaj mend se familja Merdani kishte dyqanë pranë tregut të drithit në Korçë, në vijën e armëshitësit Ligori. Korça ishte e përzjerë. Vinin edhe myslimanë te ne. Ishin të pandarë prej nesh. I konsideronim si njerëz të shtëpisë, ngase një gjuhë dhe një flamur na bashkonte. Ndër ta ishte edhe Reshati, që ka lënë dy djem në Korçë. I nipi i tij ishte tregtar i dëgjuar në Çarshinë e të krishterëve.  Mbaj mend arkaizma nga pleqt e Korçsës. Po t’i them vetëm disa: trokllas, kokoroç, e bën një punë me zhëng (jo me  qejf). Mbaj mënd kur nëna ime e krishterë, Eleonora, u thoshte mysafirëve sa herë që e uronin, kur i thonin se do të të japim një myslimankë për djalin, ajo ua kthente: Taqi le ta marë kë të dojë, ngase jo feja është me rëndësi, por njerëzia, shpirti dhe bukuria. Ku ta dinim ne se do të arrinim që familja jonë të internacionalizohet: mbesa e parë, Marta, mori një grekofon, i cili u dënua me shumë vjet burg. Mbesa e dytë, Donika Çollaku, mori një vllah (Mihallaqe). Nipi im, Niko Burda, mori një muslimankë (Miranda), me të cilën ka një djalë (Joan), dhe një vajzë (Leonora), ndërsa unë mora një rumune, siç pat vepruar edhe yt baba. E sheh sa e përzjerë është kjo botë? Ndaj është gjynah ta fyesh njeriun përnga feja, apo përnga kombi.

Naçua kishte lidhje edhe me mbretin e Rumanisë

- Po për filoshqiptarët e Rumanisë, mund të na thoni gjë?

-Si jo! Mihai Viteazul dëshmoi se nga shqiptarët kanë dalur vetëm trima. Këta i admironte në shkrimet e tij mbi rumunët e Maqedonisë, edhe Dimitrie Bolintineanu (1858). Zonja Majer kishte besim te shqiptarët, ngase ata ia shpëtuan jetën, asaj dhe burrit të saj, që e kishte mjek. I shpëtuan duke e vënë jetën e tyre në rrezik. Në shtypin rumun para Luftës së dytë botërore, madje edhe në kohën e Revolucionit të Tudor Vladimireskut (1821), u krijua në rradhën e fisnikërisë rumune, nevoja për të patur besim te këta shqiptarë, të konsideruar si arnautë, trima që vinin jetën në rrezik për mbrojtjen e rumunëve, madje edhe të hebrenjve, të fabrikave, të shtëpive dhe pasurive të tyre. Po kush mund të harrojë  admirimin e intelektualëve rumunë që e kanë përkrahur çështjen shqiptare, si Gheorghe Baritiu Ion Heliade Radulescu,  Bogdan Petriceicu Hashdeu, Mihai Eminescu. Eminescu, kur e kish kujtesën e kthjellët, deklaronte se ishte prej fisit shqiptar. Zotrote më thua se në Shipkovicë përmendet Memeti Mikles. Nga vjen mbriemri i tij? E dashura e Eminescut, Veronica Mikle, i shkruante letra dashurie poetit më të njohur të Rumanisë, duke  i nisur kësisoj: I dashuri im Emin, apo: Emini im i ëmbël!

Mihail Kogalniceanu, kryeministër, botues librash, pronar gazetash, drejtor teatri, militant për bashkimin e Moldovës me Munteninë, dora e djathë e Alexandru Ion Cuzës, mbante korrespondencë me Nikolla Naçon. Vijnë pastaj Ioan Ghica, Vasile Urechia, Dumitru Butculescu, avokat dhe deputet, miku më i ngushtë i Nikolla Naços. Butculescu ka patur lidhje me oborrin mbretëror, dhe sa herë që Naçoja kishte nevojë për t’i dërguar ndonjë mesazh apo kërkesë mbretit, këtë e bënte përmes Butculescut, dhe këtë mbreti e dinte, kurse unë këto i kam dëgjuar prej Rafail Anastasiut. Rafaili  ishte sekretar i shoqërisë Bashkimi. Ai kish marrë vesh se Naçua kishte lidhje me mbretin, nëpërmjet Butculescut. Rafaili ishte shqiptar i kulluar. Jetoi 91 vjet. Banonte në Rrugën Bonaparte, ku kishte shtëpinë, të cilën ia mori pushteti, por ai ngriti më vonë një godinë më të madhe, pranë ish/kinemasë Volga. Filoshqiptarë të shquar ishin edhe Vasile Alexandri, Ion Creanga, George Cosbuc, autori i poemës Balada shqiptare, Nicolae Iorga, Gheorghe Bratianu, Alexandru Roseti. Roseti ishte mentor i Brënkushit dhe ishte mik me mua. Më ftonte në zyrë, interesohej për gjuhën shqipe, shkruante për lidhjet linguistike që kishte shqipja me rumanishten. Dhe për këto lidhje, u ligjëronte edhe studentëve të shumtë që i frekuentonin ligjëratat e tij. Në kohën e diktaturës i vinin Studimet Filologjike e vepra tjera albanistike, kurse sot! Për këto lidhje ka shkruar dhjetra studime e libra, 40 vjet me rradhë. Grigore Brënkushi është filoshqiptari më i madh i këtij vendi, por më duket se edhe këtë e kanë harruar autoritet shqiptare.

Një dokument shqip më i vjetër se Formula e Pagëzimit

Para se të kalojmë te thesarët e Dritës, po përkujtojmë faktin se emri i Dhimitër Polenës, ndërlidhet fuqimisht, edhe me zbulimin e njërit nga dorëshkrimet më të hershme, të shkrimit shqip. Për këtë ka shkruar Fjala e Prishtinës dhe Jup Kastrati i Tiranës: Formula rituale e dorëshkrimit të Bellifortis-it, u diktua nga docenti i Universitetit të Bukureshtit, Dumitru Toderiçi, më 1967, në një vepër kalorsiake të vitit 1405. Ruhet në Musee Conde Chateau de Chantilly, në një vepër kalorsiake të vitit 1405, Ms 348/663, fol. 153 v. U lexua dhe u zbërthye, së pari, në shqip nga Dhimitër Polena. Pastaj u studjua nga Robert Elsie, i cili interpretoi dymbëdhjetë fjalë shqipe: izë, zabel, janë, jonë, rragam, i madh, përbri, afsh, vashëri, ehem (i mprehtë), bijat (Jup Kastrati, Historia e Albanologjisë, vëll.I, Tiranë, 2000, f.40). Ç’thot Polena për te?

“Filoshqiptar ishte edhe Dumitru Toderiçi. Kontributi im ka qenë i pashënuar nga shkaku se nuk i kam dhënë rëndësi. Është fjakla për dorëshkrimin e Kyezerit. Çuditem se si këta shqiptarët nuk rendin për të zbuluar një dokument shqip, më të vjetër se Formula e Pagëzimit. Lidhur me dorëshkrimin e Kyezerit, Dumitru Teodoriçit i ofrova një bazë që është marrë nga verilindja e Shqipërisë, nga Kosova e sotme, ku ka qenë edhe fillimi i Mbretërisës së Gjon Kastriotit. Është mëkatë të mbetet nën mëshirën e kohës, ky dokument me shprehje shqipe. Përmes sintagmave ra, yzë, zabel, etj. autori e kishte fjalën për djalin kur arrin të bëhet burrë, duke e ndërlidhur me ritualin e ditës kur shkonte për herë të parë në kurbet. Toderiçi ka qenë në kolegi im i stuidimeve. Ai theksonte se Kyezeri ka pas qenë andej nga Kosova dhe për atë unë u bëj lutje shqiptarëve të atjeshëm, sidomos dialektologëve, ta kenë parasysh këtë dorëshkrim. Kur ia tregova Mahir Domit këtë, më tha se nuk janë shqip. Unë i thash se nëqoftëse të gjitha nuk janë shqip, janë disa prej tyre, dhe i thash: Tregomëni juve nëqoftëse nuk janë shqip këto fjalë. Dorëshkrimi i Kyezerit përndryshe është më i vjetër se Formula e Pagëzimit, për nja dyzet vjet. Me ndihmën e ndonjë dialektologu shqiptar nga  verilindja, shpresoj se  mund ta zgjedhim këtë gjë”.

-E keni njohur Lasgush Poradecin? -Më ka lënë përshtypje të madhe, sidomos fjalori i tij poetik. Lasgushin e kam njohur në Korçë, sepse ai ka ndenjur në shtëpinë tonë, te Vani Burda. Di kaq, se kunati im, Vani Burda, ia dorëzoi Lasgushit dokumentet e shoqërisë Drita, dhe se pas një kohe, më urdhëroi ti marr prap. Vani Burda, që ish nipi i Naços, i kishte rojtur ato dokumente, dhe ia kishte dhënë Lasgushit meqenëse Lasgushi kishte lidhje me gazetat, dhe kur mi ktheu ato mua, Lasgushi më tha: Unë ta dhashë shpirtin. Lasgushi shkruante vjersha dhe ndonjël artikull, dhe merrte para për to.

Konzulli i Shqipërisë, punonte pa rrogë

-Po për vullnetarët, dini gjë për ta? –Si jo! Ishin dy patriotë të dëgjuar, të cilët u lëvduan për të mbledhur para, për të dërguar vullnetarët që u shkrojtën si të tillë, për shpëtimin (alegorik) të Shqipërisë nga fashistët, për të luftuar pra, kundër fashizmit. Dhe u mblodhën 250 mijë leja. Ç’u bë me këto para, nuk e di. Mua më çudit fakti pse njëri prej shqiptarëve të këtushëm, goxha profesor universitar, mënjanë insistonte të bëhet kryetar yni, ndërsa në anën tjetër nuk u shkrua si vullnetar, dhe as paratë që i mblodhi. E dini se kush e bëri këtë? Këtë që i mblodhi paratë, e që duhet ta vini në relief, këtë e bëri Filip Mano, dhe një shok i tij. Kjo ishte një shprehje konkrete e patriotizmit shqiptar të korçarëve. Kjo ide përndryshe, nuk u realizua, ngase Italia e ktheu taktikën. Kur Italia e shkeli Shqipërinë, ishim nja 5-6 veta, që u shkruajtëm vullnetarë, ndër të cilët unë, Skënder Eftimiu, Athanas Papapano, Matej Danili, Gaqi Vruho, e do tjerë. Në atë kohë filloi një miqësi ndërmjet shqiptarëve dhe fashistëve, dhe u pranua edhe Viktor Emanueli si mbret i tretë. Pastaj pastaj krisi edhe lufta, lufta e dytë botërore.

Kam njohur edhe të jatin e Nasi Kristeskut, Dhimtër Kristo Rëmbecin, i cili shkruante poezi. Ishte shqiptar i kulluar dhe ka bërë shumë për Shqipërinë. Pastaj ishte njëfarë Joan Teohari, piktor. Ishte shqiptar nga Progri. Jetonte në Bukuresht. Naçua dhe Hashdeu deshën ta dërgojnë në Pariz, për të studjuar me bursë rumune. Ishte një piktor i talentuar. Kam disa skica prej tij. Kam njohur pastaj, edhe Vangjush Mion. Studjonte në Bukuresht, kam ndjekur mësuar shumë prej tij, dhe kam patur nderin, t’ia njoh edhe familjen. Shqiptarët në krye të shtetit shqiptar, pothuajse të gjitha shërbimet zyrtare i bënin pa pagesa. Faktikisht ato i mbulonin shqiptarët e këtushëm. Një i këtillë ka qenë edhe ish-konzulli i Shqipërisë në kohën e Zogut, Basile Dogani. Nuk merrte rrogë dhe zyra e tij, konsiderohej si zyra e shqiptarëve.

-Po mbi Diamandi Tarpon, që ia fali krejt pasurinë kauzës kulturore shqiptare, mund të na thoni gjë për te? Kam dëgjuar vetëm kaq, se tërpallarët ishin të pasur, por ishin edhe pishmanxhinj. Unë vi nga një familje e varfër, por tërë jetën e kam kaluar me Shqipërinë dhe shqiptarët në zemër. Babain e kisha murator, që e siguronte ekzistencën e familjes me djersën e krahut. Meqë vdiq i ri dhe unë mbeta jetim, u detyrova të regjistrohem në Bandën muzikore të Bashkisë së Korçës, ku arritëm disa prej nesh, ata më të vobegtit, por pa të cilët nuk mund të dilte banda para publikut. Pse? Ngase ishim më të zotët, dhe unë i bija klarinetës, e cila mbeti në Korçë. Më ardhi shumë keq pse s’e mora kur erdha në Bukuresht. Preferoja t’u bie melodive që ishin në gojë të popullit . Më vonë u regjistrova në Liçeun Kombëtar shqiptar të Korçës. Këtu jepeshin mësimet në ghjuhën frënge. Profesorët ishin të përzjerë: francezë dhe shqiptarë. E mbarova liceun pas nëntë vjetësh, më 1936, nëpërmjet kunatit tim, Vani Burdës, pata fat ta njoh edhe Hilë Mosin.

Kur një dokument vlen sa një monument

Kam hulumtuar e zbuluar një mori letrash e dokumentesh të pabotuara deri më sot. Ja ti  shikosh këto! Këto janë më tepër nga arkivi i Naços. Me të varrosur Naçon, më 1913, kunati im, Vani Burda, iku nga Rumania dhe ardhi në Shqipëri, ku u martua. Një pjesë të arkivit të dajës së vet, e la në Rumani, pa  kurrfarë përkujdesjeje, e i cili u shpërnda. Njerëzit te të cilët i la këto dokumente, u zhduknë. Këto janë gjëra të shenjta. Është mëkatë të zhduken nga mëshira e kohës. I kam ruajtur si sytë e ballit. Pasi u lirova nga detyra, pasi u pensionova, iu vura ngadalë  klasifikimit dhe sistemimit të tyre. Janë dokumente të cilat nuk jam mashtruar si disa, për tua dhënë diplomatëve të ishpushtetit komunist, ngase ishin të verbër. Çdo gjë që ndërlidhej me mbretërinë, e konsideronin si reaksionare, revizioniste, imperialiste. I likuidonin jo vetëm vlerat kombëtare, por edhe shokët më të mirë. Mu për këtë nuk kisha besim te asnjëri nga funksonarët e atëhershëm të ambasadës, ngase, më sa di unë, shumë materiale të rëndësishme që u janë dorëzuar nga shqiptarët e Rumanisë, janë humbur pa nam e pa nishan.

Fjala e urtë latine  Verba volant, scribta manent, vlen edhe për dokumentet. Fati i tyre është i ngjashëm me atë të librave: nganjëherë dramatik. Dha Zoti, duke i falënderuar birit të tij, Kostelit, të na bien në dorë para 7 vitesh, një numër i madh dokumentesh të shoqërisë shqiptare “Drita”, që pat vepruar në Bukuresht, para 100 vitesh. Në këtë thesar që na e fali Zoti, falë përpjekjeve tona të parreshtura, për t’i shpëtuar nga mëshira e kohës, pos dorëshkrimeve, gjendet edhe një numër i madh letrash që patën arritur asokohe, në adresë të kryeveteranit të veteranërisë shqiptare, Nikolla Naços, i konsideruar nga ana e historiografisë shqiptare si apostull i shqiptarizmit, patrioti më i flaktë i kësaj kolonie.

Zoti nuk i harron ata që mendojnë për popullin e vet

Derisa ishte gjallë, profesor Polena, na priste me zemërgjerësi në banesën e tij, që gjendej afër tregut Një Maji, duke na ururar për kohën që ndajmë për te, duke na falur edhe ai ngandonjë kartë-postale, ngandonjë libër, ngandonjë broshurë, ngandonjë dokument, të gjitha të ndërlidhura ngushtë me N. Naçon, shqiptarët dhe shoqëritë e tyre. Ato i pat grumbulluar së pari, ishsekretari i shoqërive të këtushme shqiptare, Rafail Anastasiu. Pas vdekjes së tij, ato i merr Polena, për t’i shpëtuar nga pakujdesia e bashkëshortes së Anastasiut, të cilës, sipas Polenës, as që i interesonin, ngase s’e dinte shqipen dhe nuk dëshmonte sinqeritetin e gruas së një shqiptari të madh. Dhe ja, dha Zoti që nga shtëpia e Anastasiut, ato të kalojnë në banesën e Polenës, dhe prej atje, në bibliotekën tonë shkencore, letrare dhe artistike, duke patur për to kujdes, si ndaj një mrekullie.

Janë këto vlera të shenjta kombëtare, të cilat mundohemi t’i afirmojmë, sipas mundësive që kemi. Është një mrekulli e gjallë, e thesarit kombëtar shqiptar. Një dokument, vlen sa një monument.  Lexuesi i rëndomtë, por edhe shkencëtari kurreshtar, mund të parashtrojë pyetjen: Si arritën ato, nga duart e rilindasve, në ato të bashkëkohanikëve? Për to flet Diturija e viteve ‘20-të, duke hedhur sypozimin se ekziston një thesar dokumentesh të Shoqërisë Drita, por nuk dihet se ku gjendet. Me to frymëzohet edhe Lasgushi, duke qëndisur nga to, një portret të shkëlqyer për kryeveteranin e veteranërisë shqiptare, Nikolla Naçon (Bukuresht 1996).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat