Jeta nuk është këngë

Diaspora

Jeta nuk është këngë

Nga: Sabit Abdyli Më: 15 janar 2018 Në ora: 07:05
Valdete Berisha

Poetja Valdete Berisha e lindur në Mitrovicë pasi kreu shkollën e mesme si shumë shqiptarë tjerë në vitet e 90-ta nga represioni serb  emigroi në Belgjikë. Në Belgjikë  në fletoren e kujtimeve nga shkolla e mesme,  që e kishte me veti vazhdoi të shkruaj poezi. Me poezitë  qetësonte shpirtin e trazuar në mërgim nga frymëzimet e moshës dhe mallit të vendlindjes. Së pari me ndrojtje, por me kohë mori guximin edhe t'i publikonte. 

Në vitin 2008 botoi librin e parë me poezi "Mos e zgjo dhimbjen", i cili u mirëprit nga lexuesi.  "Poezitë e Valdete Berishës, shkroi recensenti i librit Halil Haxhiosaj, kanë mëvetësi, por edhe tërësinë tematike, subjektin dhe motivin e tyre. .. të cilat shprehin një figuracion që gërshetohet me mozaikun e ngjyrave, nuancat e tyre, e sidomos me imazhin tematik". Poezia, do të thosha unë,  është pasqyrë shpirti, është gulçimë përjetimi, herë si ëndërr, herë e njëmendët e atij që e shkruan. Ja një rikujtim i poetes në orët e vetmisë:
Jeta nuk është këngë
Në ketë orë të natës
Pa lëmoshë pa identitet
Në faculetë  letre lash buzët
Tufë flokësh të pathinjura
Në shami të mëndafshtë
Lapsin plot shpresë e lash
Zërin tënd të humbur
Që vetëm unë e ndjej
Si këngë mallëngjyese
Jeta nuk është këngë  
(nga libri i përmendur, faqe 29)
Kjo çikë Kosove përveç poezisë merret edhe me pikturë, fotografi artistike dhe kudo që prek dora saj është art. Ka hapur ekspozitë individuale, kolektive e bamirësie në Kosovë e shtete të Evropës. Pikurat e saja kanë tërheq vëmendjen e opinionit për ngjyrat, origjinalitetin, ambientin e paraqitur bukur të jetës shqiptare, sidomos femrës me koloritin aq të pasur e të bukur të kostumeve kombëtare.  Valdetja vazhdon të shkruajë,  pikturojë e kontribuon në organizatat bamirësie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat