Bytyqi u takua me shoqatat dhe shkollat plotësuese të komunitetit shqiptar në Londër

Diaspora

Bytyqi u takua me shoqatat dhe shkollat plotësuese të komunitetit shqiptar në Londër

Më: 25 janar 2018 Në ora: 00:34
Pamje nga takimi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Shyqiri Bytyqi, mbajti sot një takim me shoqatat dhe shkollat e mësimit plotësues të komunitetit shqiptar, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Londër, të cilin e moderoi Ambasadori Lirim Greiçevci.

Ministri Bytyqi shpalosi prioritetet arsimore të Kosovës, me theks tek bashkëpunimi midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, për organizimin dhe financimin e mësimit plotësues të gjuhës dhe kulturës shqipe në Diasporë.

Ministri përmendi marrëveshjet e nënshkruara në fushën arsimore lidhur me planprogramet e përbashkëta mësimore nga ana e dy qeverive, të cilat tashmë kishin hyrë në rrugë të zbatimit institucional. Ai gjithashtu premtoi që, së bashku me ministritë e tjera të linjës, do të jenë gjithnjë pranë Diasporës, e cila ka dhënë dhe po jep aq shumë për vendin e tyre.

Përfaqësuesit e shoqatave dhe mësimdhënësit parashtruan një sërë pyetjesh lidhur me organizimin, financimin dhe mbarëvajtjen e mësimit plotësues, duke bërë thirrje që t’i kushtohet rëndësi edhe më e madhe ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës dhe kulturës shqipe, në veçanti në mesin e fëmijëve të Diasporës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat