Revista ”Shqiptari” në 130 vjetorin e botimit (1888-2018)

Diaspora

Revista ”Shqiptari” në 130 vjetorin e botimit (1888-2018)

Nga: Baki Ymeri Më: 4 mars 2018 Në ora: 01:06
Disa kopertina

(Nikolla Naço e propagonte shqiptarizmin dhe frymëzonte patriotizmin. Në themelet e monumenteve të mëdha të kulturës shpirtërore e materiale shqiptare të Rilindjes Kombëtare, janë vënë gjaku, djersa, mendja, zemra, trimëria, pasuria, heroizmi dhe gjenialiteti i bashkatdhetarëve mërgimtarë në Rumani, veçanërisht i Nikolla Naços, kryetar i shoqërisë “Drita”)

Historia e gazetës „Shqiptari” u lind nga një përkushtim i sinqertë dhe dashuri përvëlimtare ndaj Shqipërisë, ngase ky ishte dhe qëllimi jetësor i Nikolla Naços, kryetar i Shoqërisë Shqiptare „Drita”. Misioni i Naços ishte flakja e sundimit osman, ndriçimi kulturor dhe integrimi i kombit shqiptar në një hapsirë të përbashkët etnike, gjeografike dhe historike, vetëqeverimi dhe krijimi i Shqipërisë reale përmes përfitimit të pavarësisë. Kolonia Shqiptare e Bukureshtit ishte flamurtarja më e madhe e mërgimit shqiptar. Misioni i saj ishte atdhetarizmi dhe qytetërimi, bashkimi, uniteti dhe prosperiteti. Rrënjët shpirtërore të traditës shqiptare në Rumani, sipas  Lasgushit “qëndrojnë shumë më fellë, sesa mund të mirret me mënd. Kollonija e Bukureshtit ka qenë një Organizatë idealistësh-tregëtarë që mi themelin elementar të jetës kishin ngritur flamurin e idealit më të pastër kombëtar”. Ideali i tyre, sipas historiografisë shqiptare ishte Shqipëria, mënyra e tyre ishte veprimi, nevoja e tyre ishte arritja e qëllimit. Nikolla Naço ishte njeri i inisativës dhe krijimit. “Naçua parashtroi një varg çështjesh dhe veprash për t’u marrë parasysh me ringjalljen e Mëmëdheut”. Cila është atmosfera patriotike e komunitetit shqiptar të Rumanisë?

Ky komunitet ka qenë gjithnjë në ballë të çështjes kombëtare shqiptare. I shquar veçanërisht në kohën e Rilindjes dhe në shpalljen e Pavarësisë, ky komunitet ka dhënë kontribute të pallogaritshme në militimin e çështjes së gjuhës shqipe, të abetareve shqipe, të librave shqipe, të çështjes së flamurit shqiptar, të himnit kombëtar etj. Arlinda Canaj thekson se janë të shumta kontributet e këtij komuniteti në të mirë të Shqipërisë, të patriotizmit dhe të emrit të mirë të shqiptarëve në mërgatë, duke nxjerrë disa prej patriotëve tanë më të shquar. Njëri ndëra ta është kryevetrani i këtij komuniteti, Nikolla Naço, drejtor i shoqërisë „Drita” dhe gazetës „Shqiptari”. Cili është ay që s’ka dëgjuar emrin e Nikollë Naços, pyet Mihal Grameno dhe përgjigjet: „Mundet nga të rinjtë që të mos dijnë gjithë veprat e mbëdha të këtij Patrioti të Math, i cili është një nga themelonjësit e Çështjes Kombëtare. Por kur të shkruhet Historija e Përlindjes Kombëtare, emri i Nikollë Naços ka për të zbukuruar dhe çkëlqyer faqet e Historisë... Që të emërohen veprat e Naços, duhen libra të mëdha.”

 Fillimisht, „Shqiptari” i Naços konsiderohej si gazetë e përjavshme, kurse kohëve të fundit si revistë. Historia e gazetës u lind në një kohë të turbullt kur pala greke dhe ajo pansllaviste bashkëvepronte me Perandorinë Osmane dhe bënte çmos kundër gjuhës shqipe dhe ekzistencës së kombit shqiptar. Nikolla Naço përdori një strategji diplomatike, duke bashkëvepruar me Stambollin për ta bindur se shqiptarët kanë nevojë për dritë dhe kulturë, për hapjen e shkollave shqipe dhe zëvendësimin e greqishtes në kishat e Shqipërisë. Sipas Lasgush Poradecit: „Nikolla Naço boton të parën gazetë shqipëtare, bën të parën shkollë shqipëtare, inauguron të parën kishë shqipëtare, dorëzon të parën xhami shqipëtare, redakton të parin plan strategjik për Kryengritjen e Madhe shqipëtare”. Gazeta ka qëllim që ta ruajë me shenjtëri gjuhën tonë, traditat dhe zakonet e stërgjyshërve tanë. Numri i parë i gazetës doli më 7 Gusht 1888, me artikuj në gjuhën shqipe dhe rumune. Kjo tribunë kombëtare hapet me dy shtylla: Letëra e Florinjtë dhe Letëra e Zezë, në të cilat lartësohen atdhetarët dhe fshikullohen tradhëtarët, fajtorët, prishësit e shoqërisë e të njerëzisë, njerëzit me shpirt të vogël që u shërbejnë interesave të poshtra e të turpshme. Mendimet e mia, thekson N. Naço „drejtoheshin kah krijimi i një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha anët e botës nëpërmjet botimit të një gazete, që do t’i shprehte konkretisht dhe do t’i përfaqësonte drejtësisht kërkesat dhe aspiratat mbarëkombëtare”.

Jeta e Nikolla Naços (1843-1913), thekson e mbesa e tij (Rebeka M. Burda), është jeta e një njeriu me pasuri të mëdha, me vullnetin e hekurt, me intuitën gjeniale, me dashuri të patundshme për Shqipërinë. Jeta e tij është një dramë e madhe njerëzore, një përpjekje e pandërprerë e vullnetit për të bërë diçka të bukur dhe fisnike, për të përfituar pavdekësinë. Drejtori i gazetës mbante letërkëmbim me personalitete të shquara shqiptare dhe albanologë të huaj. Ja një fragment nga një nga 5 letrat e Faik Konicës drejtuar Nikolla Naços më 1896: Emri im është bej Faik Domenik Konica, djali i bej Shahin Konicës dhe i afërt i Ali Tepelenës, që bëri shumë të liga, po bëri edhe të mira, se u hapi sytë shqiptarëve edhe u tregoi se s’janë as turq, as greqishtarë, po djem të Shqipërisë. Shqiptarët ngordhin urie, se turku s’hap udha për tregtinë, s’bën fabrika, s’bën shkolla, s’bën gjë fare. Në mos ishin turqit në Shqipëri do të bënim udhra të hekurta, edhe çdo mot me mijë të huaj do t’a vizitonin. Po pse s’na lejojnë turqit të hapim shkolla dhe të kemi vivla (libra) dhe gazeta? Ne shqiptarët e bëjtëm Turqinë të madhe, dhe historia na tregon që përpara 100 vjete tërë shqiptarët, myslimanë, katolikë e ortodoksë, venin në luftë.  

Bukureshti ishte qendra më e fortë e mërgatës shqiptare

Jo vetëm gazeta ka rëndësi historike, por edhe themeluesi i saj, Nikolla Naço dhe kontributi i tij për gjuhën shqipe dhe kishën shqiptare. Kisha shqiptare dhe kombëtarizimi i saj ishte njëra nga kurorat e përpjekjeve të rilindësve tanë që vepruan në mërgim. Nikolla Naço u bë gur graniti i ngritjes së Kishës Autoqefale Orthodhokse Shqiptare. Për këtë Naço iu drejtua mikut të tij Mareshallit Nusret Pasha, që të ndërhynte tek Patriku i Stambollit Dhionis. Patrikut, Naço i bëri përshtypje të madhe me burrërinë e tij dhe njohjen e greqishtes. I Tërëshenjtë, i tha: “Krishti gëzohet se erdhi koha që të lavdërohet sipas Urdhërit të Tij ndër gjithë popujt edhe në gjuhën e popullit të Tij besnik shqiptar”. Sipas Rebeka Burdës, Fan S. Noli dhe Nikolla Naço mbetën sinonim i ndritur në historinë e Rilindjes Kombëtare.  Në planin strategjik, Nikolla Naço i caktoi me përpikëri parimet dhe metodat e domosdoshme për t’i udhëzuar fuqitë kombëtare drejt një qëllimi praktik. Ky qëllim ishte çlirimi i plotë i Shqipërisë, i bërë nga shqiptarët me armë në dorë. Ai me veprat e tij patriotike u bë sinonim i të gjitha përpjekjeve, i aksioneve që çonin drejt bashkimit dhe çlirimit kombëtar, duke u ngritur dhe duke shërbyer si fener ndriçimi dhe si orientim në kolonitë shqiptare të mërgimit në Rumani e gjetkë në botë. Sipas Dr. Ismet Dërmakut: Falë rolit të tij Bukureshti u shndërrua në qendër të fortë të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Unë vazhdoj të inspirohem nga vepra e rilindësit tonë të pavdekshëm Nikolla Naço që e themeloi revistën “Shqiptari” më 1888. I lexoj dhe rilexoj me admirim shkrimet e Lasgush Poradecit dhe Ismet Dërmakut për këtë fatos të veteranërisë shqiptare. N. Naço, kudo që i jepej mundësia, e propagandonte shqiptarizmin dhe e frymëzonte patriotizmin. Dëgjoni more evlatët e mi u pat thënë dy studentëve shqiptarë kur erdhën në Bukuresht: „Ju keni ardhur me studentët turq. Ata nuk i kemi armiq, por në shkollat e Stambollit juve nuk ua mësojnë historinë e Shqipërisë. Ne kemi një histori të shkëlqyer, flamuri ynë ka qenë i nderuar nga të gjithë popujt.” Atdheu, Bashkimi, Urtësia dhe Besa e Shenjtë Shqiptare. Nikolla Naço shkruan para 120 vitesh: “Kam gëzim të bëhem apostull që ta shikoj të ngritur Flamurin e Independencës dhe të bashkuar gjithë vëllezërit e mi prej një gjaku, vëllezër të ndarë me pahir nga njëri-tjetri aty para 400 vjetësh, dhe atëherë plumbi i parë dëshiroj të më godasë mua dhe të bëhem lajmëtari i parë i stërgjyshërve tanë të cilët na vërejnë me brenga së largu, duke pritur prej nesh çlirimin e Atdheut të tyre, dhe kësisoj bashkë me ta të vete pranë Skënderbeut e t’i them se Atdheu me anën e Bashkimit, të Urtësisë dhe të Besës së shenjtë shqiptare, ngriti Flamurin kundër tiranit dhe po lirohet.” (Bukuresht, 1898).

Idoli ynë është Nikolla Naço – kryetrimi i Bukureshtit. Salla e madhe e koncertit ishte mbushur me plot të ftuar. Ishte e stolisur me flamurin shqiptar dhe atë rumun. Koncertin e mbante tenori lirik drenovar Mitko Toskani për nderë të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. Pa filluar koncerti hyri një burrë shpatullgjerë me mustaqe të krekosura dhe po e shikonte me përçmim flamurin tonë, bile deshi ta pështynte. Naço s’u përmbajt, nxorri koburen nga brezi dhe u mat t’i binte, por ai i poshtri u llahtaris dhe u përzie me turmën. Atëherë Naço i tha Zisit: Merr këtë kobure dhe ik e vraje se ti je më i shpejtë nga këmbët! “Unë renda me kobure në dorë por s’e gjeta dot armikun tonë.” Në themelet e monumenteve të mëdha të kulturës shpirtërore e materiale shqiptare të Rilindjes Kombëtare janë vënë gjaku, djersa, mendja, zemra, trimëria, pasuria, heroizmi dhe gjenialiteti i bashkatdhetarëve mërgimtarë në Rumani, veçanërisht i Nikolla Naços, kryetar i shoqërisë “Drita”. Mirëpo, sipas Lasgush Poradecit dhe Ismet Dërmakut, tërë kjo nuk mund të kuptohet dhe të shpjegohet e pandarë pa përkrahjen e popullit mik e të afërt rumun dhe të shtetit të tij. Rumania është vendi i parë në botë që e njohu Pavarësinë e Shqipërisë (1913),

Drita e Bukureshtit dhe shqiptarizmi i De Radës. Sipas Dr. Dërmakut, në shtator të vitit 1899, Kryetar Nderi i shoqërisë “Drita” u zgjodh iluministi ynë i madh De Rada. Përkitazi me këtë, Nikolla Naço i shkruan: “Morëm vendimin e nderuar t’jua dërgojmë këtë letër të respektuar dhe një diplomë që shoqëria “Drita” ka dëshiruar njëzëri t’jua ofrojë titullin “President Nderi”. Si një shenjë e vogël e mirënjohjes së madhe që gjithë shqiptarizmi ju nderon për shërbimet e larta që keni pasur mundësi t’ia bënit Shqipërisë me anë të veprave letrare me një vlerë kombëtare të pakrahasueshme”. Ja se kush ishte Nikolla Naço dhe misioni i tij i shenjtë! ”Një nga idetë që më pushtonte më shumë, ishte ajo që të ndërtoja një kishë dhe një xhami shqiptare në kryeqytetin e Rumanisë, që të mund të mbledh së bashku shqiptarët e kolonisë së këtushme që frekuentojnë kishat e huaja dhe njëkohësisht për t’i vëllazëruar. E kuptova që do të kenë ndikim të rëndësishëm mbi njerëzit tanë këto faltore të shenjta për bashkimin si dhe dashurinë e mundësinë t’i falen Zotit në gjuhën stërgjyshore”. (Nikolla Naço, 1890). 

Maqedonia arumuno-shqiptare dhe shovinizmi ballkanik

Gazeta “Shqiptari” (Nr. 2-1899) pohonte se nën petkun e reformave në Maqedoni fshihen synimet bullgare, serbe e greke. Gazeta i sulmonte të tre palët për qëndrimet e tyre antishqiptare dhe për shkrimet e tyre vullgare  që fabrikonin shpifje për shqiptarët gazetat sllave e greke. “Shkruajnë gjoja se arnautët (shqiptarët) janë njerëz të egër, kanibalistë etj., kurse shtetet e tyre kërkojnë nga Porta që shqiptarëve t’u merren armët. Ne kërkojmë që të na jepet autonomia, e drejta të rrojmë si komb i pandarë me gjuhën tonë dhe me zakonet tona. Gazeta vazhdonte t’i mbronte kërkesat shqiptare dhe t’i godiste me fuqi bullgarët dhe politikën e tyre në Maqedoni. Nikolla Naço pohonte se u gjend  në rrezik shpeshherë: “Në maj të vitit 1889, nga Sofja erdhën në Bukuresht Panika dhe Cankofi me emra të rrejshëm, me qëllim që të më zhdukin. Në këtë komplot ishte inkuadruar edhe Vezenkofi nga Krusheva, spiun i Ambasadës ruse në Bukuresht. Pasi kuptova, i kërkova t’i vrisja, por nuk i gjeta se kishin ikur”. Ky tribun i shqiptarizmit, sipas një historiani kosovar (Ismet Dërmaku), vazhdonte t’i mbronte kërkesat shqiptare dhe t’i godiste me fuqi bullgarët dhe politikën e tyre në Maqedoni.

„Shqiptari” i Naços demaskon shovinizmin ballkanik. Gazeta “Shqiptari” më 1899, nën udhëheqjen e Nikolla Naços, u botua në një kohë shumë të vrrullshme dhe të rëndë për popullin shqiptar, kur i kërcënohej rreziku i ri nga fqinjët. Nën pretekstin e “çështjes maqedone” u aktivizuan Bullgaria dhe Serbia. Kjo gazetë territorin e Maqedonisë me të drejtë e trajtonte me shumicë absolute të popullsisë shqiptare dhe të asaj vllahe, duke u angazhuar në programin e saj për një jetë të përbashkët të këtyre dy popujve. Gazeta ishte kundër pretendimeve bullgare për të depërtuar në Maqedoninë arumuno-shqiptare. Gazeta “Shqiptari” (Nr 2-1899) pohonte se nën petkun e reformave në Maqedoni fshihen synimet bullgare, serbe e greke. Gazeta i sulmonte të tre palët për qëndrimet e tyre antishqiptare dhe për shkrimet e tyre vullgare  që fabrikonin shpifje për shqiptarët gazetat sllave e greke. “Shkruajnë gjoja se arnautët (shqiptarët) janë njerëz të egër, kanibalistë etj., kurse shtetet e tyre kërkojnë nga Porta që shqiptarëve t’u merren armët. Ne kërkojmë që të na jepet autonomia, e drejta të rrojmë si komb i pandarë me gjuhën tonë dhe me zakonet tona.”

Nikolla Naço dhe Shkolla Normale Shqipe në Bukuresht. Ja trimëria politike dhe patriotike e Nikolla Naços! Intrigat e grekomanëve kundër Shkollës së Parë Shqipe në Korçë dhe kundër shoqërisë “Drita” në Bukuresht, Naço i demaskonte duke theksuar se gjuha jonë është vdekje për ta: “Shqiptarët po zgjohen e po përhapin gjuhën e tyre. Bijtë tanë janë të shumtë. Janë trima. Në duart e tyre mbajnë edhe dyfekët.” Nga historiografia e dimë se Normalja e Elbasanit u hap më 1909. Por, faktikisht, normalja e parë shqipe u hap në Bukuresht (1892). Në vitin 1893 u morr vendim për organizimin e një balloje. Të ardhurat u vendos të përdoreshin për mbajtjen e Shkollës Normale Shqipe dhe të konviktit në Bukuresht. Ftesës iu përgjigjën me ngrohtësi shumë patriotë të devotshëm. Ja disa nga to në adresë të Nikolla Naços: “Jemi me gjithë shpirt dhe me gjithë zemër në dispozicionin tuaj të lartë për përkrahjen e një aksioni kaq të shtrenjtë si ky”. “Do të përkrah këtë ndërmarrje bujare me gjithë zellin e një patrioti të vërtetë”. “Me gjithë respektin pranova të nderuarën ftesë me të cilën më thirrni në dobi të Shkollës Normale Shqiptare”. “Ju falënderoj për kujdes plotëmirësie. Në mua gjithnjë do të gjeni, për punë të tilla, një ushtar që pret urdhrat tuaj për të hyrë në shërbim.”

Nikolla Naço me vullnetin e tij të çelniktë arriti të bëhet faktori kryesor, duke përhapur ndjenjat kombëtare te krejt shqiptarët, kudo që gjendeshin e të cilët, në shenjë mirënjohjeje e zgjodhën më 1884 kryetar i Shoqërisë “Drita”, për të hapur tetë vjet më vonë shkollën e parë shqipe të Bukureshtit, me profesorë të famshëm universitarë, ndër të cilët edhe dijetarin B. P. Hashdeu, filoshqiptar i zjarrtë që la një varg shkrimesh jashtëzakonisht të vlefshme për gjuhën shqipe, për prejardhjen, lashtësinë dhe trimërinë e shqiptarëve, si dhe për lidhjet e lashta mes gjuhës shqipe dhe asaj rumune. Nikolla Naço militoi një jetë të tërë për çështjen e atdheut dhe u shua si një engjëll: ”Plagët e shpirtit t’im u shëruan! Tashi le të vdes! Zot’ i math më paska falur një vdekje të ëmbël. Rroftë Shqipëria!”

Kosova sipas „Shqiptarit” të Bukureshtit në vitin 1889

(Riprodhim nga versioni shqip, që u botua krahas variantës rumune)

Festa pansllaviste në Kosovë të Shqipërisë. Në këtë dakikë që shkruajmë këto rradhë, bëhet festa në Kosovë të Shqipërisë, festa e pansllavistëve që për 500 vjet që në kohë të luftës ndër mes të turkut dhe serbit, lufta të cilën e fituanë turqit në Ballkan. Më shumë komitete sllave ngaj Bullgaria, ngaj Serbia, ngaj Male Ziu, dhe ngaj më shumë vise të ujëdhesës të Ballkanit, ngaj Rusia dhe ngaj Austro-Ungaria, thonë (se) janë ardhur në Shqipëri për këtë niet. Për çudi është kjo festë ndër shqipëtarë, vëllehtë dhe turqit ngaj ujdhesa e Ballkanit ...: Kjo festë që del në shesh sot bje më shumë erë orthodhoksie pansllaviste, se sa festë e kombit, dhe me zemër të qëruarë ngaj anë e Serbisë, sikur duket ngaj ditëtoret sllave!...Se: Çduanë serbrit të rëfejnë botës me këtë sebep, i cili nuku ka asnonjë niet të qëruarë? Çkanë mbuluarë serbrit në Kosovë, që të kenë sebepnë të (n)dreqnë e ta sbulojnë tani me kaqë panair? Lavdinë e kombit? Po kjo e knaz Lazarit, që u vra në Kosovë, nuku është më: ajy humbi, që atëherë, vetëm njëherë më parë kur vdiq prenci (i) tyre, Dushan. Mësim? Nuku kanë pasur serbrit as një herë. Lavdinë e luftës? Dhe kjo nuku është për veç lavdia e turqve që muntnë sllavët dhe elinët, në (si)ujëdhesën e Ballkanit. Ç’niet ka të fshehur në gjith kjo festë pansllaviste me kaqë donoma?

Po të mentohet dhe të gjuanjë si cili do, të gjitha të punuarat e shoqërisë të panserbëve që quhet “Shën Sava”, atëherë e gjen kollaj nietnë e tyre, për të keqen e kombeve të Ballkanit. Me gjithë këto do mbajnë sebep të tjerë(t), në të punuarat e sllavëve në tërtipet e tyre, në të sjellat e tyre, et(j)., et(j).; atëhere do ta shohë gjithëkush, çtë mëdha munafikllëke ka në bark kjo festë! Jo vetëm kombet e vogëla nga Ballkani, po edhe kombet e mbëdha të Evropës s’janë rehat dhe gjuajnë gjithënjë të marën vesh të kësaj mahanae.  Mbretëria e turkut, sikundër shëkojmë ngaj ditëtoret e Evropës, bëri dhe dërgoj për këtë punë nota (haber) në të gjitha mbretëritë e mëdha, duk u  thënë atyreve lartësinë e kësaj feste; vetëm Rusia i dha një të përgjegjur që s’është gjësen(d); të tëra ato të tjerat, i dhanë të kuptohenë në faqe, dhe sënfshehur në të përgjegjurit të tyre kanë një frikë, më pak a më shumë është e madhe, dhe mos ngjasë më aksafish, me këto sebepe të tanishme, që gjenden azër, mund të ndizet në ujëdhesën në një zjar(r) i keq i përghithçim! Dhentë Zoti që frika të (n)dalë erënë: gjer tani, për fat të mirë, nuku kemi nonjë haber të keq. 

Sllavizmi vjen në Kosovë me qibritin në xhep

Ç’kërkojnë serbrit në Kosovë? Ha(haha)!...mbesojmë, Evropa nuk munt të jetë kaqë qorkë, sa të mos kupëtohet një niet kaqë të dukur, me sy dhe me qepalla, kush ta fshehë një sher(r) politik që duket! Sllavizmi vjen në Kosovë me qibrit në xhep. Ajy kërkon në Ballkan mashë të zerë zjarrë...! Ajy e di që kombi luftar(ak) në Ballkan është shqipëtari, i cili gjithënjë ngaj që gjendet në terët mendja e tij, dhe fuqia, qe masha dhe krahu i fortë, për kombet që janë të dëlira sot në Ballkan! Shqipëtari është në errësirë, pa dritë, dushmanët e gënjejnë kollaj ngaj e padia, shqipëtari nuk është i zoti të bënjë probë të drejtë në rojtjen e tij, dhe ndër rojtjen e kombeve të tjera të botës, që ta mbesonjë ëndërrën, shqipëtari nënë turkun r(r)on i dëlirë dhe pa rëndësira (pagime), dhe jo si rojnë kombet e tjera në komshitë, me rëndësira të mëdha dhe si ropër.

Po kur vjen sllavi, dhe i thotë ca gënjeshtra të mëdha në vesh, duke thënë që kombi sllav r(r)on shumë më mirë, dhe është më (i) dëlirë, dhe ka gjithë të mirat, et(j), et(j), shqipëtari (i) mbeson nga sebepi që është qor. Këtu është plaga, me intrigat munt të hedhë shkëndijat në mes të Ballkanit: sllavizmi e di këtë ngaj istoria e kohës së shkuarë! Sllavizmi ka shumë shpresë ta harrimë nietnë e tij, ajy mbeson që punën e ka gati; se Apostojtë e tij nuk rinë me duar në gji: kanë futur shumë intrika në vesh të shqipëtarëve; një nga këta Apostuj është mbuluar në Manastir (Bitolia). Shumë musulmanë shqipëtarë janë intriguar ngaj sllavët: ja u kthyenë mendjen me të taksurat të rena. Feja e padija ku e shpie të mjerin njeri, në çenem, intrika edhe mbretërinë e humb! Na vjen shumë keq që Evropa, e cila r(r)ëfehet që interesatet për ujëdhesën e Ballkanit, dhe më tepër Turqia, nuku ju bënë mësime të ngjarat që shkuanë në Ballkan! Thamë gjithënjë, dhe do të thomi se nuku ësht as Serb, as Bullgar, as Rus, as Orthodhoks, as Grek, për veç Shqipëtar i qëruarë. Shqipërtari ka nevojë për mësim, që të kupëtonjë vetë të mirën, që asnonjë tjatër komb a mbretëri, s’mund të ketë dlirësinë të fisit, të zakoneve dhe të dhëna më pak, se si gjendet tani në krahun e qiverisë Turkut! Shqipëtarit i lipset gjuha e tij që të këndonjë, dhe ta dijë sa të mira gëzon shqipëtari, më tepër se ngaj ato kombet e tjera, që quhen më vehte...në ujëdhesën e Ballkani!

Po të sqohet shqipëtari, është i zoti ta ruanjë gjithënjë ujëdhesën të mos turbullohet kur(r)ë, nga çdo milet sado i fortë që të jetë, dhe nga çdo anë që të vinjë: Po, kështu qor, dhe pa dije, shqipëtari do ndeznjë zjarrë, dhe do apë dorën me dushmanët fort kollaj, për të keqen e fisit dhe të mbretërisë (së) turkut, si dhe interesave të gjithë Evropës që kanë në Orjent! E ngasim gjenë përsëri, Mbretërinë e Turkut, Austro-Ungarinë dhe Anglinë, që ti mbarojnë këto sebepe që thamë. Më në funt, i lutemi qeverisë tonë Otomane, të bënjë skoli të gjuhës të tyre, (të) shqipëtarëve, që serbi është dushman, bullgari dushman, maleziu dushman, moskovi, greku dushman, dhe të gjithë punojnë që të sjellin qiverinë Rus(e) në ujëdhesën e Ballkanit, dhe të na bëjnë ropër, e të shuajnë fisin shqipëtar!” (Kosova, artikulli i botuar në të përjavshmen Shqipëtari / Albanezul, nr.24, Bukuresht, 1889. Varianta rumune mban titullin Cossova. E riprodhoi me përmirësime të imta ortografike: B. Y.)

„Shqiptari” i ditëve tona dhe nevoja për dritë

Gazeta, respektivisht revista „Shqiptari” u botua me ndërprerje nga viti 1888 deri më 1903. Falë mençurisë profesionale dhe gjenialitit historik të Dr. Xhelku Maksutit, që nga viti 1973 filloi të dalë në Bukuresht seria e re e revistës „Shqiptari”. Që nga viti 2005 e këndej, nja 100 numra të revistës ua kemi dedikuar disa personaliteteve të njohura e të panjohura shqiptare, poetë, poetesha, piktorë, këngëtarë, atdhetarë dhe tregtarë, rumunë dhe shqiptarë. Pothuajse të gjithë e kanë mbështetur simbolikisht botimin e saj. Për „Shqiptarin” e ditëve tona kanë shkruar me admirim Skënder Zogaj, Neki Lulaj, Dedë Preqi, Alush Kamberi, Alisetar Ramadani e shumë të tjerë. Për momentin, po i japim vetëm disa:  Maxhun Smajli: Posa më erdhi posta nga Bukureshti. Baki Ymeri, ky emër i njohur i letrave shqipe, m'i ka dërguar disa ekzemplarë të revistës për Diasporën Shqiptare në Evropë, vendlindja e së cilës është Bukureshti i Rumanisë. Kjo revistë prej 50 faqesh, brenda kopertinave të saja, të shkrira në shkrime e foto, kishte përfshirë një pjesë të pasur të jetës sime, ku disa nga artikujt e botuar nëpër gazeta të ndryshme as që i kisha lexuar më parë. Kjo edhe më bëri të lumtur dhe borxhli përballë punës ndriçuese të Baki Ymerit. (13 Shkurt 2018).

Astrit Balliu: Një falënderim të veçantë pë mikun tim Baki Ymeri dhe kolegët e tij që punuan në revistën e tyre për prezantimin e poezive të mia. Mbi të gjitha ndihem krenar që këta patriotë punojnë kaq vite për të mbajtur gjallë shqipëtarinë në kryeqytetin e Rumanisë, dhe jo vetëm atje! Respekt për ju, mik i nderuar dhe ju falënderoj edhe për zarfin që ma dërguat! (20 Shkurt 2018). Vullnet Mato: Nderim dhe respekt për ju i bderuar, dhe për Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Ruamanisë, e cila bashkëjeton me frymën atdhedashëse të Shqipërisë. Ju falënderoj për nderimin që më keni bërë, duke m’i kushtuar 50 faqe në numrin e parë të vitit 2018, në revistën prestigjioze „Albanezul/Shqiptari” (15 Janar 2018). Mimoza Çobo: Revista ''Albanezul'' që del nën kujdesin e veçantë të shkrimtarit të mirënjohur Baki Ymeri, nuk është thjesht një revistë kulturore, por një organ i rëndësishëm ku promovohen vlerat e çmuara të artit dhe kulturës shqiptare... Ju përgezoj i nderuar! Keni bërë një punë vlerësuese dhe tepër të admirueshme për lexuesin mbarëkombëtar, me prezantimin e madhështisë së disa personaliteteve të shquara të letërsisë sheipe. Vullnet Mato është njëri ndër ta, dhe do të mbetet edhe më tej shkrimtari që mjekon dhe shëron plagët e kombit dhe te shqiptarëve. (4 Mars 2018)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat