Krenaria kombëtare në lirikën e diasporës shqiptare

Diaspora

Krenaria kombëtare në lirikën e diasporës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 27 prill 2018 Në ora: 06:16
Kopertina

Lulzim Gashi është një farkëtar fjalësh. Krijimet e tij kanë vlera të veçanta letrare që inkorporohen në spektrin e lirikës së diasporës. Dëshmi e talentit të tij është fakti se poeti vjen në veriperëndim të kontinentit tonë nga bota e mrekullueshme shqiptare, e pasur me tradita të lashta, me këngë të bukura, me një gjuhë të bekuar, madje edhe me humor. Vëllimi “Liqeni i dashurive” është një mahnitje poetike nga jeta e ditëpërditshme e bashkatdhetarëve tanë në atdhe dhe në mërgim. Autori shpreh metaforikisht mendime dhe ndjenja. Ai shkëput ide interesante nga jeta, duke e nxitur lexuesin të analizojë mënyrën e jetës së tij dhe të autorit.

Tema që e trajton Lulzim Gashi në librin e tij të dytë, është ajo e atdhedashurisë, e krenarisë kombëtare për të kaluarën dhe shpirtin liridashës të shqiptarëve. Poezitë më të bukura me subjekte atdhetare janë: Liqeni i dashurive, Po vij në Kosovë, Gjuha shqipe, Atdhe, Atje ku je, etj. Motivet popullore janë prezente gjithandej në vargjet e tij. Satira, melankolia dhe humori i përshtaten poezisë „Në pellgun e nostalgjisë”. Poeti në këtë vjershë sjell një notë personale (vetjake), tejet interesante: „Ndalu! Ndalu o fryma e shpirtit tim/ Ndalu e shkëmbema acarin me zjarrë/ Dua t’i ngrohë gjymtyrët e shpresës/ Që ende sillen nën strehën e muzgut/ Dhe me naze i buzëqeshin satirës!” Vargjet respektive nxjerrin në pah veprime të jetës së brendshme në raport me jetën e jashtme. Humori del në pah edhe në vargje tjera të denja për admirim dhe vlerësim: „Ende brisk pa i ra f'tyrës/ Në mërgim vajti si plumbi/ Varfërinë e goditi n'zemër/ Derisa koha ia qëndisi ballin/ Me rrudha dushku e bungu!” (Litar jete).

Pas Kolec Traboinit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Gashi mund të konsiderohet si poeti më i mirë i diasporës që e kultivon me mjeshtëri të veçantë humorin, sarkazmin dhe ironinë. Ja edhe disa „kërcime” të reja satirike!: „Mbahu taman qysh t'ka hije/ Nuk është marre për inatë/ T’i bishtërosh dembelizmit/ Mos ki frikë se burrnija/ Është kuror’e shqiptarizmit.” Apo: „Për lakmi të Zotit? Ndërroi edhe moti/ T’u njomë k’naqësia/ Punë më të lehtë/ S'e dimë ç’është lakmia/ Dhuratë nga gruaja apo/ Nga demokracia!” Lirika satirike kaplon edhe përmasa politike kundër pandjeshmërisë së „sovranëve” që kanë fituar votën e populit, kurse populli vuan më keq se në kohën e Titos. Për standardin e jetesës e kemi fjalën, e jo për lirinë e mendimit dhe të qarkullimit: „Udhë e mbarë votë për Sovranin/ U mblodh burrnia ia ngriti namin/ Qysh me nxanë një shkam n'taborre/ Lesh mbi lesh janë lidhë për dore!”. Dhe më tej: „Hajmedet për votë t' Sovranit/ Po i bjen n'sofër tyli llamit/ Dhe bymehet prej dhjamit/ Se për shkam e për taborre/ Me gjysmë huni shpall fitore!”

Autori e ndjen fërshfëllimën e fjalës që dridhet e përdridhet në pellgun e nolstalgjisë. Poeti din ta dëbojë monotoninë, banalitetin dhe vetminë. Ai e ndjen veten si një mbret në atdheun e vet, dhe vjen para nesh me një lirizëm të qartë dhe me shprehje të transformuara në ide praktike dhe poetike: „N'kalërim rreth lugjeve e shpateve atje/ Atje ku u freskova pranë shelgut/ Aty ku edhe buka pa zjarrë dot s'piqet/ Atje ku ende gjymtyrët n'lajka/ E freskojnë dëshprimin nën hijen e bungut.” Kontrastet dhe ironia janë prezente edhe në korpusin e vargjeve respektive: “Sa çmenduri e çuditshme më dukesh/ Me zhurmshmëri, mallëngjim e djallëzi!” Metafora zotëron në krejt universin krijues të autorit. Pa metaforë poezia duket si burri pa grua, si gruaja pa burrë, si livadhi pa lule, apo si buka pa krypë. Lirikës së Lulzim Gashit nuk i mungojnë metaforat si: Gjymtyrët e dehura, Klithjet e shpresës, Streha e muzgut, Leckë e përgjumur, Prekja e ëndrrave, Kalorësi i dashurisë, Dallgë të dalldisura etj.

Tema tjera interesante dhe mbresëlënëse që ia shtojnë vlerën kësaj vepre janë: iluzionet, ëndërrimet, gjumi e zgjimi, jeta dhe vdekja, varka e dashurisë, lakmia, xhelozia dhe interesi, vatra amtare, mërgimi dhe Kosova: “Atje ku mërgimtarit veç ajo tokë/ Mallin e shpirtit mundet t'ia shuajë/ Atje ku rrënjët e fisit tim të uruar/ Emrin tim dikurë e kanë bekuar.” Poeti duket si një misionar i lindur për lumturimin e botës me sintagma të pashprehura nga kush tjetër më parë. Ai duket si  një pelerin që bredh nëpër botën e fjalëve: “Shkronjë për shkronjë e fjalë për fjalë/ N’tokë e n'qiell hedh dritë/ Shpirti lirshëm për t'frymuar/ Që fara e kombit të bekuar/ Dalngadalë për t’u rritë.” Fjala e poetit në disa raste duket polemizuese ndaj atyre që shërbesat fetare i bëjnë në gjuhë të huaj. Autori na sjell tekste origjinale dhe sugjestive, duke notuar ndërmjet klasicizmit dhe ekspresionizmit, duke i anashkaluar idetë abstrakte.

Kishte të drejtë poeti gjatë shekullit të shkuar kur thoshte: “Pas çdo gazi e hidhërimi/ mbetet pas vetëm kujtimi/ ah dhe i shkreti mallëngjimi.” Nostalgjia, mallëngjimi dhe magjia e fjalëve kushtuar dashurisë është një subjekt i veçantë në lirikën e Lulzim Gashit. Dashuria e vërtit botën. Bota pa dashuri është shkretëtirë e njerëzimit. Autori përulet para hijeshisë së femrës shqiptare: “Pikturë të kam në shpirt/ Sa herë kam mallë e t'kujtojë/ Një buzëqeshje t'a nxjerrë në dritë/ Ditën me ty ta kalojë.” Dhe më tej: “Je largë por të kam afër/ Të ndjejë e s'mund të t’prekë/ Përulem para bukurisë sate/ Përjetë n'zemër më ke mbetë!//E njomë mbetet dëshira/ Kur ëndrra m'soditë me besë/ Një ditë nga ditët më të mira/ Së bashku do të fitojmë çdo shpresë!”

Familja është ajo ku jeta fillon dhe dashuria nuk mbaron. Pason nëna shqiptare në thesarin e lirikës mërgimtare. Nëna është qiriu që djeg veten e saj për të ndriçuar jetën tonë. Një shtëpi pa nënën është si qielli pa yje. Engjëj janë nënat tona që vuajtën për të na rritur. Nuk ekziston njeri tjetër përveç nënës që të pyet çdo ditë: A ke ngrënë? Pas Zotit vjen nëna. As bota, as jeta nuk kanë kuptim, nëse nuk të kam në zemër o Zoti im! Po ia japim fjalën poetit: “Si matanë e si n'kët anë/ Në dy botrat e përjetësisë/ T’thërrasin zemrat me ngrohtësi/ Herë me lotët e dashurisë/ Herë me fjalë e herë me këngë/ Pas teje po ngjitem deri n’Hënë/ E mirëbekuar fjala Nënë.” Dhe më tej: “Që nga djepi kur u linda/ Dora jote më ushqente/ Dhe kur qeshja a kur qaja/ Ti më ishe pranë/ Si një Diell e si një Hanë.”

Përfundimisht mund të themi se Lulzim Gashi na jep një diskurs lirik subtil, me nyanca atdhetare dhe mërgimtare, historike dhe patriotike, të cilat i lapsëron në poezitë e tij. Një dëshmi konkrete se shqiptari i mërguar nuk ia kthen shpinën atdheut, familjes, vendlindjes, traditave kombëtare, dëshmorëve të kombit. Ai na bind se poezia lind nga dashuria, duke u shndërruar në një pasqyrë përmes së cilës e njohim vetëveten, universin dhe njerëzimin. (Bukuresht, 27 Prill 2018)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat