Shqiptarët e Amerikës festojnë Bajramin, mos humbisni mesazhet që na përcjellin

Diaspora

Shqiptarët e Amerikës festojnë Bajramin, mos humbisni mesazhet që na përcjellin

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 18:38
Pamje nga festa e Bajramit

Ramazani mbetet muaji i vëllazërisë, i ribashkimit të zemrave, i faljes së njëri-tjetrit, i lënies mënjanë të mërive.

Ramazani na mësoi të jemi njerëz më të mirë, prindër më të mirë, fëmijë më të mirë, bashkëshortë më të mirë, vëllezër e motra më të mirë, shokë më të mirë, fqinj më të mirë, qytetarë më të mirë.

Ushqeni shpresë dhe besim te mëshira e Zotit, sepse Ai vepron me ju ashtu sikurse ju e njihni Atë. Prandaj ta dini se Zoti është i Dashur, është Mbikëqyrës është përkrahës në çdo frymëmarrje në çdo lëvizje, në çdo moment.

U bëj thirrje fëmijëve dhe të rinjve që t’ua dinë vlerën prindërve, sepse Allahu e zbret mëshirën pikërisht për nevojën që kanë prindërit; nëse i braktisim prindërit Allahu e ndërpret mëshirën..

Familja nuk është fabrikë për prodhim fëmijësh, përsosmëria e një kombi nis nga foleja familjare, anëtarët e së cilës punojnë për ketë qëllim. Suksesi në folenë familjare është etapa e parë e suksesit në jetën e përgjithshme. Dhe kjo etapë është e varur nga një martesë e shëndoshë.

Nuk ka superioritet te burrit ndaj gruas … sepse ata janë dy individë që plotësojnë njëri-tjetrin, që sikurse kanë detyrime ndaj njëri-tjetrit, kane edhe të drejta të barabarta ndaj njëri-tjetrit. Prandaj femra duhet trajtuar me respekt e dashuri. Çdo gjë tjetër nuk është prej fesë por prej dogmave dhe zakoneve të këqija. Feja islame i ka dhënë prioritet të veçantë femrës për shkak të delikatesës dhe mungesës së dhënies të vendit që meriton përherë. Nuk mund të jetë besimtar i mirë ai që dhunon femrën, bashkëshorten dhe nënën e fëmijëve të tij.

U bëj thirrje myslimanëve t’i shkollojnë fëmijët dhe t’i edukojnë duke mos i lënë kurrë në mëshirë të fatit të fanatizmave, veseve dhe problemeve sociale.

“Kush dëshiron mirëqenie në këtë botë, le të mësojë; kush dëshiron paqe në botën tjetër, edhe ai le të mësojë; kush dëshiron të dy botat, le të merret me shkencë.”

Të jetojmë duke e ndarë lumturinë me njëri-tjetrin dhe do gëzojmë me shumë siguri dhe e shijojmë më shumë lumturinë.  U bëj thirrje të gjithë të pasurve ta ndajnë bukën me fqinjin dhe të varfërinë se do ta gëzojnë e s’do varfërohen kurrë.

Thote Muhamedi a.s. “Ai që nuk bëhet i mëshirshëm ndaj njerëzve, nuk do ta mëshirojë Allahu”.

Myslimani duhet të përpiqet në jete; të mos ketë zili të pasurit dhe të mos synojë pasurimin me rrugë të shkurtra që janë të paligjshme dhe s’kanë kënaqësinë e Zotit, por të punojnë me vendosmëri dhe përkushtim..

 Këto janë disa nga veprat që do na bënin të kuptonim Bajramin e vërtetë;

Bajrami i vërtetë për ne është të jetojmë sipas Kur’anit dhe Traditës Profetike, larg veseve dhe gjynaheve duke bërë çdo lloj përpjekje në këtë drejtim dhe Ramazani ishte mundësi e artë për ta frenuar veten ndaj të këqijave.

Profeti thotë se nuk mund të hyni ne xhenet pa besuar e nuk mund të besoni pa dashur njëri- tjetrin. Por kjo kërkon mund, vendosmëri, kërkon vazhdueshmëri me syrin e nijetit për të kontribuar.

Sot është dita e faljes, e paqes. Sot nuk është ditë dëfrimi e pushimi, por reflektimi, falenderimi dhe thirrje e fuqishme për të vazhduar relatat e mira me të afërmit dhe njerëzit në përgjithëësi. Nuk mund të flasim për bajram të vërtetë nëse i kthehemi të keqes me të keqe, idhnimit me idhnim, thashethemit me thashethem.

Thotë Zoti në Kur’an: “E kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet Ai nuk i do zullumqarët”. (Esh-Shura, 40).

 Gjithashtu Ai thotë: Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo, këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë”. (Fussilet, 34-35).

 Që Bajrami të ketë kuptim e të mund ta shijojmë atë, ne si besimtarë duhet të reflektojmë mbi përgjegjësitë tona, të trokasim në derën e pendesës, të flakim nga shpirti ynë urrejtjen, xhelozinë, smirën, armiqësinë, të triumfojmë mbi dëshirat e egos dhe me sjelljet dhe veprat tona të fitojmë mëshirën dhe faljen.

 O i Dashur, dhurues i dashurisë, furnizoji zemrat tona me dashuri e mëshirë! Pastroji zemrat tona nga urrejtja, smira, xhelozia, armiqësia dhe çdo e keqe! O Zot, dhuroi vendit tonë paqe, begati e mirësi dhe mbroje nga çdo rrezik e fatkeqësi!

O Zot, dhuroji botës paqe e qetësi!

Gëzuar Fitër Bajramin, Zoti e bekoftë dhe begatoftë vendin dhe kombin tonë!

Imam Gazmend Aga

Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat