Përmbyllet Shkolla e Diasporës në Kosovë

Diaspora

Përmbyllet Shkolla e Diasporës në Kosovë

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 16:09
Ceremonia përmbyllëse e Shkollës së Diasporës në Kosovë

Në Prizren është mbajtur ceremonia përmbyllëse e Shkollës së Diasporës në Kosovë, ku u tha se arsimi në Kosovë ka nevojë për ndryshim të kurrikulave pasi që shkollat profesionale duhet të jenë më afër tregut të punës.

Drejtoresha në "Germin", Liza Gashi u shpreh se qëllimi i kësaj shkolle ishte lidhja e diasporës me vendin amë.

 Gashi: Ideja ka qenë me lidh diasporën e me Kosovën

 "Ideja bazë e kësaj iniciative është thjesht ë me lidh diasporën me vendet amë dhe me gjet alternativa se si mundemi me i pa njerëzit tanë jashtë vendit si potencial në sensin akademik dhe profesional, përtej remitencave dhe pareve që i shohim gjatë vetës, por mbi të gjitha me lidh me alternativën e Kosovës, çka mundemi me ofrua për të rinjtë në Kosovë karshi krijimit të ideve inovative nëpër komuna", u shpreh ajo.

Përfaqësuesi nga GIZ, Beqir Lahu u shpreh se përmes kësaj shkolle nxënësit kanë mësuar shkathësi  të shumta ë  ndikojnë në ndërtimin e karrierës.

Lahu: Jemi duke trajnuar njerëz brenda kompanive

 "Tani GIZ për shembull është duke trajnuar ‘master traning’ të kompanive të ndryshme sepse edhe kur vjen praktikanti apo praktikantja në ndërmarrje duhet të jetë dikush që din  me u përkujdes për të dhe me e drejtua në stacionin tjetër, në mënyrë që shkathtësitë të formohen tek nxënësi", tha ai.

 Drejtori i Drejtoratit të Arsimit në Prizren, Skënder Susuri shprehu se sfidë për arsimin në Kosovë mbeten korrikulat e shkollave profesionale që po e pengojnë edhe lidhjen e të rinjve me tregun e punës.

Susuri: Sfidë mbetet arsimi profesional

 "Një nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet jo vetëm komuna e Prizrenit në sistemin e arsimit, por besoj edhe në Kosovë është pikërisht  arsimi profesional, përkatësisht në shkollat e mesme profesionale, korrikulat e tyre dhe lidhja me tregun e punës. Unë pa dashur të bëjë politik këtu mund të them se ministri Bytyqi e ka në nivel Kosove prioritet të parë arsimin profesional, kjo natyrshëm na ka kushtëzuar që edhe ne në drejtorin komunale në Prizren të fillojmë me marr veprime konkrete", u shpreh ai.

Sipas Susurit pajisja me kabinete dhe teknologji si dhe mjetet e duhura për shkollat profesionale në këtë qytet mbetet prioritet i arsimit në Prizren.

Kurse, përfaqësuesja nga komuna e Malishevës, Blerta Krasniqi u shpreh se kjo shkollë u ka dhënë mundësi të rinjve në diasporë që të njohin edhe pjesë tjera të Kosovës siç është qyteti i Malishevës.

Ajo tutje ka kërkuar që Shkolla e Diasporës në Kosovës t'i ketë në fokus më të madh bizneset.

Të pranishëm në ceremoninë përmbyllëse të shkollës së diasporës në Kosovë ishin edhe dy nxënës të kësaj shkolle, Shpat Myftari nga Luksuemburgu dhe Albana Hoti nga Malisheva të cilët u shprehën se përmes kësaj shkolle kanë përfituar shkathtësi të shumta që i ndihmojnë komunitetit.

Gjatë ceremonisë përmbyllëse të Shkollës së Diasporës në Kosovë  u shfaq edhe filmi dokumentar "Ndryshimtarët", ku përfshiheshin disa nga aktivitetet që i kanë zhvilluar pjesëmarrësit e kësaj shkolle, si dhe u prezantuan 6 iniciativat më të mira të kësaj shkolle siç ishin: ‘Autobusi’,’ Shihemi në Prizren’,’ E ardhmja’, ‘ Investo në Malishevë’, ‘Prizmi’, etj.

 Shkolla e Diasporës në Kosovë ka nisur punimet e saj në gusht të vitit 2017 implementuar në Malishevë dhe Prizren nga German Cooperation, GIZ dhe nga kompania "Germin", ndërsa gjithsej kanë ndodhur 26 aktivitete dhe kanë përfituar 730 persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat