Lleshi: Shkollat shqipe në mërgim, kyçe për fëmijët shqiptarë

Diaspora

Lleshi: Shkollat shqipe në mërgim, kyçe për fëmijët shqiptarë

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 30 korrik 2018 Në ora: 13:01
Nikollë Lleshi

Në Laç të Kurbinit, Shoqata Kombëtare e Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, organizoi një pritje të veçantë për anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementei XI Albani” (SHSHASHS) që veprojnë në Suedi, duke i nderuar me dhënien e titullit “Anëtar Nderi” të Shoqatës Kombëtare e Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali.

Prof. Fetah Bahtiri, nënkryetar, Rrahman Rrahmani, arkatar dhe Naim Latifi anëtar i kryesisë së SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, u shpallën “Anëtar Nderi”, për angazhimin dhe kontributin e tyre në zhvillimin e aktiviteve që kjo shoqatë ka zhvilluar në Suedi dhe në shtetet tjera në botë. “Përmes këtyre aktiviteve SHSHASH ‘Papa Klementi XI Albani’ ka mundësuar promovimin e vlerave historike e kulturore që kjo shoqatë ka në misionin e saj”, tha me këtë rast, Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, Nikollë Lleshi.

Në arsyetimin e vendimit, Lleshi veçoi rëndësinë e hapjes së shkollave shqipe në Suedi për fëmijët e familjeve shqiptare në mërgim, duke e cilësuar si çështje kyçe për të ruajtur gjuhën shqipe si dhe për të ruajtur dhe kultivuar vlerat e traditës dhe kulturës kombëtare tek familjet shqiptarë kudo që ndodhën. 

Prof. Fetah Bahtiri, Rrahman Rrahmani dhe Naim Latifi, falenderuan Shoqatën Kombëtare e Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, dhe në veçanti presidentin Nikollë Lleshi, për vlerësimin që iu është rezervuar, duke shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojnë edhe më shumë në fushën e kulturës me krijues edhe nga Shqipëria.

Me këtë rast, kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi, tha se gjithë anëtarësia e shoqatës që ai drejton, është nderuar me nderimin që iu është bërë tre anëtarëve të kryesisë, nga Shoqata Kombëtare e Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali. Paraprakisht nga kjo shoqatë ishte shpallur “Anëtar nderi” edhe vetë Hysen Ibrahimi. Z. Ibrahimi tha se bashkëpunimi mes dy shoqatave është në nivelin më të lartë dhe se ai do të vazhdojë të intensifikohet, në të mirë të kulturës kombëtare.

Dy shoqatat: Shoqata Kombëtare e Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali dhe SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi kanë një bashkëpunim intensiv që nga viti 2013. Anëtarët e tyre kanë zhvilluar vizita dhe kanë këmbyer materiale për kulturën, historinë dhe trashëgiminë e shqiptarëve. Libri Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare, që botohet nga SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi është dërguar në disa institucione dhe në shumë Biblioteka në Shqipëri. Tashmë disa numra të librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare”, janë promovuar në Shqipëri, e sidomos në Laç të Kurbinit, në vendlindjën e vetë Papa Klementit, emrin e të cilit e mbanë kjo shoqatë. Jo rastësisht SHSHASHS e mban emrin e Papa Klementit, sepse ajo ka në mision qëllimin e njëjtë që kishte Papa Klementi XI, për të mbledhur e përpunuar shkrime dhe fakte për ndriçimin gjithnjë e më shumë të historisë së kombit shqiptar.

Në ceremoninë në Laç të Kurbinit, “Anëtare nderi” u shpall edhe Marieta Karaj, drejtuese e Qendrës për Fëmijët Jetimë të Ushtarakëve”, në Shqipëri, për kontributin që jep për fëmijët jetim të ushtarakëve që bien në detyrë.

Aty ishte e pranishme edhe Dashurie Jeta , presidente e Misionit për Prosperitet dhe paqe në botë. Ky mision ka qëllim të lobojë sa më shumë në vendet e fuqishme në mbështeje të çështjeve shqiptare. Poashtu, i pranishëm ishte edhe Martin Gecaj nga Durrësi, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, i cili ka shprehur gatishmëri të veçantë për bashkëpunim me krijuesit mërgimtarë nga Kosova që jetojnë në Suedi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat