Po martohen në atdhe dhe po marrin bekimin e saj

Diaspora

Po martohen në atdhe dhe po marrin bekimin e saj

Nga: Maxhun Smajli Më: 22 gusht 2018 Në ora: 22:23
Po martohen në atdhe dhe po marrin bekimin e saj

Politikanët e këqinjë, drejtues shteti, kanë bërë që populli të shohë, të dëgjojë, të shkruaj dhe të lexojë vetëm të zezën. Sikur kemi harruar se e bardha, e mira dhe njerëzorja e kanë shndërruar emrin e shqiptarit në atë të hyjnorës. Andaj, kësaj here vendosa të shkruaj pak rreshta për njërën nga këto bardhësi – Dasmat. Martesa si burim gëzimi është e shenjtë dhe bazë e qendrueshme e kombit. Fakt ky që nuk e ka lënë kombin shqiptar të shuhet.

Armiqtë e popullit tonë; turku e serbi, kanë përdorur tri metoda për zhdukjen e kombit shqiptarë; duke i vrarë, shpërngulur dhe asimiluar. Para luftës së fundit të Kosovës me Serbinë, në kohën e regjimit Jugosllav, sistemi i atëhershëm shovenist, veçmas për shqiptarët pati nxjerrur ligjin që ndalonte lindjen e më shumë se dy fëmijëve.

Mergata shqiptare me fanatizëm po ruan vlerat kombëtare shqiptare. Pikërisht në kohën kur drejtuesit e shtetit të Kosovës po i thonë rinisë shqiptare “Ikni largë e kthehuni vonë”, të rejat dhe të rinjtë, edhe pse të lindur dhe të rritur  jashtë atdheut, por edhe shumë të tjerë të emigruar, po vendosin që fatet e tyre t'i lidhin me shqiptarë e shqiptare, ku edhe ceremonitë martesore po i bëjnë në Kosovë. Po martohen në atdhe dhe po marrin bekimin e saj.

Nga Gjermania në Kosovë

Nga shtrati i lëngimit drejt Kosovës. Motra ime, Sanija, marton djalin e vetëm, Besnikun. Pas 26-të orësh rrugëtimi, arrita në pikën kufitare të Malit të Zi, në Kullë. Pas formaliteteve të shkurtëra doganore, duke kujtuar se kalova në atdheun tim, më erdhën në mendje vargjet: “ Ja toka ime e ashpra e buta, një krismë pushke pastaj lahuta”. Vargje këto që ishin vrarë nga drejtuesit e shtetit të Kosovës.

Për nëntë kilometra, me duar të shtërnguara fort për timoni dhe me sytë e hapur, në çdo kthesë pritnja pikën doganore të Kosovës. Pasi shfryva me nanë ata që i dhanë tokën Malit të Zi, përpara m'u shfaq dogana e Kosovës. Punëtorët e sigurimit doganor, të merzitur nga bota dhe nga vetje e tyre, sikur na thonin: “Braktisni çdo shpresë o, ju që këtu hyni”. Megjithatë, kulti i vendlindjes ka mbetur i fuqishëm përjetësisht tek unë.

Me të arritur në Pejë, djali i axhës, Jakupi, më njoftoj se isha i ftuar nderi në dasmën e familjës Rrustemi. Manoli, martonte djalin e tij, Antonin, i cili punon e jeton në Pragë të Çekisë. Në hyrje të sallës që ishte e mbushur përplot me të ftuar; miq e të afërm, Manoli me familjen e tij të gjërë na dëshiruan mirëseardhje. Edhe pse i lodhur nga rruga e gjatë dhe jo mirë me shëndet, ngrohtësia e dashurisë dhe respektit të familjes Rrustemi më ndihmoi shumë. Kur shqiptari buzëqesh, shembëlltyra e Zotit bie në fytyrën e tij dhe, i jep jetë vendit. I tillë ishte edhe Manol Rrustemi. E, unë ndjeva një vullkan të zjarrtë brenda qenies sime, për çka edhe u jam mirënjohës e falinderues.

Nga Dukagjini në Fushë Kosovë

Nga Dukagjini në Fushë Kosovë, jo larg nga qyteti që pati guxim të jetë kryeqytet i Kosovës, në Kastriot, mbahej ceremonia martesore e nipit tim, Besnikut. Bedri Mangjolli, ish-komandant i Kompanisë së UÇK-s në Koshare, ushtarët e të cilit kanë vrarë rusin, martonte djalin e vetëm, Besnikun.

Një sallë e madhe ishte mbushur përplot me mysafir, në mesin e tyre edhe disa shokë lufte; Dan Llapi, Fetah Hasani, Zyhdi Spahiu, Alush Zejnullahu dhe Musa Smajli. Heroizmi i tyre, si një vepër arti më tretë në imagjinatat e mia. Disi më shfaqëshin përpara luftetarët sypatrembur që vraponin pas shkurreve për t'i zënë pritën armikut. Sa mirë u ndjeva në tavolinën nr.20, sepse aty ishte krenaria, aty ishin luftetarët e lirisë që kishin lënë familjet e tyre dhe kishin ardhur për ta luftuar armikun e popullit dhe tokës së tyre. Atë kohë, kur Bedriu ishte nisur për në luftë, djali i vetëm, që sot martohet, Besniku, kishte vetëm tetë vjet.

Salla u pushtua nga duartrokitjet e mysafirëve, kur si shtizë Flamuri hyri dhëndrri me nusën, Jehonën, si një mollë e kuqe që simbolizon bukurinë dhe shëndetin e saj. Këta dy të rinjë po lidhin jetën dhe fatin e tyre. Të lindur për njëri-tjetrin po blatojnë betimin se, në të mirë e në të keqe do t'i qëndrojnë besnik për jetë njëri-tjetrit.

Për mua ishte një natë pa halle, pa brenga. Ju dhashë jetë ndjenjave të mia. Përmes këtyre rreshtave, edhe atyre që më bënë të ndihem i lumtur. E, nipin tim, Besnikun, e urova: “ Ti që ma gëzove motrën, paq uratën e Zotit!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat