Në Rijekë të Kroacisë dhe Treviso të Italisë u ngritën shtatorët e Nënës Terezë

Diaspora

Në Rijekë të Kroacisë dhe Treviso të Italisë u ngritën shtatorët e Nënës Terezë

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 tetor 2018 Në ora: 07:25
Pamje nga Rijeka, shqiptaret gezojne para shtatores te Nenes Tereze sapo te vendosur me 22.09.2018

Në muajin shtator,  muajin e shenjtores shqiptare Nënës Terezë, me 22. 09. dhe me 29.09. 2018 u vendosen dy shtatore të Nënës tonë, njëra në Kroaci dhe tjetra në Itali nga mërgata shqiptare në Evropën Perëndimore, dhe në këto dy evenimente ishte i ftuar personalisht nga Don Lush Gjergji bashkëbiseduesi i ynë Magjistër Nikollë Shabani.

Ndaj ne shfrytëzuam rastin që me z. Nikollë Shabani ta zhvillojmë një bisedë më të për të na fol më gjerësisht për këto dy tubime të rëndësishme.

Image
Nikollë Shabani

Z. Shabani, Ju keni bërë një rrugë të gjatë nga Gjermania që të merrni pjesë në këto dy evenimente të mbajtura në Rijekë-Kroaci dhe në Treviso-Itali, çfarë mund të veçoni për bisedën tonë hyrëse?

Mag. Nikollë Shabani: Kur njeriu vjen për të marrë pjesë në raste të këtilla, siç është ngritja e shtatores së Nënës Terezë në vendet mike, siç janë Kroacia dhe Italia, sado që udhëtimi të jetë i gjatë ai të duket sikur dy hapa. Por gjatë rrugës seç m’u kujtuan kohërat e vështira të veprimtarisë tonë kombëtare në vitet e 90-të, kur bënim mijëra kilometra për të marrë pjesë në mbledhjet tona mobilizuese, me qëllim për ta avancuar kauzën e pavarësisë dhe çlirimit të Kosovës, si dhe ndarjen e shqiptarëve nga regjimi komunist jugosllav. Nuk i harroj dot udhëtimet e shumta që i bënim nga Stuttgarti në Bruksel, nga Mynichu në Bonn, nga Ludwigshafeni në Berlin, nga Hamburgu në Paris etj., për të marrë pjesë në demonstratat që i organizonim ne mërgimtarët në qendrat e mëdha të Evropës!

Image
Shtatorja e Nenes Tereze ne Treviso gjate aktit te bekimit nga Monsinjor Don Lush Gjergji dhe Don Roberto

Në Kroaci celebrimin në fjalë e filluam me 21 shtator në sallën e kuvendit të komunës së Rjekës me një simpozium kushtuar veprës dhe shenjtërimit të Nënës Terezë. Aty na priti deputetja shqiptare në Parlamentin kroat z. Ermina Lekaj-Perlaskaj bashkë me shumë aktivist dhe veprimtarë shqiptarë nga Kroacia. Në simpozium ligjëruan Monsinjor Don Lush Gjergji – Vikar gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Dominikani i provincës kroate të Lajmërimit të Zojes së Bekuar- Fra Ivan Dominik-Iliçiç dhe Moter Ollga Dulaj – Françeskane e Zojes së Papërlyer nga provinca e Malit të Zi. Pas simpoziumit në një darkë vëllazërore u takuam me shqiptarët që kishin ardhur nga Zvicra si Bajram Metaj, Esat Uskaj, nga Sllovenia bashkë me Heset Ahmetaj, Aleks Currin dhe shumë e shumë të tjerë. Të nesërmen të shoqëruar nga z. Pjeter Perlaskaj (bashkëshorti i deputetes shqiptare) duke ecur në rrugën buzë detit më dukej sikur të isha në Ulqin, ngase pronaret e lokaleve gati çdo i dyti ishte shqiptar nga mbarë trevat tona, veçanërisht kishte nga Kosova, Tetova dhe Gostivari. Vendi ku do zbulohej shtatorja e Nënës tonë ishte përzgjedhur në mënyrë të përkryer, pranë kështjellës së Rijekës në një oborr magjeps të qendrës katolike, ku ishte poashtu edhe shtatorja e Shën Palit të –II-të, që këshilli organizativ e kishte vendos të ngritet këtu, sepse këta dy shenjtorë jetuan dhe vepruan në të njëjtën kohë.  Këtë eveniment e nderuan me pjesëmarrjen e tyre personalitete nga qeveria e Kosovës si z. Anton Berisha, zv/ministër i Ministrisë për punë të jashtme, poashtu zyrtarë nga qeveria kroate, pastaj shumë shqiptarë vendor të cilët na njoftuan për punën dhe aktivitetin e tyre kombëtar në Kroaci, siç ishte z. Valentin Lleshi, etj. Pas Zbulimit të shtatores Don Lush Gjergji me meshtarët kroat bënë bekimin e shtatores Nënës Terezë, më pas mbajtën meshën, ku me një program përshëndetës u ndamë duke marrë më vete një bekim dhe çaste kujtimi të paharrueshme nga ky tubim i bukur për Nënën Terezë.

z. Shabani, sa ishte i organizuar komuniteti shqiptar në Quinto di Treviso – Itali për vendosjen e bustit të Nënës Terezë me 29 shtator?

Mag. Nikollë Shabani: Po, mbas aktit të celebrimit në Rijekë –Kroaci, mendova se edhe në Treviso të Italisë ceremonia do të  jetë e ngjajshme, por Aurora e Nënës Terezë më krijoj një surprizë të këndshme, ku se bashku me bashkeshorten time Lezen mberrijtem ne momentin sapo kishin filluar ta vendosin shtatoren, u ndegjuan zerat e shokeve ne krye me mikun tim Bajram Deskun “ Mberrijte ne momentin final te vendosjes se shtatores”. U përshendetem dhe vazhduam me punën dhe përforcimin e shtatores, bëmë disa fotografi me të pranishmit: Bajram Deskun, Hetem Zogajn, Vaid Bytyçin, Ramadan Rukollin, Bekim Spahiun, Nazim Morinën, Murat Bytyçin, Musa Ahmetajn, Dritan Gashin dhe  Armond Zogajn. Shtatoren e mbuluam me një pëlhurë të bardhë me vija të kaltërta, ashtu si vetë veshja e rregulltareve të shenjtores dhe gjithçka e bëmë gati për nisjen e celebrimit në ora 14:00h.

Image
Stemat e Familjeve Fisnike shqiptare ne Koprin Venedikas

Në ndërkohë mbërriti delegacioni nga Amerika në krye me veprimtarin e palodhur, z. Ekrem Bardha, më pas mbërriti gazetari nga Shqipëria, Ferdinand Samarxhiu, gazetarja shqiptare pranë CNN-it z. Anduena Llabani , grupi i shoqatës “Sali Çeku” nga Mynihu, me z. Naim Gashin, Maxhun Smajlin,  Krasniqi,  Ramadan Deskun dhe ashtu të shoqëruar nga kryesuesi i këtij celebrimi, u nisëm drejt vendit ku do te bëhej inaugurimi- bekimi. Me të mbërritur në shesh për ta zbuluar shtatoren e Nënës Terezë, aty gjithçka ishte zbukuruar me kostume shqiptare të vogëlushëve dhe të rinjve shqiptarë të organizuar nga shkolla e mësuesve shqiptarë në këtë qytet. Poashtu, burra dhe gra shqiptare të kësaj mërgate ishin veshur me kostume kombëtare nga mbarë trevat tona etnike, në mes kishim Don Lush Gjergjin dhe Don Roberton, të cilët bëhenin gati për ta bekuar shtatoren, pranë tij ishin Bajram Desku, personalitete italiane, kryetari i komunës z. Mauro dal Zilio, Presidenti i provincës së Trevisos, Fulvio Petena, Prof. Lucia Nadini, studiuese. Më pas filloi vallja dhe gëzimi ne mes te sheshit, poashtu mbërriti delegacioni i Qeverisë së Kosovës i kryesuar nga z. Fatmir Limaj, Gjergj Dedaj, Anton Berisha, arriti deputetja shqiptare në Kroaci, z. Emira Perlaskaj, studiuesi nga Sllovenia me prejardhje arbërore, magjistër Peter Shtoka, kryetari i shoqatës “Iliria” në Koper, z Heset Ahmetaj, ambasadorja e Kosovës në Romë, znj. Alma Lama, konsulli i Kosovës në Milano Adrian Andrea, delegacioni i shqiptareve nga Triesta në krye me Nanë Loken-  Vitore Stefa,  fondacioni “Dukagjini” nga Austria – Shpresa Kamaraj si dhe shoqërues tjerë. Monsinjor Don Lush Gjergji bashkë me Priftin Italian Don Roberton, e filluan bekimin e shtatores dhe pas lutjes iu drejtuan Zotit më fjalët: „Ati i Ynë që je në qiell, shejtnue kjoftë emni  Yt. Ardhtë mbretnija  Jote. U bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në dhe …“ ! U bë zbulimi i bustit të Shenjtores Nënës Terezë në Quinto di Treviso dhe nga ajo ditë shqiptarët në këtë qytet dhe ata që kalojnë atypari, do e kenë nënën e tyre ku do t’i luten sa herë që ua kërkon zemra dhe shpirti. E tërë kjo ceremoni ishte tejet prekëse. Nën udhëheqjen e moderatorëve Refki Tafaj dhe Gëzim Muçolli në oborrin e shkollës u mbajt një program i pasur kulturor-artistik, u ndanë shumë mirënjohje për nxënësit e dalluar në mësime, mbase të gjithë u befasuan këndshëm me këngët dhe vallet folklorike të nxënësve të veshur në tesha kombëtare. Por, e veçanta e kësaj ishte pjesëmarrja e madhe e popullatës italiane, të cilët na thanë se prej miqve të huaj më së shumti i duan shqiptarët me të cilët historikisht janë më të afërt, duke na thënë, sic vecoi z.Manzato Guglielmo,  se nga sot do i lutemi bashkarisht Nënës Terezë!

z.Shabani, Ju si veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, që nga koha kur jemi njohur në Gjermani, çka sipas jush e dallon mërgatën shqiptare në Itali dhe Istër nga mërgatat shqiptare në vendet tjera të botës?

Mag. Nikollë Shabani: E para, ne si mërgatë e viteve të 90-ta patëm fatin e hidhur të emigrojmë në vendet perëndimore për shkaqe politike dhe t’i lëshojmë vendlindjet tona. Në mënyrë aktive i kemi njoftuar zyrat e diplomacive botërore për hallet e shqiptarëve në ish Jugosllavi, sidomos për gjenocidin serb në Kosovë të bërë nga regjimi kriminal i Millosheviçit. Ne veprimtarët e mërgatës tonë patriotike edhe sot pranë dy qeverive shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, veprimtarinë tonë e financojmë me djersen dhe të hollat nga buxheti ynë familjar. Ne e duam njëri tjetrin, motoja jonë është humanizmi i Nënës Terezë, i ndihmojmë bashkëkombësit tonë në nevojë, kemi vepruar pa u ndalur për t’i ndihmuar, sidomos çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, por na brengos shumë fakti kur në krye të institucioneve në atdhe emërohen persona të pakualifikuar dhe të paaftë, gjë që kjo e pengon shumë përparimin e popullit dhe kombit tonë.

Sa i përket specifikës së mërgatës shqiptare në Itali dhe Ister, dua të veçoj edhe vizitën time që ua bëra shqiptareve në Koper- Ister të Sllovenisë, aty ku në muajt  e fundit po punohet mjaft për zbardhjen e historisë së hershme shqiptare këtu, e cila daton që nga shekulli XV – XVI-të, ku me këtë rast u njoftuam më afër rreth studimeve që po bëjnë veprimtaret e shoqërisë “Iliria” e kryesuar nga Heset Ahmetaj si dhe studiuesi slloven me prejardhje arbërore Magjistër Peter Stoka. Vizitova Kështjellën e Dugagjinëve në Koper si dhe pallatin e familjes Bruti që gjendej mu në shesh të këtij qytetit. Bëhet fjalë për familjet fisnike shqiptare të vendosura në Koper, pas ramjes së tokave shqiptare nën perandorinë otomane. Mërgata shqiptare në Ister dhe deri në Zarë ka një lashtësi më të madhe se mërgatat shqiptare në vendet tjera të Evropës dhe botës!

z.Shabani, duke u nisur se këto janë fakte të historisë shqiptare ende të pastudiuara mirë, Ju lutem na sqaroni më afër, kur mbërritën këto familje shqiptare në Istër dhe nga cilat treva u larguan?

Mag. Nikollë Shabani: Shqiptarët emigruan në Istër kryesisht nga trevat e Ulqinit, Tivarit dhe Boka e Kotorrit, territor i njohur në historinë shqiptare me emrin Albania-Veneta ose Shqipëria venedikase, por edhe nga Durrësi, Dukagjini etj. Shqiptarët e Shqipërisë-Venedikase qëndruan në trojet e tyre edhe 94 vite pas pushtimit të perandorisë osmane dhe Shqipëria Venedikase fillonte nga bregu i Bunës dhe kufizohej me Dalmacinë, me të cilën kishte një monedhë të përbashkët arbërore-dalmate-venedikase. Me rënien e Ulqinit, Tivarit dhe Ratacit nën pushtimin osman me 1571, familjet arbërore që jetonin  në këto treva shqiptare u shpërngulen, një pjesë u vendosën në malësitë e thella të Shestanit-Krajës, Malësisë së Madhe, Kelmendit dhe Mirditës, derisa fisniket e pasur së bashku përzgjodhën Istrën dhe Venedikun, por si kryeqendër zgjodhën për banim Koperin, i cilit sot gjendet në Slloveni. Aty edhe sot hasim gjurmët e kohës nga jeta e fisnikëve arbëror në këto vendbanime. Fisniket shqiptar nga Albania-Veneta-Ulqini dhe Tivari të vendosura në Istër janë familjet Bruni, Bruti, Brati, Borisi, Albanese, Albani dhe ende sot ka prona të këtyre familjeve arbërore, siç janë pallatet, vilat e bukura, kështjellat të cilat dokumentohen se ishin pronë e familjes Dukagjini, Biskup dhe eminencë, Kont fisnor arbëror të varrosur brenda kishave në Koper. Ka qendra spitalore të themeluara në Koper nga familjet e fisnikeve shqiptare, aty gjendet kisha e Marinarëve, sikur ajo që ishte në Ulqin me të njëjtin emër, kisha e Marinarëve-me padron Shën Kollin. Të gjitha këto janë objekte të prekshme për kohën dhe pa asnjë dyshim historik. Sikur të më pyesnit se çfarë u bë me këta Arbëror, ku janë ata sot?, ne do përgjigjemi njësojë sikur të pyesim, se çfarë u bë me shqiptarët në Tivar nga vjen familja Borisi, e cila ishte në Koper ndër familjet më të pasura e cila merrej me prodhim dhe tregti të krypës..!?

Nuk është koincidencë as shpërngulja e shqiptarëve nga Ulqini dhe Tivari pas luftës së Dyte Botërore me ardhjen e komunistëve jugosllav në pushtet, kur në Kopër u shpërngulen shumë familje shqiptare, duke ua marrë pronat dhe duke i dëbuar në Itali dhe kudo tjetër në botë. Politika serbo-sllave do t’i popullojë me serbo-malazez këto dy treva tona, do ndërton dy projekte infrastrukturore, siç bëri në Tivar me ndërtimin e hekurudhës Beograd- Tivar, e shkatërron portin detar të Ulqinit, duke ndërtuar atë të Tivarit i cili kurrë nuk ishte port më parë. Të njëjtën gjë regjimi jugosllav e bëri edhe në Koper, duke ndërtuar portin dhe zonën industriale me strategji për tërë gjirin e detit Adriatik. Kolonistët e sjellur në Koper dhe Tivar ishin kryesisht nga Serbia, por kishte edhe nga e tërë ish Jugosllavia.

z.Shabani, këto informacione janë tejet me peshë për historinë dhe lexuesin shqiptar sot, për fund na thoni përshtypjet tuaja personale nga e gjithë kjo që bashkëbiseduam deri këtu?

Mag. N. Shabani: Po, me të përfunduar programi kulturor dhe ceremonial pas zbulimit të Shtatores në Treviso të Italisë, u mbajt mesha për nderë të Shenjtores Nëna Terezë, u shtrua një darkë solemne në hotelin e Trevisos, u ndiem sikur në dasmat e kohës së Gjergj Kastriotit, sepse në ballë të tryezës ishte Monsinjor Don Lush Gjergji. Dollitë ishin të përmbushura nga te pranishmit me shumë urtësi dhe fisnikëri, nder te tjerat  z. Desku shpalosi sekretin tonë të përbashkët, se nga kjo ditë do te fillojë nisma për vendosjen e Përmendores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Venedik dhe kjo ishte kulmi i gëzimit tonë.

Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo që janë nëpër botë, si dhe trevat tona mbarë Arbërore-shqiptare!   

z. Shabani, ju falënderoj për kohën dhe bashkëbisedimin për gazetën tonë, për të na rrëfyer dhe përshkruar kaq bukur atmosferën nga këto dy tubime të rëndësishme, duke e kombinuar të lashtën me të tashmen dhe të ardhmen, që për lexuesin tonë shpresojmë të jetë një çlodhje nga lajmet e përditshme politike, të cilat kohëve të fundit janë bërë mjaft brengosëse në gjithë hapësirat shqiptare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat