Sekuestrohet heroinë me vlerë 6.5 mln euro, pesë shqiptarë të arrestuar në Francë

Diaspora

Sekuestrohet heroinë me vlerë 6.5 mln euro, pesë shqiptarë të arrestuar në Francë

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 21:09
Pamje nga sekuestrimi

Një grup që merrej me furnizimin me drogë është çmontuar nga brigadat kundër narkotikëve në qytetin francez të Annecy.

Pas disa muajsh hetime dhe përgjime, policia arrestoi pesë burra me origjinë shqiptare midis 30 dhe 40 vjeç, në Annemasse dhe Gaillard në Haute-Savoie.

Kërkimet bënë të mundur kapjen e 230 kg të produkteve prerëse (produkte të cilat përdoren për të “prerë” heroinën para se të rishpërndahet në tregun me pakicë).

Nëse droga do ishte përzier, 320 kg heroinë do të ishin rishitur në treg, me një vlerë prej 6.5 milion euro.

Gjithashtu, policia sekuestroi edhe 3 automjete dhe 4 mijë euro cash.

Për komandantin e policisë, Jean-Philippe Charvet, përgjegjës për njësinë e narkotikëve, goditja ka çuar në pranga edhe kreun e një rrjeti të madh furnizues “që përmbyt tregun me drogë në Francë dhe në Zvicër. Është një lidhje që shkëputet”.

“Laborator” në garazh

Ekipi i trafikantëve ishte i përbërë nga tre anëtarë, një i katërt bënte përgatitjen dhe dorëzimin, dhe i pesti ishte pronari i një ndërtese që ndodhej pranë Annemasse. Garazhi i kësaj vile shërbente si laborator për këtë “rrjet të rëndësishëm”.

Burimi i kësaj lënde ishte kryesisht Kina dhe Belgjika. Produktet që përziheshin me heroinë ishin paracetomol dhe kafeinë.

Katër të arrestuar janë vendosur në paraburgim, ndërsa i pesti është përkohësisht i lirë nën kontrollin e policisë.

Annecy, pika fillestare e hetimit

Hetimi i stacionit të policisë Annecy filloi pas çmontimit të dy rrjeteve të shitjes së drogës në fillim të vitit në qytetin Lacustrine.

Agjentët më pas ndoqën “fijet” e lidhjes me furnizuesit e materialeve prerëse.

Një sekuestrim i kësaj madhësie është “i pari” për policinë e Annecy.

Gjatë muajit mars, një tjetër grup shqiptar i tregtisë së drogës u godit po në këtë zonë, duke sekuestruar 20 kg drogë, heroinë, kokainë dhe kanabis.

Deri në fund të vitit 2017, një grup prej 17 trafikantësh u arrestuan në zonën e Annecy.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat