25 vjet burg për shqiptarin, kryesorin e grupit kriminal në Britani - Bota Sot
25 vjet burg për shqiptarin, kryesorin e grupit kriminal në Britani

Diaspora

25 vjet burg për shqiptarin, kryesorin e grupit kriminal në Britani

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 20:39
Mema u shpall fajtor nga një juri të enjten, pas gjyqit që u zhvillua në gjykatën e Oxford

25 vjet burg ia dha gjykata një shqiptari, të konsideruar si një prej kokave të një grupi të organizuar kriminal që shpërndante kokainë nëpër Britaninë e Madhe.

33-vjeçari Erald Mema, i cili jetonte në Britani që prej vitit 2003, banonte në Beaconsfield dhe Oxford dhe u arrestua më 23 Nëntor të vitit të shkuar.

Arrestimi dhe dënimi i tij erdhi pas një hetimi dhe operacioni nga njësia e krimeve serioze dhe të organizuara në policinë e Thames Valley.

Operacioni i quajtur “stingray” ishte një hetim i shtrirë në kohë mbi një rrjet që merrej me tregti të kokainës së cilësisë së lartë nëpër Mbretërinë e Bashkuar.

Mema u shpall fajtor nga një juri të enjten, pas gjyqit që u zhvillua në gjykatën e Oxford. Dënimi me 25 vjet burg u dha të premten.

Përpara arrestimit të Memës, autoritetet kishin dënuar 19 persona të tjerë, si pjesë e kësaj bande, që merrej me përgatitjen, magazinimin e shpërndarjen e kokainës.

Në gjykatë u zbulua se Mema ishte në gjendje të kontrollonte dhe drejtonte sipërmarrjen e tij kriminale nga Britania, por me raste edhe nga Shqipëria.

Kjo organizatë ishte në gjendje që të gjente dhe të shpërndante kilogramë të tëra kokaine nëpërmjet disa korrierëve nëpër Midlands, Oxford e Bracknell.

Operacioni i autoriteteve britanike çoi në dënimin e disa personave, përfshirë Memën, me plot 165 vjet burg në total.

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...