Xhaferi: Shoqata “Papa Klementi XI Albani”, po bën punë të shkëlqyer

Diaspora

Xhaferi: Shoqata “Papa Klementi XI Albani”, po bën punë të shkëlqyer

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 17:09
Talat Xhaferi dhe Hysen Ibrahimi

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë z. Talat Xhaferi ftoi mërgimtarët kudo që janë të bëhen bashkë dhe të mos ndahen politikisht. Në një pritje që i bëri sot në Shkup një delegacioni të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë  “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, të kryesuar nga kryetari Hysen Ibrahimi, Xhaferi, ndër të tjera, tha se nuk i duhet mërgatës asnjë përçarje politike.

“Mërgata të jetë sa më e bashkuar, sa më pak e politizuar. Nuk besoj që i duhet mërgatës ndasi politike që e kemi ne këtu, sepse nuk kanë çfarë bëjnë politikë në vendet ku jetojnë. Në shumicë mërgata është gjeneratë e tretë e katërt, kështu që ka edhe të drejtën civile qytetare të zgjedhen edhe në vendet ku jetojnë. Është inkurajuese se numri i mërgimtarëve në të gjitha vendet ku jetojnë, në mënyrë të denjë edhe politikisht na përfaqësojnë, atje ku janë”, tha Xhaferi.

Ai tha se është i nevojshëm një bashkëpunim më i ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe mërgatës kudo që është.

“Mendoj që ka nevojë për një vënie të një bashkëpunimi institucional politik mes përfaqësuesve të mërgatës dhe ne këtu që jemi, për të mundur drejtpërdrejt të marrim përvojat demokratike, në atë që nënkuptohet demokraci në politikbërje dhe me atë çka nënkuptohet politikbërje këtu me obligimin që kemi ndaj qytetarëve tanë kudo që janë. Mendoj që do të jetë mënyra më e mirë për një bashkëpunim të tillë”, tha Xhaferi.

Ndërkaq, kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, z. Hysen Ibrahimi, çmoi rolin dhe kontributin e z. Talat Xhaferi, prej kur ka marrë detyrën e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë.

“Jemi krenarë të gjithë shqiptarët me zgjedhjen tuaj në krye të Kuvendit, për mençurinë, maturinë, durimin dhe vizionin që keni treguar në shërbim të çështjës kombëtare. Për të qenë në shërbim të çështjës kombëtare duhet durim i madh. Gjithë ajo sakrificë është bërë në interes të shqiptarëve, por edhe të komuniteteve tjera që jetojnë në Maqedoni. Ne kemi përcjellë edhe të arritura të tjera në këtë periudhë, siç është ligji për gjuhët për shembull”, tha Hysen Ibrahimi.

Image
Nga e djathta: Hyrë Tejeci Murati, Vjollca Bajrami (staf i kabinetit të z. Xhaferi), z. Hysen Ibrahimi, z. Talat Xhaferi, Albert Jashari dhe Naim Latifi

Me këtë rast, z. Hysen Ibrahimi shprehu interesimin që numri i 10-të i Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, që botohet nga kjo shoqatë dhe do të dalë vitin e ardhshëm, të promovohet edhe në Shkup. Ndërsa, z. Talat Xhaferi e priti me shumë kënaqësi këtë intresim dhe u zotua se do të bashkërendojnë angazhimet për një organizim të tillë. Pra, promovimi i numrit 10-të të Thesarit Kombëtar në Shkup do të bëhet në patronazhin e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë z. Talat Xhaferi.

 “Unë nuk kam mundur të përcjell aq sa duhet, por kjo shoqatë bën punë të vyer e të shkëlqyeshme. Për faktin se përmes punës së vet ajo mban komunikimin brenda komunitetit shqiptar që është në mërgatë, duke e frymëzuar atë për trashëgiminë, për mbajtjen e lidhjeve me vendin dhe në aspektin e informimit bëni punën edhe informative për mërgimtarët dhe shqiptarët kudo që janë. Por edhe në aspekt historik ju bëni historinë, shënimin e të gjitha zhvillimeve për periudhën për të cilën punoni dhe unë ju përgëzoj”, tha Xhaferi.

Me këtë rast, z. Hysen Ibrahimi ia dorëzoi Xhaferit tre numrat e fundit të librit “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare”, që i boton SHSHASHS “Papa Klementi XI Albani”, dy vepra të tij “Vepra I” dhe “Vepra II”, që kanë të bëjnë me arsimin shqip dhe jetën e mërgatës në Suedi, librin “Dhoma 334”, të autorëve Saranda Iseni dhe Hysen Ibrahimi, libër ky që përshkruan ngjarjet e 27 prillit të 2017 në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe librin “Monument dashurisë së përflakur për atdhe”, i autorës Hyrë Tejeci Murati, që përmbledhë aktivitetet kryesore të 9 numrave të librit Thesar Kombëtar...

Z. Xhaferi i pranoi librat me shumë kënaqësi, duke ndarë një përvojë personale të tij: “Dua të theksoj edhe një gjë, gjatë shkollimi tim nuk kam pasur shumë kushte dhe ëndërr e kam pasur që në shtëpinë time të kem Bibliotekën, këndin e veçantë ku do të mësohet, ku do të krijohet ambienti i punës. Kam arritur ta bëj atë kënd dhe këto libra do të kenë vendin e veçantë aty”, tha kryetari Talat Xhaferi.

Në një bashkëbisedim të gjatë në këtë takim, z. Talat Xhaferi foli për zhvillimet e fundit në Maqedoni, për ndryshimet kushtetuese me theks të veçantë për ndikimet e tyre tek shqiptarët, për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, për ligjin e gjuhëve, për bashkëpunimet rajonale, edhe për lëvizjen eventuale të kufijve në rajon, për jetën e tij si fëmijë dhe në karrierë, etj.

Përmbajtja e plotë e këtij takimi do të pasqyrohet në numrin e 10-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, që do të botohet vitin e ardhshëm.

Në këtë vizitë, bashkë me Hysen Ibrahimin, ishin edhe Naim Latifi dhe Albert Jashari anëtarë të Kryesisë të Shoqatës dhe ndër sponzorët kryesorë të librit Thesar Kombëtar, dhe Hyrë Tejeci Murati, anëtare nderi e shoqatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat