Aurora Pirraku Eriksson njëra prej shqiptareve më të suksesshme në Botë

Diaspora

Aurora Pirraku Eriksson njëra prej shqiptareve më të suksesshme në Botë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 10 nëntor 2018 Në ora: 10:31
Aurora Pirraku Eriksson

Aurora Pirraku Eriksson është një zonjë mjaft popullore në qytetin Västerås të Qarkut Västmanland në Suedi.

Shqiptarja nga Drenica është një nga gratë më të njohura dhe të suksesshme në këtë regjion.

Jo vetëm për shkak të angazhimit të saj të hershëm në politikë në radhët e Partisë Socialdemokrate për Besim dhe Solidaritet (Soialdemokrater för tro oh solidaritet), si dhe organizatën e Gruas së kësaj partie, (S-Kvinna), por edhe për shkak të një karriere të shkëlqyer akademike dhe profesionale, ajo është propozuar përsëri për të qenë kandidate e këtij grupimi politik për zgjedhjet e ardhshme politike si dhe ato për pushtetin lokal për qarkun Västmanland.

Shqiptarja nga Kosova, e migruar në vitet e 90-ta në Suedi, sot është njëra ndër shqiptarët më të suksesshme në Botë.

Image

Aurora ishe kandidate për një pozitë të tillë të lartë politike, ndërkohë që ajo përfaqëson femrën e parë shqiptare në historinë politike të Suedisë që angazhohet në një garë të tillë.

Aurora për gazetën “Bota sot”, tregon ekskluzivisht shumë gjëra nga jeta e saj.

Ajo thotë se, në Suedi ka shkuar në vitin 1992, në kohën kur edhe shumë shqiptarë kanë emigruar në shtete të ndryshme të Evropës për shkak të situatës politike në shtetin tonë.

“Kam vendosur të vijmë në Suedi pasi që atëherë ka qenë mundësia e vetme që na është ofruar. Kur kam ardhur në Suedi në isha vetëm 19 vjeçe. Djali im Albani ishte 1 vjeç e gjysmë kur ne emigruam, dhe isha në pritje të fëmijës të dytë dhe pas dy ditëve që kam ardhur në Suedi, kam sjellë në jetë fëmijën tim të dytë Yllin”, rrëfehet Aurora.

Sikur emigrantët tjerë, edhe ajo kishte vështirësi në fillim.

Image

“Jemi vendosur në tendë, ku kishte edhe shumë emigrantë të tjerë nga vende të ndryshme të botës. Kushtet kanë qenë shumë të vështira, sidomos pasi isha në ditët e fundit para lindjes. Kam qëndruar në kampe për 3-4 muaj dhe më pas jam dërguar në kampin Hallstahammar, afër qytetit Vasteras, ku jetoj edhe tani që 25 vite”, ka shtuar Aurora.

Ajo tregon se, pas 3 viteve qëndrim në Suedi, fituan të drejtën e qëndrimit dhe mundësitë për integrim ishin shumë më të lehta.

“Unë menjëherë fillova kursin e gjuhës suedeze dhe gjatë kohës sa isha në kurs, mësuesja më tregoi se më ka rekomanduar në një firmë të përkthimeve që të punoja si përkthyese e gjuhës shqip-suedisht pasi që kishte shumë nevojë në atë kohë. Ky ishte hapi im i parë kur unë fillova zhvillimin e karrierës time. Janë dy gjera të rëndësishme për mundësinë e integrimit në Suedi: shkollimi dhe punësimi të cilat t’i ofron shumë lehtë shteti suedez. Unë edhe isha shumë me fat që qysh në fillim mu ofruan mua, dhe rrugëtimi im drejt integrimit ishte shumë i lehtë. Unë mendoj që kur njeriu është i gatshëm të integrohet në një shoqëri të re, më pak mund të arrijë në çdo shtet ku ai/ajo vepron dhe jeton, por asnjëherë duke mos e harruar prejardhjen time. Si në vendin tënd, ashtu edhe në çdo vend të botës, mendoj se njeriu duhet të punojë shumë për të arritur atë që dëshiron. Është me rëndësi që kudo që shkon të len gjurmë të mira nga prejardhja që vjen”, thotë ajo.

Me kontributin dhe angazhimin e saj në vite Aurora ka arritur tashmë majat e përfaqësimit politik.

Prej disa vitesh ajo është nënkryetare për Organizatën e gruas socialdemokrate (S-Kvinna) në Västmanland; është Kryetare e Partisë Socialdemokrate (parti që udhëheq qeverinë në Suedi), për Västeras si dhe anëtare e bordit të STS (Soialdemokrater för tro oh solidaritet) për gjithë Suedinë.

Ajo është gjithashtu femra e parë shqiptare në kryesinë në departamentin e Mjekësisë në regjionin e Västmanlandin kurse femra e parë shqiptare në bordin e partisë për Suedi në partinë Socialdemokrate STS, ku prej disa vitesh jep një kontribut me vlerë si specialiste e fushës në krime ekonomike dhe krime të organizuara.

Image

Karriera politike është vetëm një nga fokusimet e Aurorës. Nëna e 4 fëmijëve, është shembull për shqiptarët në Suedi edhe sa i takon ecurisë brilante në edukimin akademik dhe atë profesional.

Krahas punës aktive në disa institucione dhe agjenci të rëndësishme shtetërore si  Zyra për Punësim dhe Integrim, Polici, etj, Aurora nuk e ka ndërprerë për asnjë moment punën për ngritjen e saj akademike dhe profesionale.

Në fillim ka studiuar për Psikologji në Universitetin e Mälardalens, ku më pas ka përfunduar magjistraturën.

Më pas në këtë universitet ka studiuar  në fakultetin për Udhëheqje, ku gjithashtu ka marrë titullin Magjistër i Lidershipit. Më pas, Aurora ka përfunduar edhe Fakultetin e Kriminologjisë në titull Master të Universitetit të Stockolm-it, si dhe është certifikuar në degën e Psikoterapisë, shkalla e parë.

Prej nëntorit 2016, ajo ka punuar analiste e kualifikuar për regjionin Mitt të 46 komunave në Suedi. Tre vjet më parë, ajo mori çmimin si këshilluesja më e mirë për punë në të gjithë Suedinë, ndërsa së fundmi ajo është angazhuar sërish në një sektor të veçantë në Zyrën për Punësim në Västerås.

Västerås është tashmë një qytet i dashur për Aurorën, ku ajo ka kaluar më shumë se gjysmën e viteve të jetës së saj. Ky qytet i bukur e lidh atë me shumë kujtime të kohës së ardhjes së emigrantëve të parë shqiptarë në Suedi. Shumë prej shqiptarëve të Kosovës që erdhën këtu nuk arritën të merrnin dot lejen e qëndrimit dhe u kthyen në vendlindje, të frikësuar për jetën në kushtet e terrorit politik dhe atij policor të regjimit të Millosheviçit.

Në kujtim të atyre që u kthyen, Aurora ka mundësuar që në Västerås të vendoset skulptura që mban titullin “Gëzimi dhe Liqeni i ngrirë”, një monument simbol për të gjithë vuajtjet e asaj kohe. Në retrospektivë të asaj kohe, Aurora kujton momentet e vështira që ajo dhe shumë shqiptarë të tjerë kanë kaluar derisa kanë mundur të integrohen plotësisht në jetën dhe shoqërinë suedeze.

Aurora flet edhe për shqiptarët të cilët gjatë luftës kanë migruar në Suedi dhe mikpritjen e këtij shteti.

“Kjo sa është pyetje e mirë është edhe shumë e dhimbshme për arsye se kur kanë ardhur nga lufta, kanë ardhur me dëmtime të mëdha ekonomike psikike dhe fizike. Prindërit kanë qenë shumë të lënduar shpirtërisht për fëmijët e tyre. Këto trauma shumë të thella ndoshta do të kalojnë edhe 20 vjet deri sa kjo të hiqet dhe të bëhet gjithçka në rregull. Shteti suedez si kanë ardhur shqiptarët i ka përkrahur shumë dhe ju ka ndihmuar në çdo mënyrë me çfarëdo që ju është nevojitur në mjekësi, psikoterapi, ekonomi, por ndihma morale ka qenë ajo më e madhja. Populli shqiptar është mirëpritur në mënyrë shumë të mirë në Suedi, pasi që shume prej tyre janë të shkolluar dhe udhëheqin pozita mjaft të mira të punës. Shteti suedez është një ndër shtetet e para që ka pranuar Republikën e Kosovës. Të rinjtë po tregojnë një sukses shumë të madh në të gjitha fushat e shkollimit. Shteti suedez, jo vetëm për shqiptarët, por të gjithë popujve ju ofron mundësi shumë të mira për shkollim dhe punësim. Me aq sa kam pasur mundësi , mendoj se kam arritur shumë, varësisht se çfarë ndihme ju kam ofruar. Mund të përmendi të ashtuquajturën skulptura “Gëzimi dhe Liqeni i ngrirë”, në qytetin e Västeråsit. Gëzimi simbolizon emigrimin e shqiptarëve në Suedi, të cilët pas emigrimit të tyre janë dëbuar në shtetin e Kosovës. Kjo ishte nisma ime të ndërtohet skulptura në qendrën e qytetit të Västeråsit”, tregon ajo për gazetën “Bota sot”.

Ajo është shumë e lumtur dhe krenare sa herë që dëgjon për sukseset e të rinjve shqiptarë si dhe bashkëmoshatarëve të saj në fusha të ndryshme si në politikë, sektorin publik, mjekësi, shkencë, media, biznes, art, sport, etj.

Edhe pse angazhimi i saj është i plotë në Suedi, Aurora nuk shkëput asnjë moment vëmendjen dhe interesin për Kosovën dhe zhvillimet mbarëshqiptare.

“Kosova është e jona dhe ne jemi Kosova andaj kemi përgjegjësi që të investojmë edhe në ekonomi edhe me njohuri por edhe me kohën tonë. Siç edhe Kryetari i LDK-së në Drenas tha në një takim kur ishim me Suedezet në Kosovë. ‘Kudo që shqiptarët të jenë do të kenë Kosovën ne vete, kush nuk e bën këtë do të ec i vetëm pa kuptim të jetës, sepse Kosova është jeta jonë’”, shprehet ajo.

Image

Aurora tregon se, suedezët kanë thënë se, kryetari i LDK-së në Drenas, Bedri Nika është një njeri që din të bën të tjerët më të zotë se veten, njerëzit që kishte pranë, sepse e kishin vërejtur pas shumë takimeve politike mirësjelljen e dijeninë e këtij kryetari politikan por njeri i tokës.

“Pra ishte kënaqësi që unë të shohë këtë edhe ta dëgjoj, sepse unë jetojë në Suedi që gati 30 vite”, shprehet tutje ajo.

Sipas saj, shqiptarët duhet të investojnë në vendlindjen e tyre, të mendojnë dhe kontribuojnë për përparimin e vendit të tyre, pavarësisht asaj çfarë thuhet nga qarqe të caktuara brenda dhe jashtë Kosovës.

“Fjala e ka fuqinë e fortë, fjala pengon- fjala ndihmon! Shqiptarët në diasporë po i pengojnë fjalët që po ju transmetohen atyre që të investojnë në Kosovë. Unë personalisht kam pasur shumë frikë që të investoj këtu, shumë familjarë të mi që jetojnë në Kosovë më kanë frikësuar për sigurinë e ndërtimit dhe kualitetit në ndërtime, gjithashtu më kanë frikësuar edhe për punën juridike të cilën e bëjnë në Kosovë. Unë kam vendosur të rrezikoj qoftë edhe në humbjen e një shume të madhe parash, kam investuar në pasuri personale, kam blerë dy banesa dhe si kontraktues kam zgjedhur “Model Slovenia”, dhe jam befasuar me kualitetin që ka kjo kompani ndërtimi, tash dy vite kanë kaluar dhe kjo kompani nuk më ka dalë nga fjala as edhe një sekondë si në kualitet si në punë juridike të noterëve në Kosovë, andaj i ftoj të gjithë bashkatdhetarët të investojnë në vendin e prejardhjes së tyre sepse ja vlen”, thekson Aurora.

Ajo ka edhe një dëshirë për Kosovën. “Femrat e Kosovës, shqiptaret duhet të kenë më shumë përgjegjësi në postet e larta në shtet dhe politik. Me pozita të larta të kemi femra qe kur merren vendimet të janë më të sigurta të mira për familjen në Kosovë. Vetëm kështu do të kemi një barazi dhe drejtësi si dhe jetë të mirë, sepse dhuna në familje po rritet dhe kjo duhet të parandalohet shumë shpejt.

Sido që të jetë Kosova edhe pse të gjithë kemi dëshirë të jetë mirë e më mirë, prapë se prapë shqiptarët e diasporës e prezantojnë Kosovën në formën më të mirë, sidomos ne Skandinavi ku gjenerata e tretë e diasporës tonë është integruar jashtëzakonisht mirë në shoqëritë e vendeve ku jetojnë”, përfundon Aurora Pirraku Eriksson.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat