Një takim tranzit në Fiumicino - Bota Sot
Një takim tranzit në Fiumicino

Diaspora

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Një takim tranzit në Fiumicino

Nga: Moza Boletini Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 17:44
Moza Boletini me aktorin Remo Girine

Po udhëtoja me avion nga SHBA për në Shqipëri. Në aeroportin Fiumicino të Romës, tranzit për në Tiranë. Aeroport që ka fituar Çmimin si më i miri në Europë.  Rastësisht aty takova dhe bisedova nga afër me aktorin e njohur italian Remo Girone, ose të famshmim Tano Caridi tek seriali italian "La piovra". Sot ai do të jetë protagonist në filmin e ri shqiptaro - italian të regjisorit Namik Ajazi “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”. 

Sipas aktorit Girone, xhirimet e filmit kishin filluar dhe ai së bashku me bashkëshorten Victoria Zinny, prezantohen në rolin e një familje dipllomatësh italian në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Regjisori Namik Ajazi, edhe ai i prekur direkt politikisht, së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një grup aktorësh shqiptarë e italianë, do të paraqesin së shpejti një histori të parealizueshme dashurie gjatë viteve të diktaturës. Bëhet fjalë për histori dashurie mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë Italian.

Ngjarjet zhvillohen në fund të viteve ’70, fillim i ’80-ës dhe krahas historisë së dy të rinjve, ku do të jenë vendosur ngjarje që i përkasin viteve të vështira të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Duke ju referuar edhe shtypit shqiptar, për të arritur në këtë histori të dhimbshme, regjisori Ajazi ka punuar për gati tre vjet dhe ka bërë kërkime në ish-Arkivën e Ministrisë së Brendshme. Është mbështetur në katër histori të vërteta, njëra prej të cilave i qaset më shumë asaj të filmit. Por Ajazi thotë se nuk mund të flitet për personazhe realë, pasi ka marrë copëza nga disa syresh. Po sipas medias shqiptare regjisori Ajazi thotë se:“Nuk dua që askush të identifikohet me personazhet e filmit. Por është një histori e vërtetë që i bën homazh atyre ngjarjeve të dhimbshme, romancave të ngelura përgjysmë, idileve të prera në mes nga ana e regjimit, i cili nuk të falte".
Është homazh për të gjithë ata njerëz që kanë kaluar nëpër situata të tilla. Disa nuk jetojnë më, disa tashmë janë gjyshër”, thotë Ajazi, teksa shton që përzgjedhja e temave nga e kaluara komuniste vjen si një detyrim karshi një brezi që përjetoi kohëra të vështira, por edhe për t’i treguar brezit të ri se ç’kanë qenë ato vite". 

Përzgjedhja aktorëve përbën një surprizë më vete. Ajazi ka sjellë në Tiranë aktorin Remo Girone, i cili së bashku me aktoren Victoia Zinny do të interpretojnë prindërit e vajzës.

Beatrice Aiello, një aktore e re italiane do të jetë në rolin e protagonistes, po ashtu interpreton edhe Marta Gastini. Ndërsa disa nga aktorët shqiptarë janë Alfred Trebicka, Guliem Radoja, Mehdi Malka etj, dhe një djalosh i ri që jeton në Firenze, Anton Kodrinaj, të cilit i është besuar roli kryesor, i Artur Erzenit. Filmi mbështetet nga QKK, Ministria Italiane e Kulturës dhe Eurimages.

Duke dëgjuar nga aktori Girone rreth skenarit të këtij filmi, një nga këto episode më ktheu në kujtesë miken time italiane Jolanda Tahmizi, që fatkeqësisht nuk jeton më, ish anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike të Shqipërisë, ku edhe unë kam dhëne kontributin tim për vite me rradhë edhe pranë kësaj shtrese deri ditën që u largova për në SHBA. E kam njohur nga afër Jolandën, ose Jolën siç e kishin thërritur që të vogël prindërit e saj. I ati kishte qenë dipllomat italian, me detyrën e Konsullit në Vlorë. Siç më ka treguar ajo, për shkak të veshjes së saj "moderne" sigurimi i shtetit e arreston në moshë tepër të re, pasi kishte rënë në sy të policisë sekrete shqiptare, ose më mirë të injorantëve shqiptarë të shërbimit policor të diktatorit hoxha. Vajza e re, me emrin Jola, sa herë shkonte në Tiranë, luante tenis veshur me një fund të shkurtër të bardhë me pala të vogla dhe bënte shëtitje - xhiro duke mbathur në këmbë patinat rrëshqitëse.
Por kjo pamje ekstravagante e saj përbënte shqetësim për kastën e kuqe dhe rregjimin e kohës. Ishte shfaqje e huaj, paçka se Jola ishte e huaj, në dhe të huaj. Vetëm për fundin e bardhë e të shkurtër që mbante veshur dhe rrëshqitjen me patina, sigurimi i shtetit e arreston dhe e dënon me burgim politik.

Një rast tjetër që kam njohur nga afër, Maria Dvorani, e cila la studimet e larta në Itali dhe kthehet në atdhe për t'u gjendur pranë atdheut gjatë pushtimit fashist. Ndërkohë njihet e martohet me një inxhinier italian, që kishte mbetur pas lufte në Vlorë. Për këto veprime të ndaluara sigurimi i shtetit e arreston dhe e burgosin si armike të popullit. Edhe me Marien jam njohur pranë kësaj shoqate. Ishin gra inteligjente, poete, shkrimtare, me shpirt të gjerë e tepër tolerante. Gra heroina që me dinjitetin e tyre të lartë sfiduan diktaturën më të egër në Europë. Ishin bashkëvuajtëse e mike burgu politike me heroinën Muisne Kokalari, të cilat shpesh me tregonin ngjarje të atyre vuajtjeve të rënda që kishin përjetuar nëpër birucat e diktaturës. Jeta dhe vepra e të cilave u përjetësua në lartësi me dimensionin e lirisë. 

Një Memorial dedikuar Gruas ish të Burgosur e të Persekutuar Politike të Shqipërisë në qendër të Kryeqytetit të Shqipërisë do te ishte domosdoshmëri, pasi e meritojnë vërtetë, pikërisht aty ku ka qenë busti i diktatorit hoxha. Do të ishte vend ideal dhe vlerë për kombin tonë. I kujtoj gjithmonë me respekt dhe janë udhërëfyeset e mija në çdo veprimtari që ndërmar për të drejtat e njeriut, gruas, fëmijëve, humane dhe bamirëse tashmë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke u kthyer sërisht tek filmi, një Bravo! i takon regjisorit Namik Ajazit dhe skenaristit Ruzhdi Pulaha, të cilët po tregojnë me vërtetësi atë periudhë të tmerrshme të jetës që kanë kaluar në komunizëm edhe femrat e huaja. Falenderoj aktorin e madh italian Remo Girone së bashku me bashkëshorten e tij Victoria Zinny, që ju bashkëngjitën këtij projekti dramatiko - artistik të vendit tonë. Dhe takimin me aktorin Remo Girone do ta quaj një takim tranzit në Fiumicino.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test