28 nëntori festohet me pasion në Baden të Austrisë - Bota Sot
28 nëntori festohet me pasion në Baden të Austrisë

Diaspora

28 nëntori festohet me pasion në Baden të Austrisë

Nga: Besim Xhelili Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 07:30
Baden të Austrisë

SHKA “17 Shkurti”, nga qyteti Baden i Austrisë, si begati kulturore e artistike e shqiptarëve në Austri dhe me një bagazh të theksuar atdhetarizmi, i cili bartet brez pas brezi nga anëtarët e saj, tashmë tradicionalisht për nder të dy festave kryesore kombëtare, asaj të 17 Shkurtit, shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe asaj të 28 Nëntorit, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ofron për bashkatdhetarët tanë koncerte solemne falas, shoqëruar me valle, recitale, këngë burimore, epike e folklorike, pastaj në fund të programit ka edhe hapësirë për vallëzim të lirë, ku e gjithë salla i japin rrugë gëzimit, kënaqësisë dhe festës.

Edhe sivjet, të shtunën e kaluar, më 24 nëntor 2018, e stërmbushur ishte salla ku mbahej manifestimi i organizuar nga kjo shoqëri artistike, e cila tashmë qysh moti ka dëshmuar jo vetëm kapacitetet njerëzore dhe aftësitë organizative që ka, por edhe mënyrën e ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës sonë këtu në mërgim, të bashkëpunimit e të përçuarjes tek brezat e rinj të thesarit të vlerave të mirëfillta njerëzore, atdhetare e shoqërore. Të ngelet lakmi kur sheh fëmijët e buzëqeshur, të aftë e plot ndjenja, që presin me pasion të ngjiten në skenë dhe të luajnë pjesët e parapara të programit, qofshin valle, recitime apo kërcime të tjera artistike.

Image

Si gjithmonë moderimin e programit me shumë ngrohtësi prezantimi e udhëhoqi Kaltrina Durmishi, kurse një fjalë rasti tha kryetari i shoqatës Tahir Turkaj, i cili përshëndeti të pranishmit, bashkëpunëtorët, organet e qytetit  dhe sponsorët, pa të cilët ky aktivitet vështirë do të realizohej. Me një fjalë përshëndetëse u paraqitën znj. Carmen Jettler Cincelli, deputete e parlamentit austriak dhe kryetare e grupit të Miqësisë Austri – Kosovë në parlamentin e Austrisë dhe deputeti dhe i dërguari i kryetarit të Badenit, z. Peter Rammberger.

Udhëheqës artistik i programit ishte Agron Nuredini, kurse me fëmijët e shkollës shqipe në Austri u paraqit mësuesi Ibrahim Hasanaj, për të vazhduar programi me vallet e zgjedhura dhe të luajtura me mjeshtëri e bukuri nga valltaret e valltarët e shoqatës. Për pjesën e lirë në fund të programit u përkujdesën këngëtarët Hamdi Hyseni, Nikollë Gjini, Bekim Zogaj, muzikanti Arben Bunjaku dhe DJ Xheni. Korreografe e valleve ishte Diellëza Turkaj. Të pranishëm ishin miqtë e shoqatës Ajet Shira, aktivist i dalluar dhe shkrimtari Besim Xhelili, si dhe një numër i madh i simpatizantëve dhe dashamirëve.

Image

Një pikë e rëndësishme e programit ishte paraqitja e tre grupeve të etniteteve tjera, të cilat ishin ftuar për bashkëpunim nga nikoqirët edhe atë, grupi i austriakëve nga qyteti Pöttsching, grupi i turqve nga shoqata “Atib”, Vjenë dhe ai i boshnjakëve nga Sanxhaku të shoqatës “Iki”, Vjenë.

Në fund u shtruan disa pjata me ushqime të ndryshme tradicionale shqiptare, një bufe e pasur dhe pije freskuese. Ngel të përgëzojmë SHK “17 Shkurti” për një prezantim dinjitoz dhe gjithë anëtarëve të saj t’iu urojmë të vazhdojnë kështu me këtë dashuri ndaj artit, kulturës dhe traditës shqiptare që zhvillohet në mërgim. Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe mirë se shihemi në manifestimet e tjera.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test